Keshilla

Telefononi 127-ën dhe qëndroni në shtëpi, nëse keni dyshime

Deri më tani numri i të infektuarëve me virusin e ri në Shqipëri ka shkuar në 10. Me zyrtarizimin e rasteve në vend është vënë re një sjellje e ndryshuar e qytetarëve ndaj zakoneve të jetës së përditshme; që nga zbrazja e supermarketeve, boshatisja e autobusëve, vënia e maskave, dezinfektimi me alkhool, etj.

Por, ajo që këshillojnë edhe autoritetet publike është ruajtja e qetësisë dhe të shmanget ndjenja e panikut.

Sjellja më e rëndësishme që duhet ndjekur, duke u nisur edhe nga rasti i 31-vjeçarit, i cili është paraqitur vetë në një spital privat, e mandej në Qendrën Universitare “Nënë Tereza” për të kërkuar që t’i nënshtrohej testit të Koronavirusit, pasi kishte vërejtur disa simptoma i frikësuar, është qëndrimi në shtëpi dhe telefonata në numrin 127.

Në asnjë moment, në kohën kur vëreni disa simptoma që dyshoni se mund të jenë për shkak të Koronavirusit, nuk duhet të dilni nga shtëpia. Sjellja e kundërt do të ishte rrezik për njerëzit e tjerë duke përhapur në mënyrë të pafrenuar virusin në popullsi. “Qëndroni në shtëpi dhe telefononi 127-ën”!

Ministria e Shëndetësisë thotë se sipas të gjitha statistikave, në 80 për qind të rasteve personat e infektuar nuk shfaqin asnjë simptomë, por si bartës të virusit janë në gjendje që ta shpërndajnë atë tek të tjerët.

Gjithashtu, duke iu referuar po statistikave, autoritetet thonë se 90 për qind e rasteve të të prekurve nga koronavirusi shërohen në shtëpi, madje pjesa më e madhe e tyre pa e kuptuar se janë prekur nga virusi në fjalë. Për këtë arsye, Ministria e Shëndetësisë këmbëngul tek vetëkarantinimi dhe vetëizolimit.

Dy termat e mësipërm, në dukje të ngjashëm kanë një dallim të thelbësor. Drejtorja e ISHP-së, Albana Fico e sqaroi këtë dallim. “Vetëkarantinim është vetëngujimi i personave që dyshojnë se janë të prekur nga koronavirusi, por që nuk kanë marrë përgjigjen e analizave. Vetëizolimi është ngujimi i personave që janë të konfirmuar si të prekur me koronavirus”, tha ajo.

Ajo që duhet të dini, deri më tani me testimin dhe trajtimin e këtij virusi merren vetëm institucionet shëndetësore publike, prandaj në asnjë rast mos iu drejtoni spitaleve private.

Institucionet private, edhe nëse mund të kenë kapacitetet për të trajtuar një person me koronavirus, apo edhe nëse do të duan që ta trajtojnë atë nuk mund të bëjnë për shkak se ua ndalojnë ligjet e sigurisë kombëtare.

Personat e prekur deri më tani janë me simptoma të lehta dhe nuk paraqesin rrezik për jetën.

Virusi i ri në Shqipëri deri më tani nuk ka sjelljen e një epidemie, prandaj institucionet publike kompetente sugjerojnë zbatimin e këshillave dhe protokollit.

…Dhe këshilla e parë dhe më kryesore është nëse keni dyshime telefononi tek 127 dhe prisni në shtëpi, pa e ndryshuar këtë rregull për asgjë tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë