Ka ndodhur

Tritoli në shtëpinë e kreut të FSHF-së, lirohet Arlen Hasanaj

Gazeta Si - Arlen Hasanaj, 36-vjeçari që u arrestua për vendosjen e lëndës plasëse te shtëpia e presidentit të FSHF-së Armand Duka, është liruar nga burgu.

Gjykata e Durrësit ka ndryshuar masën e sigurisë nga arrest në burg në detyrim paraqitje në seancën që u zhvillua me dyer të mbyllura. Provat e grumbulluara nga pala mbrojtëse u pranuan nga gjykata, e cila ndryshoi masën e sigurisë.

“Kërkuam ndryshim masë sigurie për mungesë të provave që implikojnë Hasanajn", tha avokati i të riut, Ilia Ilia.

Ngjarja ndodhi pak pas orës 22:00 të 25 janarit. Gjithçka ndodhi brenda pak sekondash, ku autori ndezi fitilin e lëndës plasëse dhe më pas u largua me vrap. Vetëm pak çaste pas shpërthimit në zonë shfaqet policia.

Në orën 22:03 para portës së Armando Dukës, shfaqet një person i maskuar dhe me doreza. Ai ndez me çakmak fitilin e lëndës plasëse dhe më pas e hedh tek porta e hekurit. Pasi hedh lëndën plasëse i riu largohet me vrap, ndërsa brenda pak sekondash ndodh shpërthimi.

Një patrullë policie mbërrin menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa në zonë shfaqen edhe banorë të lagjes.

Nga shpërthimi i lëndës plasëse nuk pati dëmtime të mëdha, ndërsa kreu i FSHF Armand Duka dyshon se këto ngjarje kanë të bëjnë me zhvillimet e fundit për sa u përket zgjedhjeve në Federatën Shqiptare të Futbollit, pasi ka treguar edhe një mesazh kërcënues të ardhur në celularin e tij, ku e kërcënojnë të japë dorëheqjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë