Financa Personale

Më shumë se gjysma e familjeve shqiptare pa ‘rezerva’ për ditë të vështira

Nga Gazeta ‘Si’- Rreth 59% e familjeve shqiptare klasifikohen si financiarisht të brishta, pasi nuk disponojnë likuiditetin dhe rezervat e mjaftueshme financiare për të përballuar goditje të papritura ekonomike apo shpenzime emergjente. Ky është alarmi që ngrihet në studimin e fundit të Bankës së Shqipërisë,  mbështetuar në një anketë të vitit 2019.

Studimi analizon qëndrueshmërinë e buxheteve familjare në Shqipëri, duke marrë si referencë aftësinë e tyre për të menaxhuar emergjencat (si problemet shëndetësore apo humbjen e përkohshme të punës). Sipas dokumentit, një familje mund të ketë të ardhura të mjaftueshme për të mbuluar jetesën e përditshme (ushqim, fatura, qira), por nëse nuk ka para mënjanë për të mbuluar një shpenzim të papritur, ajo konsiderohet “e brishtë”. Kjo faturë emergjence është përllogaritur mesatarisht rreth 59.862 lekë (sa të ardhurat mesatare mujore të një familjeje).

Raporti i ndan familjet shqiptare në katër kategori kryesore sipas stabilitetit të tyre. ato të brishta, ku përfshihen rreth 59% e familjeve, pra të ardhura të qëndrueshme por mungesë kursimesh për emergjenca. Çdo luhatje e vogël i nxjerr menjëherë “jashtë loje”.

Familjet e pakushtëzuara, 30.6%, janë shtresa më e sigurt. Ata mbulojnë shpenzimet bazë dhe kanë rezerva të mjaftueshme në bankë për ditë të vështira. Të kushtëzuarat 10% janë familjet në krizë të plotë, të cilat nuk kanë as të ardhura të mjaftueshme dhe as asnjë lloj likuiditeti për të mbyllur muajin apo për të përballuar të papriturat.

Mbi-konsumuesit, familjet që shpenzojnë më shumë se sa fitojnë janë 0.7%.

Studimi gjen se remitancat nga emigrantët ulin brishtësinë financiare të familjeve, pasi shërbejnë si burim shtesë të ardhurash dhe i ndihmojnë ato të përballojnë goditjet ekonomike, sidomos kur aksesi në kredi është i kufizuar. Po ashtu, përfshirja në sistemin bankar formal lidhet me stabilitet më të lartë financiar, sepse rrit aftësinë për të menaxhuar rreziqet. Në të kundërt, mungesa e shërbimeve financiare dhe varësia nga burime joformale e rrit ekspozimin ndaj pasigurive ekonomike.

Në përgjithësi, brishtësia financiare në Shqipëri, thekson studimi, ndikohet nga arsimimi, përfshirja financiare dhe remitancat, ndaj politikat duhet të fokusohen në edukimin financiar, zgjerimin e aksesit në banka dhe kanalizimin e remitancave përmes rrugëve formale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë