Gazeta Si- Gazetasi.al ka siguruar videon, ku dallohet personi i cili mbrëmjen e së hënës vendosi një sasi lënde shpërthyese në portën e shtëpisë së kreut të FSHF Armand Duka, në Durrës.
Pamjet tregojnë autorin e maskuar i cili vjen nga ana tjetër e rrugës përballë banesës së Dukës. Nuk nxiton dhe teksa kalon rrugën ndez fitilin. E vendos atë në një cep të portës e më pas largohet me shpejtësi. Pak çaste më vonë lënda plasëse shpërthen, për fat të mirë pa lënduar njeri.
Në momentin që djali ndez fitilin dhe e hedh tek dera largohet me vrap nga lagjja nr 4 ku ndodhet banesa drejt bulevardit në Durrës.
Shtëpia e kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, vijon të jetë e rrethuar nga shiritat e policisë pas shpërthimit të tritolit mbrëmjen e të hënës. Dera e hyrjes kryesore prej hekuri është dëmtuar dhe dëmet materiale janë të vogla.
Gjatë mbrëmjes së djeshme dhe përgjatë mëngjesit të sotëm, janë shoqëruar disa persona për t’u marrë në pyetje, por më pas janë lënë të lirë.
Kamerat kanë fiksuar një person me kapuç dhe maskë që është afruar pranë murit rrethues në këmbë, ka hedhur lëndën plasëse dhe është larguar me vrap.
Mbi bazën e tyre, ekspertët e policisë do të tentojnë të krijojnë një identikit të autorit, që siç zbuloi vetë Duka, mbante në kokë një kapuç.
Fatmirësisht nga kjo ngjarje nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme materiale. Brenda banesës, në momentin e shpërthimit mësohet se ka qenë bashkëshortja e Dukës së bashku me djalin.
Duke folur për mediat, kreu i FSHF bëri të ditur pas ngjarjes se nga këqyrja e kamerave të sigurisë është vërtetuar se lënda plasëse është vendosur nga një person me kapuç.
Duka tha se autorët duhet t’i zbulojë policia, duke mos pranuar të vendosë gishtin e përgjegjësisë. Megjithatë, për mediat ai zbuloi një sms kërcënuese që kishte ardhur në celularin e tij.
“Ti luan me dy standarde. Ti tallesh me lekët tona, për 24 orë jep dorëheqjen ose 60 plumba i ke në kokë se betimi u bë i pakthyeshëm.
Armando Duka u përfshi në debate të forta në distancë më kreun e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Ky i fundit kërkoi hetim ndërkombëtar për Dukën, me pretendimin se ka vjedhur duke shpërdoruar detyrën.
Nga ana tjetër në media doli një përgjim, ku Veliaj përbetohej se do të lëvizte çdo gurë, në mënyrë që Duka të mos zgjidhej për një mandat tjetër në krye të FSHF-së.
Pas referimit të policisë nga Bashkia e Tiranës, Prokuroria e kryeqytetit nisi hetimet ndaj Dukës, për akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.