Treg

Fasoni e kaloi krizën, të etur për punëtorë

Sektori i prodhimit të veshjeve dhe këpucëve, ndër më të goditurit nga pandemia, tani duket se ka dalë nga spiralja e gjatë e krizës dhe po kthehet në normalitet.

Prej muajsh në vështirësi , fasonet e patën të pamundur të mbajnë fuqinë punëtore në punë por tani të gjitha bizneset po punojnë me kapacitet të plotë.

“Situata është kthyer në normalitetin e para vitit 2019, patjetër me disa limite dhe disa ndryshime.

Në krahasim me vitin pandemik 2020 ka një rritje të kërkesave për prodhim në rreth 18% duke përfshirë sektorët e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve dhe ka një tendencë shumë pozitive në rritjen e kërkesave nga markat europiane për të prodhuar në Shqipëri”-tha për Gazetasi.al Edvin Prençe, kryetar i Shoqatës Pro-Eksport.

Edvin Prençe

Pavarësisht ecurisë pozitive, një problematikë me të cilën ende haset ky sektor është mungesa e fuqisë punëtore.

“Aktualisht sipas INSTAT janë rreth 55.000 të punësuar dhe mund të themi që sektorit në përgjithësi i mungojnë mbi 15.000 punonjës të cilët me patjetër do detyrojnë bizneset të plotësojnë vendet e lëna bosh me punëtorët pa eksperiencë por edhe të huaj.”-shton Prençe i cili thekson se në një ekonomi të hapur dhe globale, me shumëllojshmëri oferte/kërkese nuk mund të quajmë tabu ose gabim marrjen e punonjësve të huaj pasi ajo është një nevojë emergjente dhe madje ndikon në  rritjen zhvillimin e vendit tonë.

Të dhënat nga Agjencia Kombëtare e Punësimit tregojnë se deri në vitin 2019 ky sektor ishte ofruesi më i madh i vendeve të lira të punës që nuk kërkonin kualifikim ku mbi 6500 biznese në të gjithë vendin, shumica në sektorin fason, kërkuan të punësonin 45 mijë persona në vitin 2019 nëpërmjet zyrave të punës. 

Përfaqësuesit e sektorit të fasoneve kanë lobuar me Institucionet Qeverisëse për një mbështetje gjithëpërfshirëse me anë të paketës ndihmëse, të cilën duket se e kanë siguruar.

“Mbështetja në projekt është e kompletuar, madje tejkalon parashikimet tona,  pasi është momenti kritik por edhe shansi i vetëm që Sektori Manifakturë i Veshjeve dhe Këpucëve të kalojë në fazën e dytë të nevojshme të ciklit të mbyllur prodhues që është një vlerë e shtuar dhe do të përkojë me rritjen e eksporteve Made in Albania,  fuqizimin e bizneseve, hapjen e vendeve të reja të punës por edhe rishikim në rritje të pagave të punonjësve të sektorit.

E gjitha po ndiqet me kujdes që të mos ndodhin surpriza nga pikat e mirëdetajuara në program deri në aktivizimin final të tyre qe parashikohet në fillim të 2022.”-thotë Prençe për Gazetasi.al

Gjatë vitit 2020 ky sektor pësoi rreth 180 mln euro humbje dhe dobësitë më të mëdha janë ndjerë në fabrikat e prodhimit të këpucëve, të cilat vuajtën rënien drastike të kontratave të porosive prej kufizimeve në lëvizje në shumicën e vende të BE-së.

Karakteristikë e këtij sektori është varësia e lartë nga Italia, me 71% të totalit të eksporteve të tekstileve dhe 86% të këpucëve.

“Kur kollitet Italia, Shqipëria teshtin”, është një ndër mënyrat karakteristike që drejtuesit e fasoneve referohen për të shpjeguar situatën e cila tashmë duket se u është rikthyer sërish ritmeve normale,ku edhe sipas INSTAT, Italia ka shënuar vendin me të cilin Shqipëria ka patur rritjen më të madhe të eskporteve, me rreth 24.2%.

Sektori i fasonëve ka ndjekur një ecuri pozitive përgjatë 6-mujorit të parë të vitit.

 Eksportet e tekstileve dhe këpucëve sipas INSTAT arritën në 56.2 miliardë lekë, rreth 65.3 milionë euro në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Edhe sipas publikimit më të fundit, eksportet gjatë këtij 9-mujori janë rritur me 36.5% krahasuar me një vit më parë ku ndër grupet që kanë ndikuar më shumë pozitivisht në rritjen janë tekstilet dhe këpucët me 3.5%.

Edhe pse me ritme disi të ngadalta, ecuria po duket gjithnjë e më pozitive për sektorin e fasoneve i cili përfaqëson grupin më të madh të eksportit në vend me rreth 38% të totalit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë