Rend dhe Ligj

U arrestua për shit-blerje votash në Kavajë, Klodian Kapedani u zbulua nga përgjimet telefonike

Gazeta Si - Përgjimet telefonike dhe sms-të në aplikacione komunikimi pak ditë para zgjedhjeve, si dhe gjatë datës 14 maj, ditë kur qytetarët po votonin, kanë mjaftuar për SPAK-un për të arrestuar Klodian Kapedanin.

Ndaj 39-vjeçarit nuk ka pasur asnjë kallëzim nga qytetarë apo subjekte politike, por ai ka dalë nga bisedat telefonike të disa personave të tjerë që janë nën hetim nga SPAK, por për vepra të tjera penale që nuk lidhen me shit-blerje votash.

Në këto biseda nuk janë përmendur shuma parash se sa Klodian Kapedani do u jepte qytetarëve që kontaktonte, por u linte vendin e takimit për t’u dhënë paratë.

Kapedani ka mbështetur kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Fisnik Qosja, i cili u shpall fitues përballë ish-kryebashkiakut dhe kandidatit socialist, Redjan Krali.

Rastet e personave nën hetim dhe të arrestuar për shit-blerje votash kanë qenë të shumta para zgjedhjeve lokale të 14 majit.

Më flagranti ishte arrestimi I Fredi Belerit dhe bashkëpunëtorit të tij të dyshuar, Pandeli Kokaveshi.

Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës  u arrestua 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, pas një hetimi të nisur nga Prokuroria e Vlorës në 8 maj, me dyshimet se shtabi elektoral i kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” po shpërndante para në këmbim të votave.

Beleri ka mohuar akuzat dhe e ka konsideruar hetimin ndaj tij sulm politik. Për arrestimin e tij ka reaguar disa herë Athina zyrtare, por Tirana ka reaguar, duke theksuar se në Shqipëri për raste të tilla vendos drejtësia e pavarur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë