Rend dhe Ligj

KED 2019, raporti: Nuk kishim njerëz e rregulla

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është konceptuar në kuadër të reformës në drejtësi si organ i përkohshëm me mandat njëvjeçar që fillon nga data 1 janar e çdo viti dhe mbyllet më 31 janar të po atij viti. 2019-ta, edhe pse mes kritikash dhe përplasjesh të forta me Presidentin Ilir Meta ishte viti i vetëm që pas miratimit të reformës në drejtësi në 2016-të, që KED funksionoi.

Kushtetuta përcakton se ky këshill verifikon, vlerëson dhe rendit kandidatët për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe për Inspektor të Lartë të Drejtësisë dhe më pas ja nis këta kandidatë Kuvendit, ose Presidentit të Republikës.

KED e 2019-ës ia doli mbanë që të verifikojë dhe rendisë vetëm tre emra për në Gjykatën Kushtetuese dhe të përcaktojë “favoritin” Artur Metani si Inspektor të Lartë të Drejtësisë. Në bilancin që i bën punës së vetvetes për 2019-ës, KED radhit disa problematika, ku kryesoret janë mungesa e stafit dhe administratës ndihmëse dhe mungesa e akteve nënligjore, që u hartuan përgjatë këtij viti. Në këtë raport, KED fajëson mosfunksionimin e KED-ve paraardhëse në 2017 dhe 2018.

“Kjo gjendje ishte rrjedhojë e mospërgatitjes së akteve nënligjore të brendshme dhe atyre me natyre normative që ligji ia delegon Këshillit, administrimit të dokumentacionit pa kryer asnjë veprim verifikues për të nëntë vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe mungesës së personelit mbështetës administrativ të nevojshëm, si dhe ambienteve e pajisjeve të pamjaftueshme, apo të papërshtatshme në dispozicion të Këshillit”, thuhet në raportin vjetor të KED-së, të publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë.

Pasi rendit punën e kryer me hartimin e rregulloreve të brendshme dhe të atyre për mënyrën e vlerësimit të kandidatëve në gjysmën e parë të vitit, raporti thotë se KED ka verifikuar dhe vlerësuar 48 kandidatë për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe 12 kandidatë për Inspektor të Lartë të Drejtësisë.

Raporti më pas ndalet gjerësisht tek përplasja me Presidentin Ilir Meta. KED thotë se është njohur jo më 5, por më 6 nëntor me shkresën e Ilir Metës, që kishte vendosur të pezullonte procesin e tij për emërimin e gjyqtarit për vakancën e dytë në Gjykatën Kushtetuese. Sipas raportit, KED u mblodh më 7 nëntor për të shqyrtuar qëndrimet dhe arsyetimet e Presidentit të Republikës.

“Kjo mbledhje konkludoi se në kushtet kur i ka përfunduar procedurat e verifikimit, vlerësimit dhe renditjes së kandidatëve për katër vende vakante, dy për secilin organ emërtese, vlerëson t’i përcjellë sipas kërkesës së paraqitur Presidentit të Republikës kopje të dokumentacionit të administruar dhe të shqyrtuar që përmban dosja e kandidimit të secilës prej 4 kandidatëve të listuar nga KED për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese të shpallur nga Presidenti”, thekson raporti.

Në lidhje me mbledhjet dhe transparencën e tyre, KED thotë se ka zhvilluar 39 të tilla përgjatë vitit 2019, në të cilat sipas këtij raporti, kanë qenë të pranishëm dhe marrë pjesë aktivisht përfaqësues të Avokatit të Popullit dhe të Presidentit të Republikës.

Megjithatë, përkundër pretendimit të KED-së të shprehur edhe në këtë raport të punës njëvjeçare, Avokati i Popullit e akuzon këtë institucion se ka shkelur Kushtetutën duke mos bërë transparencë mbi disa mbledhje dhe vendime. Për këtë arsye, Avokati i Popullit ka dorëzuar në Gjykatën Administrative të Apelit një padi kundër KED-së ku kërkon shfuqizimin e disa pikave dhe neneve të rregulloreve të brendshme të këtij institucioni.

Ndërkohë, Presidenti Ilir Meta nuk ka denoncuar KED-në, por drejtpërdrejtë kryetarin e saj, Ardian Dvorani, të cilin Meta e ka akuzuar publikisht se është pjesë e një skeme mafioze për kapjen e Gjykatës Kushtetuese dhe të gjithë sistemit të drejtësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë