Ngjarje

Shqipëria në skenarin e parë. Infektivi kapacitet deri në 80 persona

Ministria e Shëndetësisë ka hyrë në skenarin e parë të përballimit të situatës së krijuar nga koronavirusi, që parashikon shndërrimin e gjithë kapaciteteve të Spitalit Infektiv në një zonë karantine për personat e infektuar nga ky virus.

Deri të hënën vetëm kati i parë i këtij spitali ishte përcaktuar për rastet e mundshme me koronavirus. Por, pas konfirmimit të gjashtë rasteve të para mbrëmjen e së hënës është bërë shpërngulja e të gjithë pacientëve të tjerë nga ky spital, për ta shndërruar të gjithë godinën në karantinë.

“Kati i parë ka qenë bosh prej disa ditësh, ndërsa që nga mbrëmë (të hënën) nisi shpërngulja e të gjithë pacientëve të tjerë”, deklaroi mjeku infektolog, Arjan Harxhi.

Kapacitetet e Spitalit Infektiv janë trajtimi i 80 persona njëkohësisht, si pjesë e skenarit të parë të masave të parashikuara nga Ministria e Shëndetësisë e të bëra publike që në fund të muajit shkurt.

“Në skenarët që ne kemi planifikuar, që me konfirmimin e rastit të parë ne vëmë në dispozicion strukturat, që nis me strukturën në QSUT në Spitalin Infektiv me një kapacitet prej 80 shtretërish dhe me një forcë punonjësish 109 mjekë dhe infermierë. Kemi përcaktuar bokset dhe dhomat e izolimit dhe kemi investuar në të gjitha linjat e oksigjenit në spitalin infektiv”, deklaronte më 27 shkurt Ministrja Ogerta Manastirliu më 27 shkurt gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Gazeta "Si" mëson se në rast tejkalimi të kapacitetit prej 80 shtretërisht që ofron Spitali Infektiv, në këtë godinë do të trajtohen personat që nga mjekët do të vlerësohen si "raste të mesme". Përtej këtij kapaciteti do të përdoren ambientet e spitalit "Shefqet Ndroqi", ose ish-Sanatoriumi.

Skenari i dytë shkon deri në 150 raste, për të cilat ministrja Manastirliu tha se autoritetet gëzojnë të gjitha kapacitetet dhe nevojat edhe për raste të rënda që mund të paraqiten, e që do të kenë nevojë për suport respirator.

Në mbledhjen e Komitetit Kombëtar të Sigurisë të 27 shkurtit nuk u fol përtej skenarit me 150 të infektuar, ndërkohë që Qeveria vendosi në mbledhjen e jashtëzakonshme të së hënës caktimin e Kavalishencës së Durrësit si zonë karantine.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë