Taksa

Taksë tjetër shtesë për bizneset që bëjnë plehra: Do të financojnë grumbullimin dhe riciklimin

Nga Gazeta ‘Si’ - Bizneset që zhvillojnë, prodhojnë, përpunojnë, trajtojnë apo shesin produkte, konsumimi i të cilave krijon mbetje, do të kenë detyrime shtesë nga janari i vitit të ardhshëm.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nxjerrë për konsultim një projektligj që ka si qëllim ngritjen e skemës së Përgjegjësive të Zgjeruara të Prodhuesit.

Aplikimi i kësaj skeme është detyrim që duhet përmbushur nga Shqipëria për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe zbatimi i saj ndikon në nxitjen e ndarjes së diferencuar të mbetjeve në burim dhe riciklimin e tyre.

Ky ligj do të zbatohet për rryma specifike të mbetjeve, që janë: ambalazhet dhe mbetjet e tyre; bateritë dhe akumulatorët; automjetet dhe mbetjet e pajisjeve elektrike dhe elektronike.

Sipas projektligjit, disa detyrime kryesore të prodhuesit lidhen me financimin dhe krijimin e një sistemi për grumbullimin, transportimin, riciklimin ose një mënyrë tjetër të trajtimit të mbetjeve të krijuara nga produktet e tyre që ata vendosin në treg në Shqipëri.

Po ashtu, detyrim do të jenë edhe investimet në infrastrukturën e grumbullimit apo zhvillimi i aktiviteteve të përshtatshme informacioni, ndërgjegjësimi, udhëzimi ose trajnimi për të informuar qytetarët në ushtrimin e të drejtave të tyre si konsumatorë.

Të gjitha kostot që rrjedhin nga përmbushja e këtyre detyrimeve ligjore do të mbulohen nga prodhuesit.

Paralelisht, prodhuesi që është subjekt i kësaj skeme e që vendos në treg produkte për herë të parë do të duhet të paguajë taksën e produktit, e cila përllogaritet në varësi të produkteve që hedh në tregun vendas.

Ndërkaq, dokumenti i nxjerrë për konsultim përmban edhe masat administrative, në rast të mos përmbushjes së detyrimeve nga ana e subjekteve.

Gjobat e propozuara variojnë nga nga 200 000 në në 2 000 000 lekë. Detyrimet ligjore që rrjedhin nga ky ligj do të hyjnë në fuqi në datën 1 janar 2025.

Të ardhurat që krijohen nga pagesa e taksës së produktit konsiderohen të ardhura dytësore që 70% kalojnë në buxhetin e shtetit dhe 30% kalojnë në fondin special të ekonomisë qarkulluese, për t’u përdorur për përmbushjen e kërkesave të këtij ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë