Libra

“Thika pa gjak” e Zija Çelës, aty ku “brengat” kanë zë

Pasi na ka mrekulluar me romanet e njëpasnjëshme, mjeshtri i fjalës, Zija Çela, këtë fillim vere i “dhuron” lexuesit librin me tregime “Thika pa gjak”, nga botimet “Onufri”.

Një vëllim i strukturuar në tri pjesë, secila me nëntitullin e saj, me 54 tregime që të magjepsin me bukurinë e fjalës dhe stilin e tij të veçantë.

“Këto tregime janë shkruar midis dy romaneve. Kisha botuar për disa vjet disa romane rresht, dhe vendosa të bëja një libër me tregime, por jo të ulem e t’i shkruaj, por t’i përgatis”, thotë shkrimtari Zija Çela për Gazetën “Si”.

Shkrimtari ka vendosur që në këtë koleksion rrëfenjash thikat (mjet prerës) t’i sjellë pa gjak. Por cilat thika ka dashur të ngrejë në piedestal, mos ndoshta të brengosurit dhe të palumturit janë zgjuar dhe duan të shprehen për plagët pa gjak?

“Çdo njeriu përgjatë jetës i krijohen disa të ashtuquajtura pengje, brenga. Nuk ka njeri pa brenga njerëzore. Shqipja madje ka edhe fjalën e bukur gjak, dhe duket sikur është vetë gjaku që ia qarkullon brengën nëpër mend e nëpër trup. Mbi bazën e kësaj metafore është krijuar dhe titulli i librit sepse me kalimin e kohës këto brenga vërtet të therin, të therin në shpirt, të therin në zemër, ata vërtet janë thika, por nuk shkaktojnë gjak”, vijon për Gazetën “Si” shkrimtari Çela.

Përpos thikave që shkrimtari i sjell në kuptim metaforik, në vëllim ka edhe një tregim ku thikat nxjerrin gjak si për të dhënë një antitezë.

“Megjithatë në libër ka një tregim ku ka një thikë me gjak, bëhet një vrasje dhe bëhet pikërisht me thikë, dhe kjo tregon se shkrimtari e ka pas parasysh se si mund të përdoret thika, por do ta ngrejë në kuptim metaforik”, thotë Çela.

Autori ka bërë tri ndarje në librin me tregime: (Perpetum), (Mobile) dhe poetikisht ka “parashikuar” Horoskopin, pasi pjesa e fundit vjen me nëntitullin Horoskop.

“Pjesa e parë është Perpetum që do të thotë lëvizje dhe ka një cikël tregimesh, të cilat zakonisht janë një faqe e gjysmë-dy faqe, pjesa e dytë është Mobile, dhe tregimet këtu janë më të gjata, plotësohen për ta shtjelluar një ide më shumë. Pjesa e tretë është e titulluar Horoskop dhe siç janë 12 shenjat e zodiakut ka 12 proza poetike”, thotë shkrimtari.

Libri me tregime "Thika pa gjak"

Pavarësisht nga mjediset apo vendi ku zhvillohen ngjarjet, të gjitha tregimet sjellin tema të aktualitetit dhe vijnë me një frymë universale.

“Ajo që ngjet në këto tregime, është se ngjet këtu te ne dhe kudo nëpër botë. Madje unë një pjesë të tregimeve i kam shkruar kur isha në Itali dhe në Austri, pra kanë kuptim universal. Këto 54 tregime mund të përfytyrohen si 54 shkallë, ku frymëmarrja, ritmi duke u ngjitur edhe ndryshon, por një bindje e kam, diku çdo lexues patjetër do të ndalojë dhe do thotë; ah po këtu jam unë”, thotë i buzëqeshur shkrimtari.

Zija Çela do të zbulojë se për të pasur një marrëdhënie intime me lexuesin përpiqet të jetë shumë lakonik.

“Ajo që kam pas rreptësisht parasysh është lakonizmi, kështu që jam përpjekur t’i shtrydh vetëm esencën. Së dyti jam përpjekur për thjeshtësinë e stilit, duke e thirr lexuesin aty ku jam unë”.

Ndërsa kujton që i është dashur dy vite për të shkruar këtë vëllim të ri, tregon për Gazetën “Si” dhe shkëndijat nga i vijnë frymëzimet.

“Tregimet i shkruaj siç shkruhet poezia gati-gati me një frymë. Unë kur ulem për të shkruar e kam ngarkesën për brenda, por shpesh më duhet një shkëndijë nga jashtë dhe ajo shkëndijë vjen vetiu. Më kujtohet një nga tregimet, ishim në Itali dhe po bëja ecjen e zakonshme, me time shoqe në një rrugë të qetë që kishte ara pafund dhe sapo ishin bërë korrjet. Atje kishte lepuj dhe e kisha vënë re se kishte lepuj po ne vetëm veshët u vinim re, te një shtyllë e tensionit të lartë kishte disa shkurre. E pikasa nga larg dhe më dolën fjalët shkurre me lepuj, mbas një jave unë shkrova tregimin shkurre me lepuj dhe është një tregim”, rrëfen shkrimtari.

Ai shton me bindje se pikërisht kjo është letërsia. “Letërsia këtu qëndron që nga ajo vërtet i përmend lepujt po e kam në metaforën njerëzore për ato lepuj që njeriu i ka përbrenda, ajo që ne themi ka lepurin në bark”.

Zija Çela përfundon duke thënë: “Nëse ti nuk je i përgatitur, nëse ti nuk e ke ngarkesën përbrenda nuk arrin të shkruash, nuk bën dot letërsi”...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë