Rend dhe Ligj

Video/ Shpërthim tritoli në shtëpinë e Armand Dukës në Durrës, kreu i FSHF-së: Uroj të jetë rastësi

Një sasi tritoli ka shpërthyer në shtëpinë e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ku për fat të mirë ka vetëm dëme të vogla materiale, pasi lënda plasëse ishte vendosur në derën e jashtme të banesës.

Si pasojë e shpërthimit, mësohet se nuk ka persona të lënduar. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimin për identifikimin e aurorit/ëve.

Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit nuk ka qenë në shtëpi në momentin e shpërthimit. Ai ka mbërritur atje 10 minuta më pas, teksa po kthehej nga kryeqyteti, ku ka ndjekur ndeshjen e kampionatit Dinamo-Tirana në “Air Albania”.

"E ka dëgjuar gjithë Durrësi që më kanë vënë dinamit te dera e shtëpisë. Në shtëpi kanë qenë familja, gruaja, djali. Fatmirësisht nuk kanë mbetur të lënduar, uroj të jetë një rastësi",- tha Armand Duka për mediat.

Ai shtoi se shpërthimi ka qenë shumë i fortë dhe se porta ka dalë jashtë përdorimit. "Kemi pamjet e kamerave të sigurisë që tregojnë një njeri me kapuç që afrohet te porta dhe vë dinamitin te mekanizmi ku hapet dhe mbyllet porta", tha Duka.

I pyetur nëse kjo ngjarje ka lidhje me audiopërgjimin dhe konfliktin me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, kreu i FSHF-së, theksoi: "Shikoni se sa policë ka këtu dhe këta janë të aftë që t’i kapin këta persona. Nuk ka lidhje me filmat e Veliajt, ai është me skenar. Nuk kam dyshime se kush e ka bërë"

Kreu i FSHF-së Armando Duka u përfshi në debate të forta në distancë më kreun e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Ky i fundit kërkoi hetim ndërkombëtar për Dukën, me pretendimin se ka vjedhur duke shpërdoruar detyrën.

Nga ana tjetër në media doli një përgjim, ku Veliaj përbetohej se do të lëvizte çdo gurë, në mënyrë që Duka të mos zgjidhej për një mandat tjetër në krye të FSHF-së.

Zgjedhjet për kreun e FSHF-së do të mbahen në 2 Mars, dhe përballë Dukës, që kërkon mandatin e tij të gjashtë në krye të qeverisë së futbollit, do të jetë gazetari Dritan Shakohoxha. Ky i fundit duket të ketë marrë dhe bekimin e qeverisë për garën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë