Për më shumë se një dekadë, qendrat financiare offshore janë parë si simboli i errët i globalizimit financiar, vende ku miliarderët, korporatat dhe elitat politike fshehin pasuritë, shmangin taksat dhe lëvizin kapitalet larg syrit të autoriteteve fiskale. Pas krizës financiare globale të viteve 2007-2009, shumë qeveri perëndimore besuan se epoka e parajsave fiskale po merrte fund.
Në vitin 2010, Shtetet e Bashkuara miratuan ligjin FATCA (Foreign Account Tax Compliance Act), një nga goditjet më të forta të ndërmarra ndonjëherë kundër fshehjes së pasurisë offshore. Ligji detyroi bankat dhe institucionet financiare në mbarë botën të raportonin asetet e qytetarëve amerikanë, duke krijuar një sistem global monitorimi të kapitalit.
Një vit më vonë, ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy, në atë kohë edhe drejtues i G20-s, deklaroi se “parajsat fiskale do të përballen me izolim global”. Retorika ndërkombëtare kundër offshore-ve u ashpërsua edhe më shumë pas publikimit të “Panama Papers” në vitin 2016, një rrjedhje masive dokumentesh që ekspozoi mënyrën se si politikanë, biznesmenë dhe figura publike përdornin kompani offshore për të fshehur pasurinë dhe shmangur detyrimet fiskale.
Pas këtij skandali, shumë shtete të pasura detyruan juridiksionet offshore të krijonin regjistra të pronësisë përfituesve realë dhe të ndanin informacion me autoritetet e huaja tatimore. Organizata ndërkombëtare si Financial Action Task Force (FATF) vendosën mekanizma monitorimi dhe kërcënuan me sanksione qendrat që refuzonin bashkëpunimin.
Megjithatë, ndërsa shumë prisnin tkurrjen e industrisë offshore, ndodhi e kundërta. Sot, qendrat financiare offshore jo vetëm që vazhdojnë të ekzistojnë, por në disa raste po përjetojnë një periudhë të re lulëzimi.
Sipas një analize të “The Economist”, asetet offshore të kompanive janë rritur me ritme shumë më të shpejta se ekonomia globale. Midis viteve 2010 dhe 2024, asetet totale offshore të korporatave janë më shumë se dyfishuar në vlerë nominale, duke arritur në rreth 64 trilionë dollarë.
Në fund të vitit 2024, rreth 31% e stokut global të obligacioneve ndërkombëtare të korporatave ishte emetuar në juridiksione offshore, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë. Kjo shifër është dukshëm më e lartë krahasuar me vitin 2010, kur pas krizës financiare globale pjesa kishte rënë në 24%.
Ekspertët argumentojnë se arsyeja kryesore pse offshore-t mbijetuan nuk ishte sekreti bankar, siç mendohej tradicionalisht. Jason Sharman, profesor në Universitetin e Cambridge, thotë se “fshehtësia ishte më pak e rëndësishme nga sa besonin shumë njerëz”.
Në fakt, shumë qendra offshore janë bërë tërheqëse sepse ofrojnë rregullim më fleksibël, sisteme ligjore më të qëndrueshme dhe procese më të shpejta administrative sesa ekonomitë e mëdha perëndimore. Andrew Morriss nga Texas A&M University argumenton se për shkak të madhësisë së tyre të vogël, këto juridiksione mund të përshtaten më shpejt me ndryshimet e tregut dhe shpesh janë më efikase në mbikëqyrje.
Kjo ka bërë që offshore-t të kthehen në qendra kyçe për disa nga sektorët më të shpejtë në rritje të financës moderne, përfshirë fondet private të kreditimit, menaxhimin alternativ të aseteve dhe industrinë globale të risigurimeve.
Një nga shembujt më të rëndësishëm është Bermuda, e cila është shndërruar në një superfuqi të risigurimeve globale. Modeli i njohur në treg si “Bermuda Triangle” lidh tre sektorë të mëdhenj financiarë: kompanitë amerikane të sigurimeve të jetës, risiguruesit offshore dhe gjigantët e Wall Street që menaxhojnë asetet private.
Në vitet e fundit, kompanitë amerikane të sigurimeve të jetës kanë investuar masivisht në aktive jo-likuide, pasuri të paluajtshme dhe kapital sipërmarrës. Për të lehtësuar bilancet dhe për të krijuar hapësirë për shitjen e më shumë produkteve financiare, ato kanë transferuar një pjesë të madhe të detyrimeve dhe aseteve tek risiguruesit offshore në Bermuda.
Këta risigurues menaxhohen shpesh nga kompani të mëdha investimi si Apollo dhe KKR, të cilat gjithashtu operojnë përmes strukturave offshore. Bermuda është bërë veçanërisht tërheqëse sepse rregullatorët atje lejojnë përdorimin e kërkesave më fleksibël për kapital dhe pranimin e modeleve të brendshme të riskut për investimet private.
Autoritetet amerikane dhe europiane kanë pranuar këto standarde rregullatore, duke e konsideruar Bermudën një juridiksion të sofistikuar financiarisht. Kjo ka ndihmuar ishullin të grumbullojë rreth 1.5 trilionë dollarë asete risigurimi, afro 15% të kapitalit global të risigurimeve.
Edhe Ishujt Kajman po përjetojnë një shpërthim aktiviteti. Në vitin 2023, FATF i hoqi Kajmanët nga lista gri e juridiksioneve problematike për pastrimin e parave. Paralelisht, asetet e risigurimit atje janë katërfishuar që nga viti 2020 dhe tashmë kalojnë 100 miliardë dollarët.
Një rol kyç në këtë rritje ka luajtur një ligj i miratuar gjashtë vite më parë, që vendosi fondet private nën mbikëqyrjen e Autoritetit Monetar të Ishujve Kajman. Në vend që të largonte investitorët, mbikëqyrja më e madhe duket se ka rritur besimin. Numri i fondeve të regjistruara është rritur nga më pak se 13 mijë në vitin 2020 në afro 18 mijë aktualisht.
Përtej Perëndimit, një pjesë e madhe e rritjes së financave offshore po vjen nga ekonomitë në zhvillim. Në vende ku sundimi i ligjit është i dobët dhe të drejtat e pronësisë nuk konsiderohen të sigurta, offshore-t ofrojnë stabilitet juridik, mbrojtje të kapitalit dhe akses në infrastrukturë financiare ndërkombëtare.
Kjo prirje është veçanërisht e dukshme në Afrikë dhe Azi. Ricardo Soares de Oliveira nga Sciences Po në Francë argumenton se lidhjet offshore midis Afrikës dhe Azisë janë në rritje të vazhdueshme, edhe pse shifrat e sakta janë të vështira për t’u matur.
Një nga përfituesit më të mëdhenj të kësaj vale është Dubai. Emiratet e Bashkuara Arabe janë kthyer në një magnet për kapitalin afrikan dhe aziatik. Në disa raste, motivet janë të diskutueshme, si në rastin e trafikimit të arit nga Afrika, por shpesh bizneset dhe individët kërkojnë thjesht një juridiksion me rregulla të parashikueshme, infrastrukturë moderne financiare dhe akses në shërbime profesionale.
Sipas kompanisë Henley & Partners, Emiratet tërhoqën rreth 9,800 milionerë gjatë vitit 2025, më shumë se çdo juridiksion tjetër në botë. Megjithatë, tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe lufta me Iranin kanë dëmtuar disi imazhin e Dubait si strehë e sigurt financiare.
Qendrat offshore mbeten gjithashtu jetike për ekonominë kineze. Për dekada, kompanitë kineze kanë përdorur struktura të quajtura VIE (Variable Interest Entities), zakonisht të regjistruara në Ishujt Kajman, për të tërhequr kapital të huaj.
Këto struktura krijojnë një mekanizëm ku investitorët ndërkombëtarë nuk zotërojnë drejtpërdrejt kompaninë operative kineze, por kanë të drejta kontraktuale mbi fitimet e saj. Kështu funksionojnë kompani si Alibaba apo ByteDance, pronarja e TikTok.
Në praktikë, kur një investitor amerikan blen aksione në Alibaba në bursën amerikane, ai nuk zotëron drejtpërdrejt kompaninë kineze, por një strukturë offshore të regjistruar në Kajman.
Po ashtu, kompanitë dhe biznesmenët kinezë përdorin offshore-t për të anashkaluar kontrollet strikte të kapitalit dhe për të riinvestuar fitimet jashtë Kinës. Sipas statistikave zyrtare kineze, investimet kineze në Ishujt Kajman dhe Ishujt Virxhin Britanikë arritën në 192 miliardë dollarë deri në mesin e vitit 2025.
Megjithatë, sfidat për offshore-t po shtohen. Rregullatorët amerikanë janë gjithnjë e më të shqetësuar për rreziqet në tregjet private të kreditimit dhe sektorin e risigurimeve. Në prill, Britania propozoi kërkesa më të forta për kapitalin e risiguruesve offshore, ndërsa Japonia ka shtuar monitorimin e sektorit.
Edhe Kina po tenton të kufizojë përdorimin e strukturave VIE për të ruajtur kontrollin mbi teknologjitë strategjike. Disa kompani kineze kanë nisur të largohen nga Kajmanët dhe të listohen drejtpërdrejt në bursën e Hong Kongut.
Pavarësisht këtyre presioneve, historia ka treguar se qendrat offshore janë jashtëzakonisht të afta për t’u përshtatur. Në një botë gjithnjë e më të fragmentuar ekonomikisht dhe gjeopolitikisht, ato vazhdojnë të luajnë rol qendror në qarkullimin global të kapitalit.
Ironikisht, në një kohë kur globalizimi po vihet në pikëpyetje dhe ekonomitë po ndahen në blloqe rivale, produktet më tipike të globalizimit financiar, parajsat offshore, mund të dalin më të forta se kurrë./TheEconomist
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje