Mendim

A është gati Maqedonia për një president shqiptar?

Po të mos ishte për Gjeorgje Ivanov, presidentin anti-shqiptar të Maqedonisë, gjuha shqipe do të ishte zyrtarizuar me kohë në vendin fqinj. Megjithatë, mbështetja e marrëveshjes me Greqinë dhe zgjedhjet e ardhshme presidenciale duket se u kanë ofruar shqiptarëve një mundësi unike për të ndryshuar ekuilibrat e politikës në Shkup.

Ashtu siç bëri pesë vjet më parë në zgjedhjet e fundit presidenciale, partnerja shqiptare e koalicionit të qeverisë e Maqedonisë ka sinjalizuar se do të përpiqet të bindë kryeministrin Zoran Zaev për të zgjedhur një kandidat të përbashkët presidencial këtë pranverë.

Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI, thotë se kjo do të sigurohet që presidenti i ardhshëm të pranohet nga të gjitha grupet etnike, dhe veçanërisht nga shqiptarët që përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë së vendit fqinj. Por një sërë mediash në Maqedoni kanë filluar të aludojnë për zgjedhjen e një presidenti shqiptar, si mundësia e vetme për garantimin e të drejtave të përcaktuara nga Marrëveshja e Ohrit.

Shqiptarët përbëjnë rreth një të katërtën e 2.1 milion popullsisë së vendit dhe partitë e tyre kanë luajtur gjithmonë një rol të rëndësishëm duke vendosur se kush do ta fitojë garën presidenciale në Maqedoni. Edhe pse asnjë shqiptar nuk është zgjedhur kurrë president, ky vit mund të ndryshojë rregullat në politikën maqedonase. 

Imer Selmani

Ish-kandidati për president, Imer Selmani, i cili fitoi një numër të konsiderueshëm votash në Maqedoni në vitin 2009 mendon se është koha që një shqiptar të bëhet kreu i shtetit.

"Shqiptarët kanë votuar deri tani për të gjithë presidentët … është koha të mendojmë për një kandidat konsensual shqiptar i cili do të miratohet nga maqedonasit dhe nga të gjithë të tjerët", tha Selmani. Ideja e tij duket se ka fituar edhe mbështetjen e partive opozitare shqiptare, të cilat sipas burimeve të gazetës Si kanë nisur bisedimet me njëra-tjetrën për këtë çështje.

Por a është gati Maqedonia për një president shqiptar?

Ekspertët shprehen se pas arratisjes së ish-kryeministrit Nikolla Gruevksi dhe trazirave politike që solli referendumi për ndryshimin e emrit, Shkupi zyrtar ka nevojë për një president që do të kishte një shkallë të fortë të miratimit politik, një president me personalitet të fortë rreth të cilit do të arrinin të krijonin konsensus të gjitha partitë politike. Por a mund të jetë ai shqiptar, ashtu si kryetari i Parlamentit Maqedonas Talat Xhaferi?

BDI ka thënë se një kandidat konsensual nuk duhej të ishte shqiptar. Edhe pse kanë dalë spekulimet për kandidatë të mundshëm dhe burime të partisë thonë se kanë filluar bisedimet joformale mbi këtë çështje, BDI ka deklaruar se nuk do të propozojë një kandidat shqiptar. 

Ali Ahmeti 

Nga ana tjetër dy parti të vogla të opozitës shqiptare në Maqedoni, Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët janë duke këmbëngulur vazhdimisht që së bashku me ndryshimin e kushtetutës për zbatimin e marrëveshjes me Greqinë duhet të vinë edhe ndryshimet e tjera që do të përmirësonin statusin e shqiptarëve në vendin fqinj.

Ata kanë paralajmëruar kryeministrin Zoran Zaev se nuk do t’i ofrojnë mbështetje të mëtejshme për marrëveshjen e emrit, nëse nuk garanton zyrtarizimin e gjuhës shqipe anembanë vendit. Ky hap do të kërkonte minimalisht zgjedhjen e një presidenti që ndryshe nga Ivanov, nuk është anti-shqiptar.

"Ne mendojmë se ka ardhur koha që çështjet politike që kanë të bëjnë me shqiptarët të jenë pjesë e debatit dhe natyrisht të miratohen në mënyrë që t'i zgjidhim përfundimisht", deklaruan përfaqësues nga Lëvizja Besa, në fillim të nëntorit. Besa tashmë ka arritur një marrëveshje me Aleancën për shqiptarët për të kërkuar ndryshimet shtesë gjatë zbatimit të marrëveshjes me Greqinë.

Ndërkohë, Kreu i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela ka deklaruar se partia e tij dëshiron që në preambulën e kushtetutës të thuhet qartë se shqiptarët dhe maqedonasit janë popuj përbërës të vendit.

Së bashku këto dy parti të vogla të opozitës kanë katër deputetë në parlamentin me 120 vende, të cilat mund të jenë vendimtare gjatë raundeve të ardhshme të votimit mbi marrëveshjen e emrit.

Ziadin Sela

Çështja e përmirësimit të të drejtave të shqiptarëve ishte një temë e nxehtë gjatë vitit 2017, kur huliganët e udhëhequr nga VMRO DPMNE-ja sulmuan parlamentin, në përpjeke për të ndaluar zgjedhjen e Xhaferit si kryetarin e ri të parlamentit. 

Por partia më e madhe shqiptare në parlament duket se nuk ka ndërmend të rrezikonte procesin e "emrit" me kërkesa shtesë si zyrtarizimi i gjuhës shqipe. Partia e kryeministrit Zaev nuk e ka refuzuar idenë e BDI-së për një kandidat të përbashkët, por tha se do të diskutojë vetëm kur të vijë koha e duhur.

"Sapo BDI të dalë zyrtarisht me një propozim, ne do ta marrim në konsideratë dhe do të vendosim për të," tha për mediat zëdhënësi i socialdemokratëve, Kostadin Kostadinov. "Edhe pse zgjedhjet presidenciale janë në mars, nuk kemi nisur ende debatin e brendshëm, pasi jemi akoma të fokusuar në çështje të tjera të ngutshme, siç është zbatimi i reformave të kërkuara nga BE-ja dhe marrëveshja me Greqinë".

Udhëheqësi i BDI-së, Ali Ahmeti deklaroi kohët e fundit në një intervistë televizive se ish-ministri i jashtëm Denko Maleski mund të ishte "kandidati më i mirë".

Denko Maleski

"Ne nuk kemi diskutuar ende emra, por mendoj se Maleski është një profesor i respektueshëm që i plotëson të gjitha standardet … Ai është kandidati më i mirë deri më tani, por duhet të flasim për këtë me të gjitha partitë politike", tha Ahmeti më 28 nëntor.

Vetë Maleski mendon se ideja për një president konsensual është e mirë. Profesori i shkencave politike tha për mediat të enjten e kaluar se nuk ishte kontaktuar nga ndonjë parti politike, por se e vlerësonte idenë e BDI-së. “Në një shoqëri të ndarë si e jona, çdo ide që bashkon është një e mirë ", tha Maleski për gazetën Journal.

Eksperët shprehen nga ana tjetër se ideja e një “presidenti konsensual, meriton duartrokitje dhe do të ishte padyshim një ogur i mirë për shqiptarët në Maqedoni.

Por zgjedhja e një presidenti shqiptar nuk ka gjasa të pranohet nga VMRO DPMNE-ja, e cila ka pasur në shumicën e rasteve gjithnjë në dorë postin e kreut te shtetit dhe ka bllokuar me çdo mjet të mundshëm miratimin e gjuhës shqipe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë