Para

Garancia e dytë sovrane 15 miliardë lekë: Kush përfiton

Prej javës së ardhshme bizneset mund të shprehin interesin pranë të gjitha bankave të nivelit të dytë për garancinë e dytë sovrane.

Lajmin e ka dhënë Ministrja e Financave Anila Denaj në llogarinë e saj në Facebook, pasi qeveria ka miratuar në mbledhjen e radhës garancinë e dytë sovrane për biznesin në shumën e 15 mld lekëve.

Ministrja Denaj sqaron se Garancia Sovrane II, ofron mundësi financimi për të gjitha sipërmarrjet e ndikuara në aktivitet nga situata e pandemisë dhe me një historik pozitiv të marrëdhënies kreditore.

Për këtë lloj kredie, qeveria shqiptare garanton 60% të principalit të çdo huaje, që bankat do të lëvrojnë për biznesin, që ministrja thotë se është bazuar në eksperiencat më të mira ndërkombëtare.

“Ky instrument do të jetë për sipërmarrësit në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe synon të jetë burim për kreditimin e kompanive për kapital qarkullues dhe investime”- shkruan ministrja Denaj.

Garancia e dytë sovrane do të  ofrojë mundësi financimi me një afat shlyerjeje deri 5 vjet dhe hapësirën për të mos paguar principalin për një periudhë jo më pak se 6 muaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë