Treg

Të ardhurat nga fasoneria prekin nivel rekord këtë vit

Të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga sektori i fasonerisë këtë vit kanë arritur nivelet më të larta të regjistruara në 13 vitet e fundit.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, të ardhurat neto nga shërbimet e përpunimit aktiv të mallrave në Shqipëri për 9 muaj arritën vlerën e 380 milionë eurove, 19% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Fasoneria këtë vit po rezulton si kontribuuesi i tretë më i madh neto në llogarinë korente të vendit, pas turizmit dhe remitancave.

Segmenti i prodhimit të veshjeve dhe këpucëve me porosi jashtë vendit deri tani ka përgënjeshtruar parashikimet pesimiste të viteve 2000, se fasoneria do të kishte një cikël të shkurtër zhvillimi, për shkak të rritjes graduale të standardeve të jetesës e kostove të punës, si edhe konkurrencës nga tregje ku krahu i punës është më i lirë. Vetëm në këtë sektor vlerësohet se veprojnë rreth 700 ndërmarrje, me më shumë se 30 mijë të punësuar.

Fasoneria në sektorët e tekstileve dhe këpucëve ka mbijetuar, madje është rritur,pavarësisht problemeve  të lidhura me mungesën e forcës së punës.

 Veç tekstileve dhe këpucëve, prodhimi me porosi është  shtrirë edhe në segmente të industrisë ushqimore, kryesisht të përpunimit të prodhimeve të detit.

 Një aktivitet në rritje dhe me potenciale ende të mëdha të zhvillimit është gjithashtu industria automotive ose prodhimi i pjesëve të këmbimit për makinat, makineritë dhe pajisjet.

Ndryshe nga tekstilet dhe këpucët, aktivitetet e tjera të fasonerisë nuk janë të ndara në seksione statistikore të veçanta dhe kjo e bën të vështirë llogaritjen e kontributit të tyre në prodhim dhe punësim.

Por, e sigurt është se forca e lirë e punës ka një kontribut edhe më të gjerë se ai që lidhet me fasonerinë.

 Disa javë më parë Edvin Prençe, kryetar i Shoqatës Pro-Eksport tha për Gazetasi.al se kishte një rritje të kërkesave për prodhim me rreth 18% duke përfshirë sektorët e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve dhe shtoi se ka një tendencë shumë pozitive në rritjen e kërkesave nga markat europiane për të prodhuar në Shqipëri.

Megjithatë, ai theksoi që aktualisht problematika më e madhe me të cilën haset sektori është mungesa e punonjësve.

 “Mund të themi që sektorit në përgjithësi i mungojnë mbi 15.000 punonjës të cilët me patjetër do detyrojnë bizneset të plotësojnë vendet e lëna bosh me punëtorët pa eksperiencë por edhe të huaj”, shtoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë