Ka ndodhur

Burg për Hasanajn, akuzohet se vendosi tritolin në shtëpinë e Dukës. Avokati: Po e përdorin për luftë politike

Lihet në burg Arlen Hasanajn, 34-vjeçari i cili akuzohet se vendosi tritolin pak ditë më parë në shtëpinë e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka.

Gjykata e Durrësit nuk e ndryshoi masën e sigurisë, pavarësisht pretendimeve të avokatit të Hasanajt, sipas të cilit klienti i tij kishte qenë në një qendër tregtare në Tiranë vetëm 20 minuta para shpërthimit në shtëpinë e Dukës.

Avokati i të pandehurit, Ilia Ilia, këmbëngul se tritol-vënësi në shtëpinë e Dukës, nuk është klienti i tij.

Ai thekson se Prokuroria nuk ka asnjë provë rrethanore, duke u shprehur se Hasanaj po përdoret për luftën politike që është krijuar në konfliktin për garën e zgjedhjeve për president në FSHF.

Hasanaj u arrestua 3 ditë më parë, ndërsa ka mohuar para hetuesve që të jetë ai personi që ka vendosur eksplozivin. Ditën e shpërthimit në shtëpinë e Dukës në lagjen nr.4 në Durrës, i riu është filmuar në një qendër tregtare në autostradën Durrës-Tiranë në orën 21:40 dhe në kohën që ka ndodhur shpërthimi në 22:03 në shtëpinë e Dukës, ai pretendon se po parkonte mjetin e tij në rrugicën përballë shtëpisë.

Ngjarja ndodhi në 24 janar pak pas orës 22:00 të mbëmjes brenda pak sekondash, ku i riu ndezi fitilin e lëndës plasëse dhe më pas u largua me vrap. Vetëm pak çaste pas shpërthimit në zonë shfaqet policia.

Ashtu siç shihet në pamje, në orën 22:03 para portës së shtëpisë së Armando Dukës, shfaqet një person i maskuar dhe me doreza.

Ai ndez me çakmak fitilin e lëndës plasëse dhe më pas e hedh tek porta e hekurit. Pasi hedh lëndën plasëse i riu largohet me vrap, ndërsa brenda pak sekondash ndodh shpërthimi.

Nga shpërthimi pati dëme të vogla materiale, ndërsa kreu i FSHF-sës, Armando Duka dyshon se ngjarja ka të bëjë me zhvillimet e fundit për sa u përket zgjedhjeve në Federatën Shqiptare të Futbollit, ku në konflikt është përfshirë edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj.

Avokati i të pandehurit, Ilia Ilia, e konsideroi jo ligjore këtë masë sigurie, duke thënë se bazuar në pamjet e kamerave të sigurisë, ka mospërputhje në oraret dhe vendndodhjen e Arlen Hasanajt dhe personit që vendosi tritolin. Avokati thotë se klienti i tij është i pafajshëm dhe po mbahet në burg pa të drejtë.

Veç pamjeve filmike që ka vënë në dispozicion, ai thotë se i mbrojturi prej tij ka dallim edhe nga pamja vizive dhe veshje. “I mbrojturi prej meje ka xhup dhe atlete të ndryshe nga autori real”.

Në seancën e mbajtur me dyer të mbyllura, avokati pohoi për mediat, se kishte kërkuar dhe një ekspertim krahasues, por kjo provë është refuzuar.

“Të kryhet ekspertimin krahasues, se ka dallim në veshje e në gjatësi trupi. Por nuk u intereson, duan ta mbajnë brenda, - thotë Ilia. - Sepse si gjykata dhe akuza i janë nënshtruar një lloj interesi më madhor për ta mbajtur në burg. Duan ta përdorin si sanduiç në luftën politike që po bëhet me Dukën".

Ilia shton se do të ankimojë vendimin, por është pesimist se edhe kjo shkallë e dytë gjyqësore do të heqë masën e sigurisë arrest me burg.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë