Dosje

Hetimet për Fredi Belerin, kandidati i Himarës i dha të infiltruarit të drejtësisë 40 mijë lekë për 8 vota

Gazeta Si - Një bashkëpunëtor i policisë, i infiltruar si një votues banor i Himarës, ka futur në grackë Fredi Belerin, kandidatin për kryebashkiak të “Bashkë Fitojmë” të arrestuar nga policia.

Sipas dosjes hetimore të Prokurorisë së Vlorës, bëhet fjalë për një shumë monetare prej 400 mijë lekë të vjetra, të cilat Beleri dhe Kokoveshi, edhe ky i ndaluar nga policia, i kanë dhënë një qytetari për blerjen e 8 votave për llogari të kandidatit të “BF” në Himarë.

Sasia e parave është sekuestruar tashmë, ndërsa personi që ka marrë paratë, ka qenë një banor i Himarës, i cili është bashkëpunëtor i drejtësisë. Ky i fundit, ka bërë biseda me Kokoneshin dhe Belerin për sigurimin e 8 votave kundrejt  40 mijë lekëve.

Sipas informacioneve, ai i tha se kishte 8 persona dhe nga përgjimi ambiental bien dakord që do u jepeshin nga 50 secilit.

Në një moment në bisedë e sipër, i dyshuari i thotë bashkëpunëtorit të drejtësisë se nëse e bën këtë, do t’i jepte 400 mijë lekë për tetë votuesit dhe 300 atij vetë.

Të 8 personat ishin votues në një nga qendrat e votimit në Bashkinë Himarë, ku kandidonte për kryetar bashkie Fredi Beleri.

Sipas dosjes hetimore, bashkëpunëtori ka regjistruar të gjitha bisedat që ka zhvilluar, ku Beleri dhe Kokoveshi negociojnë me njëri-tjetrin, duke fiksuar shumën 400 mijë lekë të vjetra të 8 votave.

Ndihmësi i Belerit, Kokoveshi është personi që në vëzhgimet ambientale ia çon paratë bashkëpunëtorit të drejtësisë.

Ky i fundit u vonua në takim dhe në një moment, ndihmësi e telefonon Belerin ,duke i treguar se personi nuk gjendej aty.

Beleri shprehet “prit një minutë” dhe më pas bashkëpuntori i drejtësisë shfaqet në vendtakim për të marrë paratë nga ndihmësi i Belerit.

Dorëzimi i parave është bërë në orët e vona të natës, përballë lokalit të Fredi Belerit që ndodhet në shëtitoren e Himarës.

Pikërisht në këtë moment ka ndërhyrë menjëherë policia, duke bërë dhe shoqërimin e tij dhe bashkëpunëtorit të tij, Pandeli Kokoneshi. Të dy akuzohen për krim zgjedhor të kryer në formën e bashkëpunimit.

Tashmë prokuroria e Vlorës do t’i drejtohet gjykatës së rrethit, duke kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për Belerin dhe mikut të tij. Ndërsa javën që vjen, çështja do t’i kalojë për hetime të mëtejshme SPAK-ut në Tiranë.

Edhe prokurori i Vlorës Aurel Zarka, ka konfirmuar në një deklaratë për shtyp arrestimin e Belerit dhe Kokoveshit.

Sipas prokurorit, Beleri akuzohet për korrupsion aktiv në zgjedhje e kryer në bashkëpunim. Po ashtu, bëhet e ditur se në kuadër të operacionit janë sekuestruar edhe 40.000 lekë të rinj.

Kjo është një provë e fortë me të cilën mund të përballet Beleri me aktakuzën e Prokurorisë për dhënien e vlerave monetare në këmbim të votës.

Sipas burimeve paraprake, bashkëpunëtori i drejtësisë ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me autoritetet gjyqësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë