Nga Gazeta ‘Si’- Një studim i Bankës së Shqipërisë tregon një përfshirje të ulët financiare, të familjeve shqiptare. Vetëm 3.9% e familjeve kanë kredi hipotekare formale, ndërsa 5.8% kanë kredi konsumatore. Në kontrast, 14% e familjeve mbështeten në borxhe informale, një praktikë që zakonisht lidhet me mungesën e aksesit në financa të strukturuara.
Lidhur me këtë, BSH analizon edhe profilin arsimor të kryefamiljarëve ku 51.5% kanë arsim fillor, 35.9% arsim të mesëm, ndërsa vetëm 12.5% kanë arsim të lartë. Sipas analizës, rezultatet tregojnë një lidhje negative dhe statistikisht domethënëse midis nivelit të arsimit dhe brishtësisë financiare: sa më i lartë niveli arsimor, aq më të ulëta janë gjasat që familja të jetë financiarisht e brishtë.
“…arsimi rrit aftësitë e menaxhimit financiar, përmirëson vendimmarrjen ekonomike dhe rrit aftësinë për të përballuar goditje të paparashikuara. Për më tepër, arsimi lidhet me akses më të mirë në tregun e punës dhe stabilitet më të lartë të të ardhurave, duke kontribuuar në qëndrueshmëri më të madhe financiare”, thuhet në dokument.

Një element domethënës është edhe struktura e pasurisë. Pavarësisht se 93% e familjeve zotërojnë banesën e tyre kryesore, kjo pasuri mbetet kryesisht jolikuide, duke kufizuar aftësinë e familjeve për të reaguar shpejt në situata krize. Vetëm 36% zotërojnë pasuri të tjera të paluajtshme, ndërsa pasuria mesatare e familjeve vlerësohet në rreth 6.2 milionë lekë, me variacion të lartë.
Nga ana tjetër, tabela tregon edhe rolin e rrjeteve të jashtme të të ardhurave: 23% e familjeve marrin remitanca, duke konfirmuar rëndësinë e emigracionit si një burim stabilizues për buxhetet familjare.
Në përmbledhje, të dhënat sugjerojnë se brishtësia financiare e familjeve shqiptare nuk lidhet vetëm me të ardhurat, por me një kombinim faktorësh strukturorë: nivel të ulët arsimor, përfshirje të kufizuar në sistemin financiar formal dhe varësi nga forma joformale ose jo të qëndrueshme të mbështetjes ekonomike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje