Gazeta Si – Reperi Rigels Rajku, i njohur me emrin e artit “Noizy”, ka dëshmuar këtë të mërkurë në gjyqin ku u thirr si dëshmitar nga SPAK për procesin ndaj Laert Haxhiut, i cili dyshohet se urdhëroi shpërthimin me tritol në lokalin e muizikantit, pasi ky i fundit dhunoi shokun e tij, Kleviol Ahmeti.
Duke theksuar se Laert Haxhiun nuk e njihte, Noizy rrëfeu zanafillën e konfliktit të tij me Kleviol Ahmetin, reperin e njohur si “Cllevio Serbiano”.
Noizy tha se Cllevio kishte nisur me sharje të shumta ndaj tij që para disa vitesh dhe nuk kishte ndaluar më kurrë.
Ai e konsideroi Cllevion si “të fiksuar pas vëmendjes” dhe “të çmendur” që e ndiqte nga pas si një fans i sëmurë.
“Më ndodhi një problem një natë përpara te një tjetër lokal që kam në Durrës, me një person që është i fiksuar, sjelljet e një fansi të fiksuar… Po nuk i dhe vëmendje, bëhet agresiv dhe sjell problemin deri tek shtëpia. Kur shan dhe kërcënon në rrjetet sociale, ai të vjen dhe deri tek shtëpia. Kleviol Ahmeti është personi: sharjet që nga 2019 nuk janë ndalur asnjëherë. Njohje me Kleviolin nuk kam pasur asnjëherë, as bashkëpunime. Është i fiksuar me mua, kërkon me se s’bën vëmendjen time”, – u shpreh reperi.
Më tej, tregoi sesi reperi, të cilin e dhunoi fizikisht, kishte shkuar në lokal me 20 veta të tjerë dhe e kishte ofenduar duke pretenduar më pas se kishte shkuar për pajtim.
“Do të bëhet shok me mua, ndërkohë që unë s’dua të bëhem shok me të. Nuk ta shpjegoj dot nivelin e fiksimit të atij me mua. Nuk e di a e njihni, por del në TikTok dhe shan të gjithë botën. Ai e ka kuptuar që merr vëmendje kur përmendet “Noizy” dhe nuk e ka ndalur asnjëherë këtë gjë. Është një i çmendur pas meje. Më erdhi në lokal një ditë përpara shpërthimit për t’u sqaruar demek, vjen me 20 vetë. Fjala e parë që thotë është: ‘Ku është ai legeni’. Futet brenda, dalim jashtë dhe pastaj ndodh një konflikt fizik te shkallët e lokalit”, – është shprehur Noizy.
Ai tregoi se përplasja fizike mes tyre kishte ndodhur vetëm një ditë para vendosjes së tritolit, ndërsa deklaroi se më pas i ishte djegur edhe një automjet.
“Erdhën me makina, me 5 të tilla. U largua me makinë pastaj, ishte pasagjer. Prezenca e tij në pronën time duke më ofenduar mua, sharjet, u bënë shkak për nxitjen e konfliktit. Erdhi brenda dhe më tha: ‘Do të q*roj o pederast’. Kur erdhi në pronën time, unë e godita i pari, konflikti ndodhi disa sekonda, – shtoi ai. – Pas kësaj ngjarjeje, ai më dogji edhe një automjet. Ai e ka gjyqin akoma hapur dhe nuk e di si ka dalë nga burgu. Iku në Dubai, pagoi disa çuna nga Vlora dhe më dogjën makinën. Nga ana ime nuk ka situatë konfliktuale, nga ana e tij po”.
Noizy tha se nuk ka pasur asnjëherë njohje apo marrëdhënie me Laert Haxhiun dhe se emrin e tij e kishte dëgjuar vetëm pasi ngjarja u bë publike.
Ka enë i penduari i drejtësisë, Artan Tafani, ai që ka treguar në SPAK historinë e shpërthimit me tritol në lokalin e reperit Rigels Rajku në qershor të vitit 2022.
Tafani është shprehur se e gjitha nisi nga një konflikt në platformën TikTok midis Noizy-t dhe reperit Kleviol Ahmetaj, i njohur si Cllevio, i cili është shok me Laert Haxhiun.
Grupi i Noizy-t, sipas Tafanit, ka goditur Cllevion, gjë që nuk i pëlqeu Haxhiut, ndaj ky i fundit kërkoi që t’i bënte diçka Rajkut.
Kështu, Tafani sugjeroi vendosjen e tritolit, mendim ky që u kundërshtua nga Luis Haxhiu, vëllai i Laert Haxhiut.
Por, një telefonatë nga e ëma e tij, ndryshoi qëndrimin e Laert Haxhiut, duke bërë që të jepte urdhrin për të vendosur tritolin në lokalin e Noizy-t.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje