Treg

Qeveria pranon të heqë akcizën e gazit për bizneset

Nga Gazeta 'SI' - Pas disa kërkesave, qeveria shqiptare i ka premtuar bizneseve heqjen e akcizës për gazin e lëngshëm.

Në një takim me prodhuesit vendas, Zv/Kryeministrja dhe Ministrja e Energjetikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku shprehu dakordësinë për këtë vendim.

 “Ne do ti japim një frymëmarrje sipërmarrjes për një periudhë trevjeçare, që të keni mundësi të forconi pozitat tuaja në tregun rajonal dhe për të rritur konkurrueshmërinë në mënyrë transparente”, tha Balluku.

Sipas përfaqësuesve të biznesit, gazi zë 40% të kostove operative të tyre dhe ka hapësirë për abuzim .

Po ashtu prodhuesit kërkuan që tu jepet mundësia të importojnë lëndë djegëse alternative dhe t’i përdorin në prodhimin e çimentos. Përgjigjen e morën nga Ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro.

“Dje më ka ardhur në dorë drafti i parë për ligjin e ri të menaxhimit të integruar të mbetjeve. Synimi është që brenda këtij legjislacioni qeveria ta dërgojë në parlament. Kërkesave tuaja do ju japim zgjidhje me këtë ligj, edhe produktet e gjelbra patjetër që duhet të jenë akteve nën ligjore, për ti dhënë mundësi bizneseve të mos mbyllen por të jetojnë”, u shpreh ministrja Mirela Kumbaro.

Prodhuesit kanë bërë edhe disa kërkesa të tjera ndaj qeverisë, si shtyrja e aplikimit të taksës së karbonit për fabrikat e prodhimit të çimentos që hyn në fuqi në 2026-ën si dhe lejimi i prodhimit të qeseve plastike për eksport, që aktualisht është i ndaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë