Libra

Si na tregojnë kujtimet tona për ushqimin se kush jemi

Aimee Nezhukumatathil nuk është nga ata që mbulojnë të kaluarën. Marrim si shembull kërcellin e vaniljes, që sjell aromën e ëmbël në tortë që të kujton ditëlindjet e fëmijërisë. Me anë të historive dhe origjinës së produkteve të ndryshme, shkrimtarja Aimee ka shkruar librin që tregon për ushqimet në një mënyrë tërësisht të veçantë.

‘Bite by bite’ është libri i ri i Aimee dhe nuk ka të bëjë vetëm me vaniljen. Bëhet fjalë edhe për Edmond Albios, një djalë skllav që zbuloi një mënyrë të re për tu kujdesur për lulen e vaniljes në një mënyrë që ndryshoi industrinë e vaniljes.

"Bite by Bite", i publikuar më 30 prill, është libri i shtatë i shkrimtares Nezhukumatathil. Dhe, më e rëndësishmja, është letra e saj e dashurisë për ushqimin. Çdo kapitull i "Bite by Bite" fokusohet në një ushqim, çdo gjë nga mollët tek gjalpi e tek ëmbëlsirat filipinase.

Por këta kapituj, këto ese, nuk janë histori të recituara të përbërësve apo pjatave. Në vend të kësaj, Aimee thur kujtime personale përmes ushqimit. Në kapitullin "Domate", ajo shkruan për nënën dhe gjyshen e saj, duke vënë përballë rrugën e domates nga Spanja në Filipine dhe nga Portugalia në Indi me prejardhjen e saj.

Por, jo çdo shije vjen e ëmbël. Ka edhe tregime të trishtueshme, histori të errëta që qëndrojnë në themel të kujtimeve por Aimee nuk lëkundet. Ushqimi mund të jetë një hartë drejt shtëpisë, drejt kujtesës, drejt prejardhjes dhe me të, ajo na bën thirrje të eksplorojmë.

CNN ka zhvilluar një intervistë më shkrimtaren e cila flet për dashurinë e saj, jetën e treguar përmes ushqimit.

Shumë nga shkrimet tuaja sjellin kënaqësitë dhe çuditë e natyrës në plan të parë, por çfarë ju bëri ta ktheni vëmendjen tuaj në ushqim në mënyrë specifike?

Pjesa më e madhe e tij (librit) u shkrua në vitin 2021, kështu që megjithëse fillova disa pjesë para pandemisë, shumica e tyre ishin pas pandemisë.

Mendoj se pas një kohe kaq të ndarë dhe duke pasur liderë që duan të na ndajnë kaq shumë, doja të fokusohesha në atë që na ushqen dhe gjithashtu atë që mund të na bashkojë. Dhe për mua, ky ishte ushqimi.

Një nga gjërat që më ka munguar aq shumë, mendoj se e kanë bërë shumë njerëz, është të jemi në gjendje të ulemi me familjet tona, të dashurit tanë rreth tryezës. Ka kaq shumë libra që janë në kërkim të shtëpisë.

Ky është një kërkim për llojet e shtëpive që mund të bëjmë me ushqim. Ka familjen e zgjedhur, ka familjen tonë të lindjes, dhe të gjithë miqtë tanë e gjithçka në mes. Të dashurit tanë dhe ish-ët tanë, dhe të gjitha këto. Por ushqimi është një lidhës i madh, kështu që me të vërtetë doja të përqendrohesha në të.

Po, kjo temë flitet shumë, si ushqimi mund të mbajë kujtesën ose të jetë një lidhje kulturore. Por ju flisni për origjinën e ushqimit, jo vetëm ushqimin si një lidhje midis meje dhe dikujt tjetër, por vetë historinë e ushqimeve, si, etimologjinë e kanellës ose origjinën e rrushit. Si vazhduat të hulumtoni dhe të mendonit për ushqimin në atë mënyrë?

Përgjigja e thjeshtë është se unë jam thjesht një ‘budallaqe’. Shumë prej këtyre gjërave i kam mësuar në fakt nga prindërit e mi. Që kur isha e vogël, i shikoja gjithmonë duke i bërë pyetje shitësve në dyqane ushqimore ose tregje të ndryshme.

I kam parë dhe se sa i duan produktet dhe më kanë mësuar ndjenjën e kuriozitetit.

Unë nuk është se jam ulur dhe kam thënë “do të hulumtoj origjinën e sheqerit", por përkundrazi nuk mund të ha kallam sheqeri pa atë pak që më mësuan për tmerret e tregtisë së kallam sheqerit si një histori globale. Ne kemi një traditë të vogël të Krishtlindjeve në familjen time për kallam sheqeri. Nuk mund të mos shkruaja për këtë dhe të shpërfillja historitë e origjinës jo aq të mrekullueshme të disa prej këtyre përbërësve, perimeve, frutave dhe vakteve.

Ajo që doja ishte të bëja njerëzit të ngadalësojnë dhe të mendojnë se cilat janë historitë e ushqimeve. Si për shembull, kur mendon se i njeh mollët por a e dinit këtë apo e bëtë këtë lidhje, dhe ndoshta historia ime e të ngrënit të një sanduiçi mund t'ju bëjë të mendoni për një kohë kur ju ka marrë malli për një nga prindërit. Shpresa ime është që kurioziteti të bëhet ngjitës edhe për ju.

Pse në librin tuaj përmenden shumë produkte, erëza, të ëmblat, të kripurat, pra nuk ka një fokus?  

Kur po mendoja për librin thjesht shikoja bibliotekën time të shtëpisë dhe pothuajse çdo libër ushqimor është si: këtu është një libër për ëmbëlsirat. Këtu është një libër me perime, ose këtu ka ushqime. Këtu është një libër i gjithi mbi çokollatën. Nuk doja të shkruaja asgjë para së gjithash që të ishte si çdo libër tjetër.

Doja ta filloja dhe ta mbyllja këtë libër me dashuri, duke treguar lidhjen shpirtërore me ushqimin.

Ishte më shumë si, ndjenja dhe skenat ishin të rëndësishme për mua, dhe më pas mu desh të kthehesha dhe të thosha, 'Mirë, cili frut e përfshin këtë?'

Por ju gjithashtu theksoni origjinën e errët të disa prej këtyre përbërësve, si, në kapitullin "Vanilja", ku fëmija i skllavëruar që zbulon se si të kujdeset për bimën e vaniljes. Ishte kjo diçka që kishit synuar të bënit gjithmonë?

Kam lexuar shumë për këtë libër. Dhe padyshim, në pjesën e pasme, përfshiva të gjithë librat që po shikoja. Nuk e dija që vërtet do të shkruaja për vaniljen dhe djalin, dhe ishte një rastësi absolute që ekzistonte një histori e tillë.

Thjesht doja të isha sa më e sinqertë. E megjithatë nuk doja të zgjatesha në atë lloj të kaluare sepse, përsëri, doja që çdo pjesë të fillonte dhe të përfundonte me një notë dashurie.

A ka ndonjë gjë në lidhje me marrëdhënien tuaj me një ushqim të caktuar për të cilin nuk e kishit menduar më parë që e zbuluat gjatë kohës që shkruanit?

Doja të mblidhja një koleksion shkrimesh që shfaqin aspekte të ndryshme të të qenit ajo që jam në prag të 50-ve. Doja të festoja fëmijërinë. Doja të festoja bollëkun dhe ngazëllimin e takimit me të dashuri e mi në qendër të qytetit në New York City kur isha beqare dhe e lumtur.

Në këtë libër doja të tregoja veçanërisht për gratë me ngjyrë, se ka mënyra për t'ia dalë mbanë. Se nuk kanë nevojë të kenë një luftë dramatike, nuk kanë nevojë të kenë një burrë për t’ia dalë mbanë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë