Ngjarje

Abuzimi e dhuna të çon në krim? Ç’tregon vrasja e babait nga 3 fëmijët e tij në Durrës

Abuzimi e dhuna të çon në krim? Ç’tregon vrasja e babait nga 3 fëmijët e tij në Durrës

Nga Gazeta Si - Është e diel, ora 11:00 e paradites. Sipas traditës, në shtëpinë e vëllait të Pëllumb Metës, në fshatin Shënavlash, pjesë e komunës Rrashbull, janë hapur dyert për ngushëllim. 50-vjeçari u varros të shtunën në varrezat e fshatit duke lënë pas me ikjen e tij pikëpyetje të mëdha por dhe tronditje në opinionin publik.

Kryetari i fshatit, apo kryeplaku siç njihet ndryshe në gjuhën e zakonshme, Azem Plaku, është një prej njerëzve që sapo kanë pirë kafen e mortit.

Tronditja i lexohet në zë teksa pyetet nga Gazetasi.al mbi ngjarjen e rëndë të vrasjes dhe groposjes së Pëllumb Metës në kasollen e bagëtive.

“Jemi të shokuar, nuk e kishim menduar këtë fund për Pëllumbin. Ishte një burrë i urtë, i qeshur dhe kishte një familje të mirë. E mendojmë më shumë një komplot familjar”, shkon më tej në hamendësime kryeplaku i fshatit Shënavlash.

Në shtëpinë e Pëllumb Metës, një banesë dykatëshe, në fshatin Shënavlash dritat janë ende të ndezura. Bashkëfshatarët që kalojnë aty pari flasin nën zë, askush nuk di të thotë asgjë më shumë se çfarë dinë nga mediat. Një familje e mbyllur por me një opinion shumë të mirë në fshat.

“Ishin familje e mirë, fëmijë të mrekullueshëm, grua e mirë që punonte në bujqësi. Ai një burrë i urtë, nuk e shihje klubeve, lëvizte në fshat me një makinë të tijën dhe natën punonte tek tregu i makinave, fjalë shumë të mira themi të gjithë për Pëllumbin”, thotë Plaku, kryetar i fshatit Shënavlash.

Ai thotë se ka 30 vjet që e njeh Pëllumbin, që kur ai erdhi nga fshatrat e Krujës dhe u zhvendos me familjen e tij, vëllain e 2 prindërit dhe ndërtuan shtëpitë në Shënavlash.

“Këtë shtëpi e ka bërë me duart e tij. Janë njerëz punëtorë dhe të urtë. Gruan e mori nga Laçi dhe bënë së bashku 4 fëmijë. Unë e njoh shumë mirë, nuk e di çka ndodhur brenda asaj shtëpie, por jashtë ata kanë qenë një familje model. Ne na vjen keq për të gjithë, por sidomos për Pëllumbin”, thotë kryeplaku.

Ekspertët: Dhuna sistematike çon në stres postraumatik, i dhunuari gjeneron dhunë

Gruaja e viktimës pranon dhunën sistematike brenda mureve të shtëpisë së saj. Ajo vetë pohon se është viktimë e kësaj dhune e cila çoi dhe në degjenerimin e konfliktit të të ndjerit me fëmijët.

Por a e justifikon dhuna krimin. Aq më tepër një krim ku pjesëmarrës janë të gjithë, nëna e 3 fëmijët?

Psikologia Eksena Qirici thotë për Gazetasi.al se dhuna është vrasje, dhuna është vdekje psikologjike, e pasi ke vdekur psikologjikisht, nuk ka më arsye njerëzore që të mban gjallë në logjikën njerëzore.

“Pasi ke arritur aktin e dëshpërimit si pasojë e kësaj torture të dhimbshme psikologjike, vrasja fizike është e nevojshme për të arritur shpëtimin”, thotë Qirici.

Psikologe Eksena Qirici. Gazeta Si, shkurt, 2023.

Sipas saj, marrëdhënien prind-fëmijë e ndërtojmë psikologjikisht nëpërmjet vëmendjes, sigurisë dhe dashurisë që ofron prindi për fëmijën e tij.

“Kur prindi nuk është prind psikologjik, por dhunues sistematik, neglizhues dhe përçmues atëherë ai rrit një qenie njerëzore plot inat dhe hakmarrje ndaj dhunuesit të tij, i cili pret momentin e tij për të të kthyer mbrapsht pasojën e dhunës”, përfundon ajo.

Ndërsa eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço për Gazetasi.al përsërit opinionin e tij se nuk ka qenë vrasje e paramenduar por një dalje nga kontrolli i konfliktit mes fëmijëve e babait.

“Ka qenë jo e planifikuar pasi dhe gjurmët kanë qenë lehtësisht të dallueshme, plus kësaj fëmijët janë zbërthyer shpejt dhe kanë treguar ngjarjen”, thotë Karamuço.

Shoqëri e dhunshme, justifikim për dhunën e prindit në emër të edukimit

“Ajo çfarë më bën përshtypje më shumë në këtë histori të rëndë është justifikimi i dhunës teksa dëgjon opinionet e bashkëfshatarëve të viktimës. Nuk arrij dot ta kuptoj se si 3 fëmijë dhe nëna pohojnë njëzëri se dhunoheshin fizikisht dhe psikologjikisht nga viktima, madje vajza e vogël e familjes, 19-vjeçarja studente arrin deri në pohimin se ‘jam e lumtur që e kam bërë unë vrasjen’ dhe opinioni të ndjejë keqardhje më shumë për babain”, thotë psikologia duke shtuar se normalisht kjo justifikohet deri diku pasi ndaj të vdekurit priret të kemi më shumë empati, por edhe jeta e atyre fëmijëve me vrasjen e babait ka mbaruar.

“Ata do ti shoqërojë gjithë jetën trauma e vrasjes, ndonëse nuk janë penduar. Po opinioni pse nuk priret të mbështesë viktimat e dhunës? Sigurisht krimi nuk përligjet, por a kuptoni që dhuna sistematike, sidomos ajo emocionale për të cilën nëna e fëmijëve ka pohuar se ka qenë prezente në shtëpi, prodhon stres postraumatik e cila çon në çregullime të spektrit emocional deri në sëmundje të shëndetit mendor? Për mua ata fëmijë që janë rritur me dhunë sistematike, nuk e kanë patur aq problem vrasjen”, thotë një tjetër ekspert i shëndetit mendor.

“Dhuna dhe vdekja janë shpesh zëvendësuese të njëra- tjetrës. Kur kërkojmë të kuptojmë një vrasje nuk do të thotë që po e justifikojmë arsyen e vrasje, por synojmë që njerëzit të kuptojnë edhe nga një ngjarje tronditëse se duhet të frenohen nga mendimi se mund të dominojnë mbi fëmijën me dhunë ekstreme fizike dhe psikologjike, vetëm me faktin se janë prindi i tyre”, thotë psikologia Qirici.

Sipas saj, statusi i prindërimit prodhon një qenie tjetër njerëzore që mund të bëjë të njëjtën gjë si ndaj prindit të tij, por edhe nëse bëhet vet prind. Si rrjedhojë, krijohet cikli i traumës psikologjike të trashëguar që shkakton dhuna.

“Dhuna e trashëguar brez pas brezi krijon përherë devijanca shoqërore që përkthehen në fjalën “horror familjar”. Shumë denoncime. vrasje dhe raportime vijnë kur fëmijët arrijnë moshën e pjekurisë sepse ai është momenti kur fëmija tashmë i rritur fillon të mendojë se ka shpëtim ndaj babait. Eksperienca jonë profesionale na tregon se shumë fëmijë kur rriten tregojnë histori abuzimi dhe dhune të rënda, për të cilat nuk kanë folur asnjëherë sepse frika ndaj prindit abuzues ishte e madhe”, thotë psikologia duke shtuar se nëse shoqëria nëpërmjet institucioneve nuk ofron mundësi vlerësimi të familjes dhe siguri për fëmijët e dhunuar ndër vite, e kemi të vështirë ndalimin e këtij cikli të vazhdueshëm të dhunës dhe vrasjeve. Shoqëria jonë ka nevojë emergjente për mekanizma që ngadalësojnë dhe ndërpresin kalimin e dhunës nga njëri brez në tjetrin.

“Nevoja për këto mekanizma është themelore për vet faktin se dhuna në prindërim dhe neglizhenca kur fëmijët “nuk marrin vesh” është e arsyetuar thellë psikologjikisht nga shoqëria jonë”, thotë për Gazetasi.al psikologia Eksena Qirici.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë