Drejtësia

Raporti i prokurorisë për 2025-ën, vlera e aseteve të krimit është rreth 4 miliardë lekë

Gazeta Si – Në raportin vjetor të prezantuar këtë të hënë në Komisionin e Ligjeve nga Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, vërehet një rritje e lehtë e kriminalitetit gjatë vitit 2025, por edhe një rritje e ndjeshme e efikasitetit në ndjekjen penale dhe përfaqësimin e çështjeve në gjykatë.

Sipas raportit, janë sekuestruar dhe konfiskuar asete kriminale me vlera të konsiderueshme, ku shuma totale e tyre arrin në rreth 4 miliardë e 57 milionë lekë, ndërsa sendet e konfiskuara kapin vlerën rreth 305 milionë lekë.

Nëse konvertohen në euro, këto shifra përllogariten në rreth 43 milionë euro asete të sekuestruara dhe rreth 3.2 milionë euro pasuri të konfiskuara.

“Në 2025 janë dënuar 10903 të pandehur, që krahasuar me 2024, përbën një rritje prej 9% të numrit të pandehurve të dënuar. Pasuritë e sekuestruara kanë qenë relativisht në shuma të mëdha , ku vlera totale e aseteve të sekuestruara është diku tek 4 miliardë dhe 57 milionë lekë dhe ajo e sendeve të konfiskuara rreth 305 milionë lekë. Nëse do t’i përllogarisim në euro janë 43 milionë euro aseste të sekuestruar dhe diku te 3.2 milionë të konfiskuara.”, tha ai.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2025 janë trajtuar mbi 66 mijë materiale dhe janë regjistruar mbi 27 mijë procedime të reja penale, me një rritje krahasuar me një vit më parë.

Të dhënat tregojnë se 76% e procedimeve i përkasin krimeve, ndërsa 24% kundërvajtjeve, ku peshën më të madhe e zënë veprat kundër rendit dhe sigurisë publike dhe vjedhja e pasurisë.

Raporti thekson se mbi 42% e çështjeve janë dërguar për gjykim, ndërsa pjesa tjetër janë pushuar ose pezulluar. Gjykatat kanë dënuar mbi 10 mijë persona, me një rritje prej rreth 9% krahasuar me vitin e kaluar.

Çela theksoi se edhe rastet e procedimit penal për dhunë në familje kanë ardhur në rritje, krahasur me vitin 2024.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë