Lojëra me Dore

Alkaraz humb edhe turneun e Barcelonës, probleme me krahun e djathtë për spanjollin

Gazeta Si - “Do të na mungosh kampion”. Janë fjalët e zgjedhura nga organizatorët e turneut të Barcelonës për të njoftuar mungesën e yllit Karlos Alkaraz. Numri 3 në botë nuk është rikuperuar ende nga dëmtimi në krahun e djathtë, që i mohoi edhe Masters 1000 të Montekarlos.

Shpresat e Alkaraz janë që të jetë i gatshëm në turneun e ardhshëm prestigjioz në dheun e kuq.

“Lojtari nga Mursia nuk është ndjerë mirë në stërvitjen e së dielës dhe pavarësisht se provoi deri në fund, nuk do të jetë në ‘Barcelona Open Banc Sabadell’”, - shkruhet në njoftimin e shpërndarë në rrjetet sociale nga organizatorët e turneut të Barcelonës. Gjithçka është konfirmuar edhe nga vetë tenisti, që pritet të dalë në një konferencë shtypi të hënën.

Në këtë situatë, Alkaraz humb 500 pikët e fituara vitin e kaluar në Barcelonë. Ai duhet të mbrojë 1000 pikë në Madrid, duke shpresuar së pari që të jetë në gjendje të luajë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë