Njerez

‘Dakordësia’ unanime e fëmijëve për të vrarë babain ka shpjegim

Nga Gazeta Si - Mes shumë të paqartash që ka ngjarja e ndodhur në Shënavlash, ku tre fëmijët, me mbështetjen e nënës së tyre vranë dhe groposën babain, një vend zë edhe dakordësia mes të katërve për të kryer krimin dhe për ta fshehur më pas.

Avokati Kujtim Cakrani, ka thënë për mediat se hetuesit duhet të fokusohen dhe të zbulojnë shkaqet që kanë çuar familjen e Pëllumb Metës, në një mllef të fortë ndaj tij.

“Shikoj një mllef të madh që nuk është i momentit, por është prej vitesh. Duhen hetuar shkaqet, pse ka qenë kjo ngarkesë negative ndaj kryefamiljarit dhe këtu duhet ta nisë hetimin organi i akuzës. Prona duhet marrë si pistë, por nuk duhet hequr dorë nga akumulimi shumëvjeçar i mllefit ndaj të ndjerit. Shkaqet për mua si avokat, janë krejt ndryshe nga ato që hidhen në tregun mediatik dhe koha do të më japë të drejtë”, tha ai.

PhD Manjola Çollaku, Psikologe klinike e zhvillimit/Psikoterapiste CBT thotë se për të kuptuar si mund të ndodhë një gjë e tillë, është e rëndësishme të hulumtojmë anët psikologjike të kësaj ngjarjeje.

“Një aspekt i mundshëm psikologjik i kësaj ngjarjeje është mungesa e një lidhjeje emocionale të fortë mes pjesëtarëve të familjes. Nëse në familje ka pasur tensione, konflikte ose mungesë komunikimi, është më e lehtë të shpjegohet se si ata mund të kenë ardhur në një marrëveshje për të kryer një akt kaq ekstrem”, thotë Çollaku, duke shtuar se përveç faktit se ata pranojnë se kanë qenë pjesë e vrasjes dhe groposjes së trupit, nuk ka një version të qartë i ngjarjes nga të gjithë pjesëtarët e familjes. Ky element përforcon idenë e një ndërthurjeje komplekse psikologjike që mund të ketë ndodhur në familjen e tyre.

Një tjetër shpjegim i mundshëm është presioni psikologjik që ka mundur të vijë nga bashkëshortja e viktimës ndaj fëmijëve, për shkak të disa çështjeve të fshehura në familje. Ky presion mund të ketë krijuar një atmosferë të tensionuar dhe të pakënaqshme, duke i shtyrë fëmijët drejt një reagimi të dhunshëm.

Manjola Çollaku, Psikologe klinike e zhvillimit/Psikoterapiste CBT

“Në fund të fundit, rasti na shtyn të reflektojmë mbi ndikimin e faktorëve shoqërorë dhe kulturorë në sjelljen e njerëzve. Në një shoqëri ku çështjet e nderit dhe të familjes kanë një rëndësi të madhe, mund të ketë ndodhur një mbulim i vështirë i ngjarjes për të ruajtur imazhin e familjes. Kjo mund të ketë çuar në një bashkëpunim të padëshiruar për të mbuluar veprën e rëndë”, thotë Çollaku.

Ndërkohë, sociologe Marsida Simo thotë se kur dëgjojmë një ngjarje, kemi tendencën ta analizojmë nga këndvështrimi ynë. Kjo do të thotë që pikëpamjet, parimet, njohuritë që kemi, ia mveshim personave që kanë kryer një krim të caktuar.

“Megjithatë ajo që dua të theksoj është se ne do dimë gjithmonë majën e ajsbergut. Ajo që nuk shohim dot në këto ngjarje apo ngjarje të ngjashme, është historiku familjar, edukimi, procesi i rritjes, stadet e moshës, zakonet, traumat, sfidat, problemet socio-ekonomike e shumë të tjera”, thotë Simo, e cila tregon se kjo mund të ketë qenë një hakmarrje e fëmijëve.

“Produkti final ka qenë prej akumulimeve të shumta, frustrimit dhe keq edukimit, deri diku të brumosur për atë akt final. Jo pak herë fëmijët përdoren nga njëri prind për të realizuar hakmarrje personale, prej inateve nga mosmarrëveshjet në çift”, shton Simo, duke thënë edhe se është pothuaj e pamundur që një person i rritur me urrejtje, të mbjellë dashuri, apo një person i ‘projektuar’ për një synim të caktuar, të veprojë ndryshe.

Sociologe Marsida Simo.

Në aspektin psikologjik, mund të shpjegohet se si fëmijët janë bërë bashkë për të vepruar në një akt të dhunshëm ndaj prindit të tyre duke u bazuar në disa mekanizma psikologjikë, të cilat psikoterapistja Çollaku i rreshton në:

Dëshira për Mirënjohje: Fëmijët mund të ndjejnë një nevojë për t’u pranuar dhe për të përfituar mirënjohjen ose pëlqimin e prindit të tyre. Nëse një prind ka përjetuar një akt të dhunshëm në të kaluarën, fëmijët mund të ndiejnë se ata do të fitojnë respektin dhe mirënjohjen e prindit nëse veprojnë së bashku për të shpëtuar situatën.

Ndikimi i Grupit: Fëmijët që janë pjesë e një grupi të ngushtë (siç janë vëllezërit dhe motrat) mund të ndikohen thellësisht nga njëri-tjetri dhe të kenë një ndjenjë të thellë të përkushtimit ndaj njëri-tjetrit. Nëse njëri prej tyre propozon një plan për të eliminuar prindin dhe të mbulojnë veprimet e tyre, të tjerët mund të ndjehen të përfshirë emocionalisht dhe të pajtueshëm për t'i bashkëpunuar.

Presioni i Grupit: Në disa raste, fëmijët mund të ndiejnë presion nga vëllai ose motra e tyre për të vepruar në mënyrë të caktuar. Nëse njëri prej tyre propozon një plan të  dhunshëm dhe të tjerët ndjehen të përfshirë në një mënyrë të përshtatshme, ata mund të ndjehen të detyruar të pajtohen për të shmangur konfliktin në grup.

Faktorët Emocionalë: Njësia familjare dhe ndjenjat e besimit dhe mbështetjes ndaj njëri-tjetrit mund të ndikojnë thellësisht në vendimet e dikujt. Në situata të stresit ose tensionit në familje, mund të ndiejnë se veprimi i bashkërishtë është mënyra më e mirë për të përballuar situatën dhe për të mbrojtur njëri-tjetrin.

Ndikimi i faktorëve psikopatologjikë: Identifikimi i çrregullimeve psikike siç janë psikopatia, personaliteti narcisist, ose problemet e sëmundjeve mendore të tjera që mund të kenë ndikuar në sjelljet dhe veprimet e përfshirësve.

Më herët, Manolita Hida, psikologia dhe eksperte e certifikuar në sistemin e drejtësisë ka thënë për Gazetasi.al se sipas saj, nëna e 3 fëmijëve është e përfshirë më shumë se sa thuhet dhe nëse vërtetohet kjo, shpjegohet fare mirë pse fëmijët janë përfshirë njëzëri në vrasjen e babait të tyre.

“Fëmijët janë rritur në një mjedis ku nëna e tyre ka qenë e dhunuar dhe kjo sjell edhe një urrejtje për babanë, çka i ka çuar në një mpirje emocionale. Individët që janë pre e dhunës kanë një prag më të ulët ndjeshmërie dhe empatie pikërisht për të mbrojtur pjesën e integritetetit të vet psikologjik sepse kështu kanë bërë gjithë kohës”.

Në momentin që në familje ka pasur dhunë, konflikt bashkëshortor ose lidhje sociale të varfra, si marrëdhënie jo të mira me familjarët e tjerë, fëmijët kanë qenë dëshmitar të tyre dhe kjo i ka ndjekur pas përgjatë gjithë zhvillimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë