Drejtësia

Akuzohet për blerje votash, kryebashkiaku i Himarës Fredi Beleri mbetet në qeli

Gazeta Si - GJKKO ka ka lënë në masën e sigurisë "arrest në burg" Fredi Belerin, kandidatin fitues të “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Himarë nën akuzën e korrupsionit zgjedhor dy ditë para zgjedhjeve.

Të njëjtën masë sigurie, gjykta dha edhe për Pandeli Kokaveshin, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar me Belerin në dhënien e parave në këmbim të votës. Sipas akuzës, Fredi Beleri është filmuar duke blerë 8 vota për 40 mijë Lekë.

Procesi nisi fillimisht nga Prokuroria e Vlorës dhe çështja më pas u transferua në SPAK për shkak të veprës penale që hetohet nga Prokuroria Speciale.

Vendimi u dha pak pasi ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias, pati një takim me ministren e Punëve të Jashtme Olta Xhaçka në Bruksel, ku u diskutua edhe çështja në fjalë.

Avokati i Belerit dhe Kokaveshit

Avokati i të pandehurve, thotë se kërkoi lehtësim të masës së sigurisë nga GJKKO për Fredi Belerin dhe Pandeli Kokaveshin.

Për këtë të fundit thanë se paraqitën edhe dokumente shëndetësore. Sa i përket listës me personat që dyshohet të ketë paguar Beleri për shitblerje vote, thotë se policisë ia ka dhënë i infiltruari.

“Fredi Beleri kërkoi vetëm drejtësi nga gjykata. Më absurdja ishte që Kokaveshi në gjendje të rëndë shëndetësore, menduam që mund të kishte marrë një masë më të lehtë, se ka kryer dhe transplant.Asgjë nuk paraqitën, ne dorëzuam dokumente shëndetësore. Policisë ia ka dhënë i inflirtuari listën, se në dosjen e policisë nuk gjendet kjo listë. Vetë i arrestuari pretendon që nuk i ka dhënë asgjë”, tha avokati.

Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi u arrestuan dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit për korrupsion aktiv në zgjedhje.

Prokuroria thotë se ka prova dhe fakte për shit-blerje votash. Për këtë thotë se ka kryer përgjime dhe vëzhgime në terren, ndërkohë që kanë pasur edhe një person të infiltruar.

Më 13 maj, Gjykata e Vlorës vendosi që të lerë në burg Belerin dhe çështjen ia kaloi SPAK-ut, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Megjithatë më 15 Maj, Fredi Beleri, i cili garonte nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, u shpall fitues i zgjedhjeve për Bashkinë e Himarës pavarësisht se gjendej në qeli. Në një garë të fortë përballë Jorgo Goros ai mori 19 vota më shumë.

Arrestimi i Belerit ka shkaktuar reagim të fortë nga autoritetet greke që janë shprehur se vendime të tilla do të kenë ndikim në marrëdhëniet e BE-së me Shqipërinë.

Akuza ndaj tij u mbështet në disa filmime dhe përgjime mes tij dhe një të infiltruari, të cilit iu premtuan 400 mijë lekë të vjetër për 8 vota.

Fredi Beleri e ka konsideruar ngjarjen si sulm politik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë