Njerez

Vranë dhe groposën të atin / Si të ‘lexojmë’ qetësinë e tre fëmijëve në sallën e gjyqit

Vranë dhe groposën të atin / Si të ‘lexojmë’ qetësinë e tre fëmijëve në sallën e gjyqit

Nga Gazeta Si- Ngjarja në Shënavlash që ka tronditur vendin vjen me një dyzinë të paqartash, mes të cilave është edhe qetësia që po shfaqin 3 fëmijët, nga ajo që u vu re edhe në sallën e gjyqit.

Me një qetësi të pashembullt, tre fëmijët e familjes Meta dëshmuan në gjyq, ndërkohë që herë pas here bisedonin me njëri-tjetrin, ku dhe nuk munguan disa buzëqeshje.

Manolita Hida, psikologe dhe eksperte e certifikuar në sistemin e drejtësisë ka treguar për Gazetasi.al se si mund të “lexojmë” sjelljen e 3 fëmijëve që vranë dhe groposën babain e tyre.

“Qetësia e tyre vjen sepse tashmë janë shkelur dy rregullat bazë të moralit në të cilat shoqëria rregullon aktivitetin e saj, që janë “mos vrit” dhe “ndero prindërin”, thotë Hida, duke shtuar se për momentin, fëmijët janë të mpirë emocionalisht dhe mbase vetëm tani kanë filluar t’i kuptojnë pasojat e para të asaj që kanë bërë.

Manolita Hida, psikologe dhe eksperte në sistemin e drejtësisë. Gazeta Si, shkurt, 2024.

“Në 10 ditët e para ato e kanë parë veten sikur kanë shpëtuar, si nga policia ashtu edhe nga babai dhunues ndërkohë që arrestimi i tyre u bë në një ditë të vrullshme e kjo për to ka qenë një tronditje e madhe. Fëmijët tani ndodhen përballë faktit se janë zbuluar dhe do vuajnë pasojat që nuk i kanë menduar më parë sepse sipas tyre, çdo gjë e kanë zgjidhur me groposjen e trupit”, shpjegon ekspertja.

Gjithashtu, kjo mpirje emocionale sipas saj është e mbartur ndër vite, duke qenë se dëshmitë deri më tani flasin për dhunë të pranishme gjithë kohës.

Hida thotë se individët që janë pre e dhunës kanë një prag më të ulët ndjeshmërie dhe empatie pikërisht për të mbrojtur pjesën e integritetetit të vet psikologjik sepse kështu kanë bërë gjithë kohës.

Nga dëshmitë, babai ka pasur një stil autoritar prindërimi, me rol dhe pushtet absolut në familje. Nuk ka njohur dhe nuk ditur të menaxhojë dinamikat familjare, fjala dhe vendimi i tij ka qenë ligj, ndërkohë që familja e tij i është bindur, deri në momentin në të cilin fëmijët kanë ndjerë që kjo gjë nuk është më në rregull dhe janë rebeluar. Për të vijuar ekzistencën e tyre, kanë parë si formë të vetme ndërprerjen e ekzistencës së babait, shpjegon ekspertja, duke shtuar se fëmijët të cilët jetojnë në familje ku nuk ka bashkëpunim, kanë tendencë të zhvillojnë sjellje problematike e cila nga ana e saj, në aspektet që lidhen me çështjet penale është një pararendëse e Çrregullimit të Personalitetit Antisocial. (Njerëzit me çrregullim të personalitetit antisocial kanë tendencën të manipulojnë ose trajtojnë të tjerët ashpër dhe nuk ndjejnë keqardhje në asnjë situatë).

Nga ana tjetër studimet në këtë fushë tregojnë se abuzimi brenda familjes është gjithashtu një pararendës i zhvillimit të personalitetit antisocial. Në këtë kontekst jemi përballë trajtave të një personaliteti Antisocial, në vijim nëse kemi të bëjmë me Çrregullim kjo do të përcaktohet nga ekspertët përkatës.

Në momentin që në familje ka pasur dhunë, konflikt bashkëshortor ose lidhje sociale të varfra, si marrëdhënie jo të mira me familjarët e tjerë, fëmijët kanë qenë dëshmitar të tyre dhe kjo i ka ndjekur pas përgjatë gjithë zhvillimit.

“Familja disfunksionale është një ndër arsyet që çon drejt vrasjes së njërit prej prindërve nga ana e fëmijëve. Një tjetër aspekt mbeten përgjegjësitë. Për të kuptuar përgjegjësitë, individi duhet të lihet të përballet me pasojat. Kjo ka munguar në shtëpinë e tyre, pasi sipas dëshmive të dhëna, për ta ka menduar dhe ka vepruar vetëm një individ në familje. Pjesa emocionale gjithashtu vjen e dëmtuar pasi për të ruajtur integritetin e vet psiqik, në mënyrë automatike është ulur edhe pjesa e ndjeshmërisë: ndjeshmërisë për veten dhe dhimbjen që vetja ndjen dhe ndjeshmërisë ndaj tjetrit dhe dhimbjes që tjetri ndjen. Është e gjitha mpirja emocionale që kanë përdorur gjithë vitet e dhunës për të shpëtuar veten, tani po e përdorin për të përballuar gjithë këtë situatë”, tregon ekspertja Hida, duke thënë se nuk mendon se fëmijët e kanë përgatitur veten emocionalisht, dhe prandaj janë të mpirë, pasi pragu i ndjeshmërisë është i ulët.

“Vijojnë ende të jenë nën efektet e saj dhe tanimë po jepen shenjat e para të të kuptuarit të asaj çka kanë bërë”, shton ajo.

Ndërkohë, faktin që faji është hedhur nga njëri tek tjetri, ekspertja e shpjegon si një “lojë” me informacionet që kanë, duke e ditur se një femër ka më shumë lehtësira, si në pjesën e viteve të burgimit ashtu edhe me vetë burgun.

Në momentin që janë arrestuar kanë qenë ende nën inat dhe krenari që i morën hakun njeriut që i’u ka bërë keq, ndërkohë pendesa që kanë shprehur më pas në sallën e gjyqit mund të shihet si një “lojë gjyqësore” pasi e kanë marrë vesh se në momentin që shprehin pendesë, kanë një dënim më të ulët.

Gjithashtu, fëmijët kanë pasur një model. Ka një histori vrasje brenda familjes ku gjyshja e fëmijëve (nëna e Blerina Metës) ka vrarë para disa vitesh vjehrrën e saj si dhe ka plagosur bashkëshortin dhe sipas ekspertes, fëmijët e kanë pasur modelin të gatshëm.

“Në momentin që modelin e kanë të gatshëm, kufiri është shkelur dhe kur kufiri shkelet një herë, hera e dytë nuk është më problem. Fëmijët e kanë parë se diçka mund të bëhet dhe për to, ka mjaftuar kjo” përfundon ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë