Financa Personale

Sa e vrau kursin e këmbimit suficiti i ‘ëmbël’ për qeverinë?

Nga Gisela Troplini - Kryerja e investimeve publike në Shqipëri brenda afatit të parashikuar, do të ndikonte në stabilizimin e kursit të këmbimit.

Në 7 mujorin janar-korrik 2023, buxheti rezultoi me një suficit prej 45 miliardë lekësh, para ‘të munguara’ në treg, që sipas ekspertëve nëse do të investoheshin do të kishim një euro më të fortë kundrejt lekut.

Për ekspertin e financave Eduart Gjokutaj nga qendra Altax, investimet publike ndikojnë drejtpërdrejtë në ofertën monetarë dhe kjo sasi suficiti prej 45 mld lekësh do të ndikonte deri në 6% në tregun e këmbimit.

Eksperti dhe profesori i financave, Selami Xhepa thotë se surplusi buxhetor ka zhbalancuar kërkesë-ofertën e lekut dhe euros në paranë e brendshme. Sipas tij, nëse qeveria do të kishte kryer shpenzimet e planifikuara, ndoshta nuk do të ishte nevoja e blerjes së euros nga ana e Bankës së Shqipërisë.

LEXO EDHE:
- (Zhgj)ëndrra e suficitit buxhetor
- Suficiti i buxhetit, qeveria është në konflikt moral me qytetarët
- Të ardhurat e buxhetit u rritën gjatë 7-mujorit, suficiti rritet me 200%. Përsëri as gjysma e shpenzimeve s'janë realizuar

“Kjo ushtron dhe më shume presion mbi çmimin e lekut ndaj euros, në një moment kur vetë oferta e euros shtohet masivisht qoftë nga faktorët e ekonomisë formale; turizmi, investimet, remitancat dhe ato informale. Nesër kjo shumë do ishte investuar, nuk do kishte qenë e nevojshme shtimi i rezervës valutore, ose, se bashku me operacionet e tregut valutor të BSH, leku nuk do ishte kaq shumë i mbivlerësuar ne treg”, shpjegon Xhepa.

Formula që ndiqet për kursin e këmbimit dhe operacionet e hedhjes së parave në treg është komplekse, por ekspertë nga ministria e Financave shpjegojnë për Gazetasi.al në anonimitet se ‘kursi i këmbimit ndjen lëvizjet e 2-3 mln eurove që futen apo dalin nga tregu dhe ndryshon’.

Në një monitorim të Gazetasi.al mbi periudhat e injektimit të lekëve në treg nga BSH dhe kursit të këmbimit në të njëjtën kohë, ka një dinamikë.

Të dhënat e fundit për futjen e një sasie lekësh në treg i përket tremujorit të parë 2023, ku BSH tregon se ka injektuar pothuajse 35 mld lekë. Në të njëjtën periudhë 1 janar-30 mars, euro ka fituar më shumë se 2 pikë, 113.2 në 115.09 lekë. (Publikimi i tremujorit të dytë pritet gjatë javës). Pra, kur oferta e lekut u shtua duke dobësuar kështu monedhën kombëtare, ajo europiane u forcua.

Kështu, kryerja e shpenzimeve publike nga qeveria në kohën e duhur, përveç se të mira publike, do të siguronte stabilitet të kursit dhe do të mbronte grupet e dëmtuara nga rënia e euros, të paktën për një periudhë të caktuar.

Bizneset shqiptare të eksportit kanë deklaruar një humbje prej 35 mln eurosh nga zhvlerësimi i monedhës. Më herët gjatë vitit ata iu drejtuan qeverisë dhe BSH-së për ndërhyrje, pasi ishin në prag të falimentimit. 

Në deklaratën e ndërhyrjes, BSH tregon se edhe sasia e nevojshme për injektim ndryshon nga një tremujor në tjetrin, lidhur po me shpenzimet e qeverisë.

“Tendenca në fund të tremujorit ka qenë për rritje të saj (të injektimit të lekëve) kryesisht për shkak të akumulimit të lartë të likuiditetit në llogarinë e qeverisë. Mungesa e likuiditetit, e shprehur sipas operacioneve injektuese të Bankës së Shqipërisë, ka qenë mjaft e lartë në 51 miliardë lekë në ditët e para të vitit, por me rritjen e shpenzimeve të Ministrisë së Financave, ka rënë në mes të muajit janar në rreth 28 miliardë lekë” thekson Banka.

Deri në korrik, qeveria nuk kishte realizuar as gjysmën e shpenzimeve kapitale. Ky fenomen, i zakonshëm tashmë, është kritikuar nga vetë Banka e Shqipërisë, nga anëtarë të kabinetit qeveritar dhe ekspertë të fushës.

Në fund të vitit të shkuar, kur suficiti i buxhetit të shtetit rezultoi 10 mld lekë për shkak të shpenzimeve të pa kryera gjatë vitit, Guvernatori Sejko u tha përfaqësuesve të ministrisë së Financave se “kjo praktikë e vjetër e qeverisë (që përqendron investimet kapitale në fund të vitit), duhet zhdukur pasi krijon luhatje të panevojshme në tregun e brendshëm financiar dhe redukton efektivitetin e shpenzimeve publike.

Për eksperten, Irena Beqiraj, çdo shpenzim i kryer në nxitim, është harxhim i keq dhe se kjo është ‘ëndërr e një nate vere’ që na serviret ne!


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë