Drejtësia

U ekstradua nga Spanja për trafik kokaine, GJKKO lë në burg djalin e Erzen Breçanit

Gazeta Si – GJKKO ka lënë në burg Eralbi Breçanin, djalin i ish-zv/drejtorit të Policisë Tiranë, Erzen Breçani, i akuzuar për trafik kokaine nga Amerika Latine në Europë.

Në dosjen voluminoze të SPAK për grupin kriminal, dalin përgjimet nga aplikacioni ‘Sky ECC’, të cilat ‘fundosën’ 11 persona, mes tyre edhe Eralbi Breçanin.

Në dosjen e SPAK, thuhet se Eralbi Breçani ka nisur aktivitetin e trafikimit dhe dyshohet në të paktën dy raste që e ka kryer atë në bashkëpunim me persona të tjerë.

Edhe në lidhje me grupet e chat-it, ku merr pjesë i pandehuri tjetër, Ervin Mata, kunati i tij, ka dyshime që pjesëmarrësit ndodhen për qëllim kryerjen e veprave penale.

Këto dyshime thotë SPAK, mbështeten edhe në komunikimet e Ervin Matës, ku tregon që i ka rënë një sasi prej 240 kg në Frankfurt, ku “rënë” i referohet sekuestrimit nga autoritetet gjermane.

Breçani u vetëdorëzua në prill të këtij viti në Spanjë, më shumë se 2 vite e gjysmë pas shpalljes së tij në kërkim si pjesë e grupit kriminal të Ervin Matës, i cili trafikoi tonelata me kokainë nga Amerika Latine drejt Europës.

Nga hetimet rezulton se Eralbi Breçani, në bashkëpunim me Ergys Dashin, i vrarë në Guayaquil në vitin 2022, por edhe me persona të tjerë, kanë bashkëpunuar për trafikimin e 446 kilogramëve kokainë nga Amerika e Jugut drejt Holandës. Kjo sasi kokaine u kap nga autoritetet holandeze në janar të vitit 2021.

Po ashtu, nga hetimet del se Breçani, bashkë me grupin e tij, është përgjegjës për një ngarkesë prej afro 70 kilogramësh kokainë, gjithashtu të sekuestruar nga autoritetet në vitin 2021, e cila ishte nisur nga Brazili dhe kishte si destinacion final Europën.

Sipas SPAK, Eralbi Breçani ishte porositës dhe financues, së bashku me Ismail Zenelin, Artan Sulejmanin, Besmir Murtatin dhe Ergys Dashin, i cili siguronte furnizimin me kokainë në vendet e origjinës, si dhe ngarkimin e saj në porte me destinacion portet europiane.

SPAK, më 20 nëntor 2023, lëshoi 11 urdhër-arreste në kuadër të operacionit për goditjen e grupit të strukturuar kriminal.

Në kuadër të këtij operacioni u ndalua edhe Erzen Breçani, ish-zv/drejtor i Policisë së Tiranës, i cili më pas u lirua dhe çështja ndaj tij u veçua. Po ashtu, u arrestuan Dedan Gjoni, ish-shef i Krimeve në Komisariatin nr. 6, Bujar Ajezi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë