Ekonomi

425 mld lekë në arkën e shtetit në 8 muaj, ndikuar nga taksat e pagave dhe bizneseve. Suficiti rritje 233%

Nga Gazeta ‘SI’ - Tetë mujori janar-gusht 2023 i solli arkës së shtetit 425 mld lekë duke kaluar planin për periudhën dhe shifrën e një viti më parë, ndonëse shumë prej zërave kryesorë janë në rënie.

Shpenzimet nga ana tjetër u kryen në një masë më të vogël se plani, rreth 377 mld lekë dhe qeveria rezultoi përsëri me suficit gjatë 8 mujorit, pothuajse 48 mld lekë, nga vetëm 8 mld të planifikuara.

Të ardhurat doganore

Doganat mblodhën 141 mld lekë gjatë kësaj periudhe, 1.7% më pak se një vit më parë dhe 6.6% më pak se plani.

Të ardhurat nga TVSH e importit, ndonëse vazhdojnë të jenë më të lartat, por humbasin peshën e tyre. Ato rezultojnë 95.3 mld lekë, 5.2% më pak se viti i shkuar dhe 8.5% më pak se plani.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 38.2 miliardë lekë 9.9% më shumë se e njëjta periudhë e dhe 0.9% më pak se plani.

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 2 mld lekë, 33.5% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 5.9 miliardë lekë, 7.3% më shumë se 8 mujori 2022, si dhe realizim në masën 106.6% kundrejt planit.

Të ardhurat tatimore

Të ardhurat e mbledhura nga tatimet për 8 mujorin 2023 rezultuan 226.6 mld lekë, 18.4% më shumë se viti i shkuar dhe 11% më shumë se plani.

Tatimet dëshmojnë një rritje të fortë të të ardhurave nga kontributet shoqërore dhe shëndetësore, që në fund të gushtit 2023 kapën vlerën e 91.1 miliardë lekë, 17.6% më shumë se 8 mujori 2022, si dhe realizim 111.1 % të planit për 8 mujorin 2023.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar ishin 30.9 mld lekë, me rritje 24% nga 8 mujori 2022 dhe 13% më shumë se plani.

Tatim fitimi arkëtoi 40.9 mld lekë, 36% më shumë se një vit më parë dhe 30% më shumë se plani. Tatimi mbi të ardhurat personale, 39.3 mld lekë, rreth 30% më shumë se 8 mujori 2022 dhe 17.6% më shumë se plani.

Të ardhurat nga taksat nacionale kanë rezultuar në rënie, 14% më pak se një vit më parë, 24 mld lekë.

Rimbursimet për periudhën 8 mujore 2023 janë 12.3 miliardë lekë, 6.6% më shumë se janar-gusht 2022, 5% më shumë se plani.

Shpenzimet dhe suficiti

Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën tetë mujore të vitit 2023, arritën 377.4 miliardë lekë, kryesisht për shpenzime korrente dhe shumë më pak për kapitale. Sipas vlerës, 335 mld lekë kanë shkuar për zërin e harxhimeve korrente dhe 41 mld lekë për harxhime kapitale.

Suficiti ka rezultuar 233% më i lartë se një vit më parë, 47.8 mld lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë