Ka ndodhur

Shoqërohet në polici autori i dyshuar i vendosjes së tritolit në shtëpinë e Dukës

Një 34-vjeçar është shoqëruar nga Policia e Durrësit, pasi dyshohet të jetë autori i cili vendosi lëndën eksplozive në shtëpinë e Armand Dukës në Durrës.

I riu Arlen Hasanaj është shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Durrësit dhe po merret në pyetje. Mësohet se Hasanaj ka në pronësi një biznes bar kafe dhe market dhe është banor në lagjen nr.4 të qytetit bregdetar.

Ai është fiksuar nga kamerat e sigurisë në rrugën paralele me portin duke lëvizur me një automjet tip ML të cilin e ka lëvizur pak metra.

Hasanaj gjithashtu është parë përmes ndjekjes së itinerarit të tij nga kamerat e sigurisë në zonë, të futet edhe në një pallat në Durrës.

Kanë mjaftuar këto pamje për ta çuar grupin hetimor drejt zbulimit të identitetit përmes targës së automjetit.

Tritoli në portën e jashtme të banesës së Presidentit të FSHF-së u vendos mbrëmjen e së hënës. Një person me kapuç ndezi kallëpin e tritolit, e hodhi poshtë derës dhe më pas u largua me vrap.

Nga shpërthimi pati vetëm dëme materiale dhe asnjë të lënduar. Në momentin e shpërthimit, në shtëpi ndodheshin bashkëshortja dhe djali i Armand Dukës, ndërsa kreu i FSHF ka qenë duke u kthyer nga Tirana për në banesë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë