Gazeta Si – Violand Braçellari, autori i vrasjes së policit Enea Mekolli dhe pagosjes së Edison Adrit, gjatë një operacioni për kapjen e tij në Maliq, është një person me precedentë të mëparshëm kriminal.
Sipas burimeve paraprake, ai fshihej në një stan në një zonë të thellë malore në Lozhan të Maliqit. Si një ish-ushtarak, ai kishte përgatitje fizike, e njihte terrenin dhe dyshohet se fshihte edhe arsenal armësh në stan, ku qëndronte gjithmonë i armatosur.
Në skedën e tij kriminale, 43-vjeçari cilësohej si një person i rrezikshëm, i njohur në zonën e Maliqit për ngjarje të ndryshme, ku dyshohet se ka qenë i përfshirë, ndërsa ka marrë edhe një dënim në mungesë për trafik narkotikësh.
Në vitin 2017, ai është dënuar në mungesë me 10 vite burg nga Gjykata e Shkallës së Parë të Korçës dhe u shpall fajtor për prodhim dhe trafik narkotikësh.
Ky vendim është lënë në fuqi edhe nga dy shkallët e tjera të gjyqësorit, Apeli si edhe Gjykata e Lartë me një vendim të marrë në janar 2024.
Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, Braçellari u vu në vëzhgim nga policia pas informacioneve se po merrej me trafik narkotikësh.
Më 29 shtator 2015, forcat e policisë organizuan një operacion në vendin e quajtur “Çezma e Senishtit” në Korçë, ku fillimisht konstatuan një automjet të dyshuar dhe më pas një tjetër mjet tip “Mercedes Benz”, ku udhëtonte edhe Violand (Roland) Braçellari së bashku me dy persona të tjerë.
Gjatë kontrollit në automjet u gjetën qese plastike të zeza dhe doreza kirurgjikale. Braçellari dhe dy të tjerë u shoqëruan në polici dhe gjatë këqyrjes që i është bërë celularit të tij, janë gjetur pamje fotografike dhe video me lëndë të dyshuar si narkotike, të mbjella, duke u transportuar, tharë.
Në komunikimet telefonike të administruara nga policia, Braçellari bisedonte me persona të identifikuar në telefon si “Sandri” dhe “Toni” për tharjen dhe transportimin e drogës.
Më pas, gjatë kontrollit në një banesë që përdorej prej tij në fshatin Lozhan i Sipërm, policia gjeti mbetje të bimës narkotike cannabis sativa.
Mbetet mister se si Braçellari u lriua nga qelia, kur ai ishte arrestuar dhe mori edhe një vendim me 10 vite burg nga Gjykata e Korçës.
Ndërkohë, në vitin 2024, Prokuroria e Korçës e mori të pandehur për veprën penale të “plagosjes së lehtë me dashje” ndaj Valdet Bezhanit.
Në janar 2026, Gjykata e Korçës urdhëroi njoftimin e tij për seancën gjyqësore, pasi ai nuk ishte gjetur në adresën e banimit në Lozhan të Maliqit.
Ai konsiderohej personazh me rrezikshmëri të lartë në Maliq për shkak të përfshirjes së tij në disa ngjarje kriminale dhe për shkak të formimit të tij si ish-ushtarak.
Në momentin e arrestimit, 43 vjeçari u gjet i plagosur si pasojë e përplasjes me armë me policët e “Shqiponjave”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje