Politike

Udhëzimi i PD, deputetët i zgjedh anëtarësia, por seleksionimi do bëhet nga jashtë saj

Nuk është KOP i dytë. Nuk do jetë i ndërtuar as si i tillë. Qysh prej vitit 2005 ku Partia Demokratike ndryshoi faqe përmes ngritjes së KOP pjesë e së cilës ishte edhe Lulzim Basha, kryetar i PD-së sot, opozita ka ndjekur një proçedurë formale të përzgjedhjes së kandidaturave për deputetë deri kur gjithçka është vulosur nga vetë kryetari i partisë.

Por të enjten, kryesia e partisë  më të madhe në opozitë, (të paktën nga pikëpamja e rregullave të brendshme të saj), ka bërë një ndryshim rrënjësor në miratimin e listës së kandidatëve të ardhshëm për deputete, duke e filluar procesin jo nga strukturat zyrtare, por nga vetë anëtarësia përmes parimit “një anëtar një votë”

Sipas udhëzimit të kryesisë, një kopje të së cilës e ka edhe gazeta “Si” propozimi i kandidaturave do të fillojë nga anëtarët e partisë në grupseksione ku secili anëtar do të ketë të drejtën të propozojë vetëm një kandidat. Kjo fazë parashikon edhe vetëpropozimin nëse ka mbështetjen e 10 anëtarëve të partisë.

I gjithë procesi do të zgjasë nga 25 qershori deri më 31 korrik.

Deri këtu gjithçka ishte e parashikuar dhe paralajmëruar këtu e një vit më parë.

Ajo që ndryshon kësaj here është mënyra se si do të seleksionohen kandidaturat.

Për këtë proces do të ngrihet Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve që do të përbëhet nga 5 anëtarë dhe dy ndihmës.

Ndryshe nga procedura e ndjekur në vitin 2005 ku për ngritjen e KOP-it u angazhuan njerëz thelbësisht politik dhe me eksperiencë në PD e tek e djathta (për të kooptuar njerëz jashtë saj), kësaj here po ndodh e kundërta.

Komisioni seleksionues, që nuk ka dominancë politike, do të vendosë në fakt mbi kandidatura krejtësisht partiake.

Sipas udhëzimit, në pesëshen anëtare të komisionit marrin pjesë ish-drejtues të lartë partisë (Genc Ruli), si dhe personalitete të shoqërisë civile, medias, si dhe përfaqësues të botës akademike, duke e shkëputur në fakt deri diku rëndësinë e hallkës partiake të seleksionimit të kandidaturave.

Në përfundim të procesit hartohen dy lista; Lista e kandidatëve që do t’i nënshtrohet procesit të konsultimit me anëtarët dhe lista e kandidatëve që u shtyhet aprovimi.

Më pas listat e kandidatëve për konfirmim hartohen në nivel dege, grup degësh apo qarku.

Në një ditë të shpallur paraprakisht për votim, çdo anëtar ka të drejtën që të shprehë kontestimin e tij (“votë kontestuese”) për një ose më shumë kandidatë nga lista.

Kandidati që ka më shumë se 20 % “votë kontestuese”, në raport me numrin e përgjithshëm të anëtarëve të Partisë në atë Degë apo Qark, hiqet nga lista e kandidatëve të konfirmuar dhe përfshihet në listën e kandidatëve që u shtyhet aprovimi...

Kandidaturat e konfirmuara nga anëtarësia do të përbëjnë jo më pak se 80 % të listës së kandidatëve të Partisë në zgjedhje, ndërkohë që jo më shumë se 20 % e listës së kandidatëve do të përzgjidhen nga Kryesia e PDSH-së, si prurje të reja nga bota akademike apo shoqëria civile; përfaqësues të të përndjekurve politikë apo pronarëve; përfaqësues të diasporës; përfaqësues të sipërmarrjes; personalitete politike me kontribut të gjatë në parti; etj. 

Gjatë kësaj faze do të mbahet në konsideratë: (1) përfaqësimi i grave të jetë jo më pak se 30 % e numrit të përgjithshëm të kandidatëve. (2) përfaqësimi i të rinjve të jetë jo më pak se 10 % e numrit të përgjithshëm të kandidatëve. (3) përfaqësimi i shtresës së të përndjekurve politikë apo pronarëve.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë