Rend dhe Ligj

Padia, Avokati i Popullit shënjestron rregulloren e KED

Në Gjykatën Administrative të Apelit në Tiranë është regjistruar më 31 dhjetor 2019 padia e Avokatit të Popullit ndaj Këshillit të Emërimeve në Drejtësi kundër disa vendimeve që ky institucion ka marrë.

Padia e Avokatit të Popullit kërkon shfuqizimin e disa pikave dhe heqjen e disa fjalëve dhe fjalive në rregulloren e brendshme të miratuar nga ana e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Konkretisht, kërkohet shfuqizimi i pikë 11 të nenit 16-të të rregullores, miratuar përmes vendimit nr.1 datë 8 shkurt 2019, ku në rolin e institucionit vëzhgues në përzgjedhjen dhe verifikimin e kandidaturave për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Avokatit të Popullit i lihet vetëm 5 minuta kohë për të dhënë opinionin e tij mbi procedurat e ndjekura nga KED.

Avokati i Popullit kërkon gjithashtu edhe shfuqizimin e pikës 41 të vendimit nr.4 të marrë nga KED më 11 mars 2019. Në këtë pikë, KED thotë se bisedimet për çështje vendimmarrëse dhe më pas edhe votimi i vendimit bëhen vetëm me praninë e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Avokati i Popullit pretendon se kjo pikë bie ndesh me Kushtetutën, që e ka përcaktuar Avokatin e Popullit si organ mbikëqyrës në të gjithë zinxhirin vendimmarrës të KED-së sa i takon plotësimit të vakancave në Gjykatën Kushtetuese dhe në Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë.

Padia kërkon gjithashtu edhe shfuqizimin e pikës 80 të vendimit nr.5 të marrë më 2 prill nga ana e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Ky vendim përcakton kriteret dhe procedurën e vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për pozicuonet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Vendimi në fjalë nuk është pasqyruar në faqen zyrtare të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Avokati i Popullit kërkon rrëzimin e pikave 46 dhe 62, në të cilat sanksionohet se bisedimet për vlerësimin e kandidatëve bëhen vetëm me praninë e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Avokati i Popullit kërkon gjithashtu shfuqizimin e neni 58 dhe heqjen e termit “Bisedime” për vlerësimin, pikëzimin dhe renditjen e kandidatëve. Avokati i Popullit nënkupton se termi është evaziv dhe duke shfrytëzuar këtë ky institucion është përjashtuar nga detyra kushtetuese për të mbikëqyrur procesin.

Padia kërkon shfuqizimin e plotë të pikë 80 të këtij vendimi, pikë që anashkalon pikën 69 të po të njëjtit vendim. Në këtë pikë thuhet se “duke mbajtur parasysh rrethanat e mungesës së njëhershmërisë në shpalljen e vendeve vakante, të kohës së tejzgjatur ndërmjet shpalljeve të konkurrimit për plotësimin e tyre dhe ekzistencën njëkohësisht të vendeve vakante me mandat të plotë dhe të pjesshëm, për të garantuar trajtimin e aplikimeve të kandidatëve në respektim të parimit kushtetues të barazisë përpara ligjit dhe të së drejtës së tyre të zgjedhjes së kandidimit për vende vakante të plotë ose të pjesshme, Këshilli do të procedojë me paraqitjen pranë organit përkatës të emërtesës të një liste të vetme përfundimtare të renditjes së kandidatëve sipas vendit vakant ku kanë shprehur interesin për kandidim”.

Por, neni 69 përcakton se nbë momentin kur Këshilli ka në shqyrtim më shumë se një vend vakant për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese të shpallura nga i njëjti organ emërtese, atëherë përgatiten dy lista të veçanta, ku njëra përmban vetëm kandidatët që vijnë nga radhët e gjyqësorit dhe lista tjetër me kandidatët jogjyqtarë.

Padia e Avokatit të Popullit ndryshon thelbësisht nga padia e Presidentit Ilir Meta. Së pari bëhet fjalë për një padi administrative, jo penale dhe së dyti, Avokati i Popullit padit institucionin, pra Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, ndërsa Presidenti Ilir Meta ka paditur kryetarin e KED-së, Ardian Dvorani, që e akuzon për përvetësim të titullit dhe shpërdorim detyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë