Lojëra me Dore

Mark Gasol, ylli i basketbollit që shpëton refugjatët në Mesdhe

Kush mund ta kishte menduar se një sportist i famshëm dhe që paguhet 24 milionë dollarë në vit, të kalojë ditë të tëra në bordin e një anije që shpëton refugjatët në Mesdhe? Askush. Po, po, milionë dollarë, nuk është një gabim. Kjo është historia e rrallë e basketbollistit Mark Gasol, kampion bote me Spanjën dhe aktualisht pjesë e Memphis Grizzlies në NBA. Një histori që zbulohet në ditët, kur drama e emigrantëve është bërë më e prekshme se kurrë nga fotoja simbol e shpëtimit të Josephine, e cila gjendej pranë trupit të një nëne dhe një djali që kishin humbur jetën në det. Mes personave të ekuipazhit të anijes “Astral”, pjesë e organizatës “Proactiva Open Arms”, që kujdeset për të shpëtuar refugjatët në Mesdhe, është edhe Mark Gasol. Spanjolli vë në punë muskujt dhe gjatësinë e tij prej 2.16 metrash për të çuar në bord barrelën me trupin e gruas së shpëtuar dhe nuk ka si të mos bjerë në sy.

Mark Gasol gjatë një ndeshje me Memphis

Nuk është shaka dhe as publicitet. Ylli i NBA-së, vëllai i Pau Gasol dhe që tri herë është grumbulluar në “All Star Game”, paguhet 24 milionë dollarë në sezon dhe ka vendosur që verën ta kalojë në bordin e një anije që patrullon në Mesdhe për të shpëtuar personat, të cilëve u rrezikohet jeta, teksa tentojnë në dëshpërim e sipër të shkojnë nga Afrika në vende të tjera.

Nuk do të ishte mësuar kjo histori për kampionin e basketobollit, tashmë edhe të humanizmit, nëse nuk do të kishin shpërthyer polemikat pas imazheve të shfaqura në lidhje me personat e lënë në det, në mëshirë të fatit. Vetë Mark Gasol ka publikuar një foto në profililin e tij në Tuiter, pasi nisi hetimi për këtë çështje, duke shkruar këto fjalë: "E tmerreshme, shokuese. Është e pabesueshme se si shumë persona të pafuqishëm braktisen dhe lihen të vdesin në det. Admirim i thellë për ata që tani po i quaj shokët e mi të skuadrës. Këta persona duhet të shpëtojnë. Duke menduar për fëmijët e mi, vendosa të bëj diçka”.

Kurse për shtypin spanjoll Mark ka treguar si lindi ideja për këtë nismë: “Para më shumë se një viti kam njohur Oscar Camps, themeluesin e “Proactiva Open Arms” dhe më interesonin ato që thoshte. E ftova të mbante një fjalim në kampusin e skuadrës time të basketbollit, Basket Girona. Më pëlqenin ato që thoshte. Vitin e kaluar nuk munda të shkoj me anije në det, sepse duhej të luaja në Europian. Këtë herë e bëra”, - ka thënë basketbollisti për “El Pais”.

Mark Gasol (i dyti nga e majta) në bordin eanijes

Për atë që ka përjetuar në det, Gasol ka shtuar: “Po flasim për akte kriminale, çnjerëzore. Rojet bregdetare të Libisë kanë thënë se kanë shpëtuar 158 persona, por nëse nuk shkonim ne, askush nuk do të dinte asgjë. E paimagjinueshme që i kanë lënë njerëzit në atë situatë”. Dhe nëse anija e basketbollistit do të shkonte 15 minuta më vonë, edhe Josephine, gruaja nga Kameruni, do të kishte humbur jetën.

Mark Gasol nuk dëshironte ta bënte publike nismën e tij, por fati deshi që historia e tij të mësohej. Spanjolli po jep një dorë, aq sa ka mundësi. Me 24 miilionë dollarë në vit mund të shijonte të gjitha të mirat e kësaj bote, mund të shijonte një jetë luksoze që ia mundësojnë fama dhe të ardhurat e tij, por thirrja e shpirtit është shumë më e fuqishme. Ndjesia qëtë të fal shpëtimi i jetës së një njeriu nuk krahasohet me asnjë të mirë materiale.

Baskebollisti i famshëm spanjoll, Mark Gasol

Mark Gasol është një kampion i madh në jetë, shumë më i madh se në basketboll. “Pse jam këtu? Fotoja që në vitin 2015 bëri xhiron e botës, ajo e vogëlushit Aylan Kurdi, që u mbyt në brigjet e Turqisë, më solli një ndjenjë tërbimi dhe revolte brenda meje. Kuptova që të gjithë duhet të bëjnë pjesën e tyre, që gjëra të tilla të mos i shohim më”, - ka thënë në fund Mark Gasol.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë