Politike

Padia e Metës ndaj Dvoranit i kalon SPAK-ut

Prokuroria e Tiranës shpall moskompetencën për padinë e ngritur nga ana e presidentit Ilir Meta ndaj kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Sipas Prokurorisë, vendimi për moskompetencë ndaj kësaj çështje erdhi për shkak se Dvorani futet në rangjet e zyrtarëve të lartë dhe se për këtë përfshihet te SPAK. Më 20 nëntor, presidenti Meta do të bënte publike padinë ndaj kreut të KED-së, duke e akuzuar për marrje të kompetencave në çështjen e caktimit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Në padi Meta liston shkeljet kushtetuese të kreut të KED në plot 37 faqe, ndërsa akuzon zotin Dvorani për dy vepra penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”. Në padinë penale Presidenti Meta kërkoi të administrohen një sërë provash materiale deri tek audioregjistrimi i mbledhjeve të zhvilluara, pasi sipas presidentit nga 30 mbledhje të zhvilluara nga KED vetëm një prej procesverbaleveështë zbardhur. Dvorani, sipas kreut të shtetit, ka përvetësuar vendimmarrjen kolegjiale për Arta Vorpsin. Padia e kreut të shtetit për çudi u drejtua në tre prokurori, në Prokurorinë e Përgjithshme, në Prokurorinë e Tiranës dhe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Pas depozitimit të këtyre kallëzimeve, Prokuroria e Përgjithshme ia kalon këtë çështjes asaj të Tiranës, ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda pushoi së ekzistuari, pasi do të formohej SPAK.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/802746376815861/?t=2


Më 10 dhjetor presidenti do të paraqitej në Prokurorinë e Tiranës për të dëshmuar në lidhje me kallëzimin penal ndaj Dvoranin. Ndërsa të nesërmen do të paraqitej vetë kreu i KED-së për t’u mbrojtur përpara akuzave të lëshuar në adresë të tij nga ana e presidentit.
Por beteja nuk do të ndalej me kaq, sepse presidenti do të niste fushatën me anë të publikimit të videove në gjuhën shqipe dhe angleze kundër Dovranit, duke e akuzuar për marrjen e kompetencave në procesin e zgjedhjes së anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/2554756547926946/


Ndërkaq çështja e dekretimit të Marsida Xhaferllarit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese është bërë edhe objekt i hetimit të mazhorancës parlamentare. Për të vërtetuar nëse presidenti ka shkelur ose jo Kushtetutën, Parlamenti do t’i drejtohet sërish Komisionit të Venecias. Po të njëjtën lëvizje paralajmëruar edhe presidenti që e akuzon KED-në dhe mazhorancën për mënyrën se si u zgjodhën dy anëtaret e Gjykatës Kushtetuese, edhe pse ka pranuar që ata të betohen përpara tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë