Drejtësia

Nën akuzë për shit blerje votash, edhe Apeli i GJKKO-së lë në burg Belerin

Gazeta Si - Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e “arrestit me burg” për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Alfred Beleri.

Kandidati fitues i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës në zgjedhjet e 14 majit, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve, pasi u kap bërë pazare për shit blerje votash sipas dosjes hetimore të SPAK-ut.

Beleri kërkoi ndryshim të masës së sigruisë së dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, por ajo mbeti e njëjtë edhe nga Apeli.

Disa ditë më parë, Beleri nuk u lejua të bënte betimin e tij si kryebashkiaku i ri i zgjedhur i Himarës, ndërsa bashkia vazhdon të drejtohet nga ish-kryebashkiaku dhe kandidati i PS në zgjedhjet e fundit, Jorgo Goro.

Nëse ai nuk betohet apo nuk paraqitet për tre muaj në bashki, mund ta humbasë mandatin dhe të shkarkohet.

Nga ana tjetër, Këshilli Bashkiak mund të bëjë kërkesë për shkarkimin e tij, por vendimi merret nga Këshilli i Ministrave.

Beleri ndodhet në qeli që prej datës 12 maj ku akuzohet për korrupsion në zgjedhje.

Fredi Beleri ka kërkuar disa herë që të që të lirohet nga qelia, por kërkesat e tij janë rrëzuar nga gjykatat. Së fundmi Apeli i Gjykatës së Posaçme i ka rrëzuar Belerit dhe pretendimet për arrestim të paligjshëm dhe pavlefshmëri të përgjimeve. 

Beleri akuzohet se ka dhënë para në këmbim të votave gjatë zgjedhjeve vendore të 14 Majit. Ai u ndalua së bashku me Pandeli Kokaveshin, i cili u lirua nga qelia për shkak të problemeve shëndetësore.

Ndërkohë njeriu i afërt i Belerit, Pandeli Kokaveshi, i vënë në pranga si bashkëpunëtor në shit-blerje të votës u lirua nga Gjykata e Apelit për arsye shëndetësore.

Ai do të ketë detyrimin për t’u paraqitur periodikisht në prokurori. Beleri dhe Kokaveshi u arrestuan dy ditë para zgjedhjeve të 14 Majit, pas dhënies së 40 mijë lekëve për 8 vota një personi të infiltruar të Prokurorisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë