Para

Biznesi ul kërkesën për kredi. Covid-19 nxit pasiguri edhe te individët: S’investojnë në patundshmëri

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë nga Raporti i Politikës Monetare të publikuar sot (e enjte) tregojnë se kriza që ka shkaktuar pandemia Covid-19 ka krijuar ndjesi pasigurie dhe ka luhatur besimin e konsumatorit; si atë të biznesit, ashtu edhe të individëve duke sjellë tkurrjen e kërkesës për kredi në muajin mars dhe si tremujor.  

Aktiviteti kreditues ka shfaqur ngadalësim të ritmeve të rritjes në tremujorin e parë të vitit, duke shënuar një rritje mesatare prej 7%, krahasuar me 7.8% një tremujor më parë. Norma vjetore e rritjes së kredisë ka zbritur në nivelin 6.4%.

Në fund të tremujorit të parë 2020, raporti i kredisë për sektorin privat ndaj PBB-së shënoi rritje në 38.1%, rreth 1.4 pikë përqindje më i lartë se niveli i fundvitit 2019.

Ngadalësimi i kredisë në muajin mars sipas BSH-së është vërejtur në të gjitha kategoritë, por ishte më i dukshëm në portofolin e kredisë në valutë dhe në kredinë për individë.

Në këtë vrojtim, bankat shprehen se kanë shtrënguar standardet, gjë që sipas BSH-së, pritet të jetë më evidente në tremujorin e dytë të vitit. Megjithatë, në një këndvështrim më afatgjatë, vihet re se normat e ulëta të interesit dhe kushtet e favorshme financiare kanë mbështetur në mënyrë të vazhdueshme kreditimin në lekë, duke ndikuar në një strukturë më të balancuar valutore të portofolit të kredisë.

Mbasi u rrit me 7.7% mesatarisht për dy muajt e parë të vitit, portofoli i kredisë për biznese shfaqi ngadalësim të ritmeve vjetore të rritjes në 6.2% në muajin mars. Ky ngadalësim ka reflektuar normat më të ulëta të rritjes së kredisë për likuiditete (2.4%). Në të kundërt, kredia për investime ka ruajtur normat e larta të rritjes prej 9.3%. Zhvillimet e muajit mars tregojnë se tkurrja mujore e portofolit të kredisë për biznese ka qenë më së shumti në kredinë për likuiditete, rënie e cila është kompensuar pjesërisht nga përdorimi i depozitave të bizneseve në banka.

Kredia për individë ka ndjekur një trend pozitiv deri në muajin shkurt 2020, ku norma vjetore e këtij portofoli shënoi rritje në 8%. Në muajin mars, ky portofol u tkurr dhe norma vjetore e tij u ngadalësua në 6.8%. Megjithatë, rritja e këtij portofoli përgjatë tremujorit të parë mbetet e ngjashme me atë të vërejtur në fund të vitit 2019.

Banka sqaron se masat e marra për parandalimin e pandemisë duket se kanë ndikuar në ngadalësim të ritmeve vjetore të rritjes, si të kredisë për blerje banese (me 6.9%) ashtu edhe të asaj konsumatore (6.7%). Bazuar në rezultatet e aktivitetit kreditues, ngadalësimi i ritmeve të rritjes së kredisë për individë ka reflektuar rënien e ndjeshme të kërkesës për kredi nga individët dhe shtrëngimin e standardeve për to. Rënia e kërkesës dhe ofertës së individëve për kredi ka reflektuar pasiguritë e shtuara për zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme dhe ato për punësimin, uljen e besimit konsumator, si dhe gatishmërinë e ulët të bankave për të pranuar rrezik.

Financimi i sektorit publik

Deficiti fiskal i tremujorit të parë të vitit 2020 ishte rreth 2.2 miliardë lekë. Financimi i tij u krye nëpërmjet emetimit të titujve të qeverisë në tregun e brendshëm. Gjatë tre muajve të parë të vitit, huamarrja në tregun e titujve të qeverisë u shtua me rreth 3.7 miliardë lekë në bono thesari dhe 7 miliardë lekë në obligacione. Kjo huamarrje mundësoi shtimin e likuiditetit të qeverisë me rreth 4.9 miliardë lekë dhe reduktimin e huamarrjes së huaj neto me 3 miliardë lekë, në tremujorin e parë të vitit.

Huamarrja në tregun primar të titujve kishte profil të ngjashëm me vitin e shkuar. Bankat tregtare vijuan të financonin pjesën më të madhe të deficitit fiskal nga burimet e brendshme (rreth 93%). Portofoli total i titujve të qeverisë të zotëruara nga bankat tregtare, në fund të tremujorit të parë të vitit 2020, ishte rreth 59%.

Individët nuk e zgjeruan portofolin e tyre në tituj qeveritarë, duke ruajtur pak a shumë të njëjtin stok me fundin e vitit. Banka thotë se struktura e tregut primar të titujve duket se po konsolidohet nga strategjia e ndjekur nga qeveria që prej korrikut 2018 dhe në thelb të saj qëndron zhvillimi i tregut për titujt referencë, çka synon të shërbejë si shtysë për zhvillimin e tregut sekondar në të ardhmen.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë