Taksa

(Zhgj)ëndrra e suficitit buxhetor

Nga Gisela Troplini - Të ardhurat nga taksat, aq të larta sa të sjellin suficit në buxhetin e shtetit, në kohë krizash, është lajm i mirë për t’u dëgjuar, por jo për të ndodhur. Zyrtarisht edhe në fund të tetorit buxheti akumuloi tepri fondesh deri në 10 mld lekë. Sipas ministres së Financave, Delina Ibrahimaj, ky është një efekt zinxhir; çmimet e larta rritën të ardhurat nga TVSH përtej parashikimeve, shpenzimet kapitale u reduktuan për shkak të situatës financiare, por edhe nga problemet në prokurime, që kanë vonuar nisjen e tyre edhe në një moment të dytë.

Për eksperten e ekonomisë, Irena Beqiraj, kjo dukuri, të cilën e quan “ëndërr e një nate vere”, është tregues se në Shqipëri ka dy probleme, mungesa e kapaciteteve dhe mungesa e studimeve për projekte.

Beqiraj thotë për Gazetasi.al se debati mbi shifrat e të dhënat për shpenzime, investime, rritje borxhi etj është i padobishëm, sepse problemi qëndron tek kapacitetet, dhe vitet e fundit, qeveria ka mbledhur më shumë taksa se sa ka bërë investime.

“Nuk do të thotë se kemi buxhet më të madh dhe do të zgjidhen problemet. Friedman thoshte se nuk ka probleme në New York City që nuk do të zgjidheshin nëse buxheti i qytetit të Nju Jorkut, do te ishte sa dyfishi i atij që është tani. Në 2015, 40 vjet më vonë buxheti i qytetit të Nju Jorkut ishte  trefishuar,  por problemet po ashtu janë trefish më keq.”

Ekspertja shton se problem janë edhe projektet që parashikohen, edhe pse gjatë vitit mund të ndryshojnë përsëri, pasi për to mungojnë studimet e të dhënat dhe prioritizohen projektet e gabuara.

“Problem i qeverisë është mungesa e studimeve të fizibilitetit për projektet e të dhënave, dhe ky është problem infrastrukture e jo e vetëm i një ministri. Kemi vetëm një listë dëshirash me projekte që ndryshon. Qeveritë tona shpenzojnë keq, për shkak edhe të hallakatjes, në një listë "të gjatë" të  projekteve prioritare edhe strategjike . Në 2017 në listën e projekteve strategjike kombëtare , ishin rreth 127 projekte. Asnjë nga këto projekte nuk ishte gati për implementim, madje nuk kishim as studimet e fizibilitetit gati. Askush nuk ishte në gjendje të argumentonte kush ishte projekti i parë prioritar, edhe pse ai ishte i pari”, -shpjegon Beqiraj për Gazetasi.al.

Suficiti  i krijuar i rezervoi qeverisë edhe një kritikë nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko megjithëse me një spektër të ngushtë pasojash. Ai u tha  përfaqësuesve të  Ministrisë së Financave në komisioni i Ekonomisë, duke se “kjo praktikë e vjetër e qeverisë (që përqëndron investimet kapitale në fund të vitit), duhet zhdukur pasi krijon luhatje të panevojshme në tregun e brendshëm financiar dhe redukton efektivitetin e shpenzimeve publike.

Duke iu referuar po fjalës së Guvernatorit Sejko, eksperti i ekonomisë, Enton Duro, thotë për Gazetasi.al se zgjidhja për këtë “traditë” që ka vazhduar edhe këtë vit duhet të jetë afatgjatë dhe jo rastësore. Ai shton se e njëjta metodë duhet përdorur edhe për përcaktimin e shpenzimeve.

“Mos thellimi i deficitit dhe borxhit publik është një nga aspektet pozitive në qëndrueshmërinë makrofiskale. Ky pozicion parashikohet edhe për vitin 2023. Megjithatë, përtej pozitivizmit në këtë aspekt, duhen gjykuar më mirë dhe me prioritet efektiviteti i shpenzimeve publike në ekonomi si dhe eficienca e përdorimit  të fondeve buxhetore në projekte të caktuara në mënyrë që kalimi i krizës të jetë më pak i dëmshëm për ekonominë shqiptare”, shpjegon eksperti Duro.

Ai shton se suficiti ka ardhur si rezultat i dy faktorëve, rritjes së çmimeve për shkak të inflacionit dhe mosrealizim të disa projekteve për shkak të kostove të rritura, por sipas ekspertit mund të jetë dhe një i tretë, që lidhet me fiskalizimin, ndonëse MFE nuk ka ende një raport për efektin e këtij procesi.

Për problemin e përqendrimit të shpenzimeve në muajt e fundit të vitit, ekspertja e ekonomisë, Irena Beqiraj, thotë se duhet ndryshuar plotësisht qasja, në mënyrë që “gjërat të vendosen në vijë” dhe se çdo gjë e investuar në nxitim e sipër është harxhim i keq.

Beqiraj thotë se të dhënat e të ardhurave dhe suficiti janë ëndrra dhe opinione që u serviren. publikut. “Ne na japin ato që duam të dëgjojmë. Opinione, jo fakte. Incentiva individuale për fushatë. Na jep ëndrra të bukura dhe kush mund t’i gjykojë ato”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë