Gazeta Si – SPAK kërkon 14 vite burg për Samir Rosales Rodriguez, kimistin e grupit kriminal që trafikoi kokainë nga Amerika Latine në Shqipëri, të tretur në pleh organik artificial.
Rosales është arrestuar në Kolumbi dhe pritet ekstradimi i tij në Shqipëri, ku akuzohet për “trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “grup i strukturuar kriminal”, dhe “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Sipas hetimeve Rodrigez udhëtoi nga Kolumbia drejt Greqisë e më tej në Malin e Zi dhe në Shqipëri. Detyra e tij ishte të nxirrte kokainën e përzier në pleh organik, e cila llogaritet sipas SPAK të ishte afro 480 kilogramë.
Në bazë të hetimeve të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme në lidhje me këtë çështje, rezulton se të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë planifikuar, organizuar dhe importuar nga Kolumbia për në Shqipëri ngarkesë të madhe droge.
Kokaina ishte fshehur mes “plehut organik” artificial, e paketuar dhe ngarkuar në një kontenier, që është transportuar nga Kolumbia nëpërmjet Portit të Pireut në Greqi, në drejtim të Portit në Bar, në Malin e Zi.
Më pas në rrugë tokësore ngarkesa është futur në Shqipëri në datën 19.09.2022 dhe pasi është zhdoganuar në Tiranë, është transportuar në fshatin Frakull e Madhe, në Fier, ku është kryer sekuestrimi i lëndës narkotike nga policia gjyqësore.
Në atë kohë SPAK në bashkëpunim me agjensitë e huaja ligjzbatuese kanë pasur dijeni për ngarkesën e kokainës dhe kanë bërë dorëzimin e kontolluar të saj deri sa kanë ndërhyrë në banesën, ku u gjet lënda narkotike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje