Mendim

Si po nxit mafia protesta të dhunshme kundër izolimit në Itali?

Pandemia dhe masat izoluese që solli me vete në mbarë botën, nuk kanë prekur vetëm qytetarët e zakonshëm por edhe organizatat mafioze. Megjithatë, ndryshe nga qytetarët që nuk kanë fuqi t’u kundërpërgjigjen masave kufizuese të vendosura nga qeveritë për frenimin e koronavirusit, mafia ka mjete dhe pushtet për të sfiduar shtetin, duke çuar kështu në humbjen e kontrollit të pandemisë.

Mafia italiane po bën gjithçka që ka në dorë që pandemia të mos pengojë aktivitetin e saj të paligjshëm, duke orkestruar edhe protestat e dhunshme kundër masave izoluese në qytetet më të mëdha italiane.

Autoritetet italiane kanë ngritur dyshime se mafia ishte ajo që planifikoi dhe drejtoi demonstratat dhunshme në Napoli. Protesta të ngjashme janë zhvilluar në të gjithë vendin fqinj për katër ditët e fundit, ku  pronarët e lokaleve dhe restoranteve shprehin shqetësime se masat kufizuese të marra qeveria për të frenuar rritjen e rasteve të koronavirusit, do të shkatërrojnë bizneset e tyre.

Por trazirat ekonomike të shkaktuara nga kriza kanë paraqitur mundësi që mafia të kapë firmat e goditura. Bllokimi  i kufijve dhe kufizimet është një lajm i keq për organizatat kriminale sepse kontrollet e rritura të policisë kufizojnë lirinë e mafisë për të vepruar. Policia vlerëson se me mbylljen e jetës së natës në Itali, të ardhurat e drogës së mafies Camorra do të bien deri në 60 për qind.

Të dielën, Kryeministri Xhuzepe Konte njoftoi një shtrëngim të mëtejshëm të masave duke përfshirë mbylljen e restoranteve dhe bareve pas orës 06:00 pasdite. Campania, Lazio dhe Lombardia, tre rajonet me shifrat më të larta të infektimeve në Itali  kanë miratuar shtetrrethim natën në përpjekje për të ngadalësuar ritmin rritjes së numrit.

Në protestën e së premtes në Napoli, policia identifikoi anëtarët e njohur të katër familjeve mafioze Camorra të cilët mendohet se drejtuan demostratën. Protestuesit hodhën gurë ndaj policisë si dhe sulmuan oficerët brenda makinave të tyre dhe dëmtuan automjetet me shkopinj. Disa gazetarë u sulmuan gjithashtu. Vincenzo de Luca, guvernatori rajonal, i përshkroi ngjarjet si “luftë guerile”.

Kryeprokurori antimafia, Federico Cafiero De Raho, i tha gazetës lokale Il Mattino se “200 skutera ndoqën demonstrimin dhe më pas në vijim të një sinjali të rënë dakord, lëshuan sulmin ndaj autoriteteve”.

“Dhuna ishte e një niveli intensiteti që nuk është sjellje e pronarëve të restoranteve, as të biznesit dhe as të punëtorëve,” tha ai, duke shtuar se protestuesve paqësorë iu bashkuan anëtarë të ekstremit të djathtë dhe anarkistë.

“Ajo që ndodhi përfaqëson një sulm të vërtetë, të prekshëm ndaj shtetit.” De Luca theksoi se protesta nuk kishte të bënte me shqetësime të ligjshme nga bizneset në lidhje me shtetrrethimin e sjellë të premten dhe ishte planifikuar dhe koordinuar për të paktën një javë në mediat sociale.

Eksperti i anti-mafias Giuseppe Antoci thotë se klanet mafioze kundërshtojnë bllokimet sepse rritja e kontrolleve të policisë ndikon në aftësinë e tyre për të vepruar lirshëm dhe çojnë në uljen e të ardhurave nga shitja e drogës. “Ata u shkatërruan nga bllokimi i parë,” tha ai.

“Klanet mafioze po përdorin gjithashtu protestat për të nxitur zemërimin dhe mosbesimin e përgjithshëm ndaj shtetit, tha ai. “Mafies i leverdis të krijojë një klimë konflikti midis njerëzve dhe shtetit, duke u thënë qytetarëvë se shteti nuk është aty për ju dhe se jaën ata që po ofrojnë ndihmë. Duke vepruar kështu, ata zgjerojnë rrjetin e tyre të aleatëve”.

“Nëse një bos mafie paguan borxhet e dyqanit tuaj kur jeni në krizë, ju jeni një nga mijëra biznesmenët e vegjël që i detyroheni organizatës së tij mafioze,” shpjegoi Atoc. “Ekziston rreziku që të kthehemi 30 ose 40 vjet mbrapa kur udhëheqësit mafiozë shiheshin si arbitra, që zgjidhnin problemet dhe mosmarrëveshjet.”

Ekonomia e Italisë ka pësuar rënie për vite me radhë, me papunësi të lartë dhe rritje të ngadaltë ekonomike. Sikur të mos mjaftonte kjo, izolimi i çoi disa njerëz buzë dëshpërimit. Por të pranosh edhe ndihmën më të vogël nga një mafioz është jashtëzakonisht e rrezikshme.

“Mafia nuk ka bërë kurrë asgjë nga bujaria. Ky koncept nuk ekziston për ta,” thotë Enza Rando i cili punon po ashtu për Antimafian.  “Asgjë nuk kërkohet në këmbim në fillim. Por të gjithë do të duhet të paguajnë për ndihëm e dhënë nga mafia në një mënyrë apo tjetër.”

Sandro Ruotolo dhe Paolo Siani, të dy deputetë nga Napoli, i kërkuan qeverisë në një deklaratë të përbashkët të ndihmonte bizneset dhe individët që përpiqeshin të siguronin të ardhurat për të parandaluar ndërhyrjen e mafies. Ata u bënë thirrje atyre që protestojnë në mënyrë të ligjshme të distancohen nga mafia. “I izoloni, identifikoni, ndaloni. Çdo akt dhune duhet të dënohet, nuk është asnjëherë i justifikuar ”.

Epidemia e fundit që goditi Italinë, tregoi se krimi i organizuar bëhet më i pasur gjatë krizave . Në vitin 1884, kur Napoli u gjend në një situatë katastrofike nga kolera, parlamenti italian miratoi një ligj për rehabilitimin e qytetit të Napolit dhe ndau 100 milion lira për vepra bamirësie. Ata që përfituan ishin kontraktues të korruptuar dhe të paskrupullt dhe aleatë politikë të familjes Kamorra. Të gjithë mafiozët përfituan përveç qytetit të Napolit.

Gjatë murtajës së shekullit të shtatëmbëdhjetë, aristokracia, e cila nuk mund të menaxhonte më emergjencën në qytet, duhej të bënte marrëveshje me bandat kriminale, e cila merrte përsipër shërbime të ndryshme, nga kontrolli i rrugës deri te menaxhimi i kufomave. Edhe sektori bujqësor, nëse nuk mbrohet nga qeveria, rrezikon kolapsin dhe pushtimin total kriminal. Madje, në Italia ekziston edhe një precedent.

Gjatë shpërthimit të kolerës në Siçili në 1867, produktet bujqësore nuk po shpërndaheshin dhe prodhimi ra, sepse punëtorët e sëmurë ose të tmerruar nuk punonin më në fusha. Mafia rurale vendosi të ndërhynte duke propozuar një pakt për pronarët e tokave, të cilëve u siguroi punëtorë (të cilët u detyruan të ktheheshin në punë me kërcënime dhe shantazhe) dhe u bleun prodhimin, të cilin nisi ta shpërndante vetë.

Kjo ndodhi 150 vjet më parë. Por çfarë mund të ndodhë sot me një zinxhir furnizimi në të cilin klanet janë tashmë të pranishme. Rreziku është që mafia të përfundojë duke vendosur kushtet e saj. Dhe çfarë do të ndodhë më tej, kur pandemia të jetë shuar. Klanet mafioze po mendojnë gjithashtu edhe për këtë. Për çdo sipërmarrës që është në rrezik të mbyllë restorantin ose dyqanin, ekziston një klan që është i gatshëm të ndërhyjë duke blerë biznesin, ose duke bindur pronarin të bashkëpunojë me ta, në këmbim të ndihmës financiare në këto kohë krize.

Nëse shteti nuk vepron tani për kompanitë në krizë, do të jetë vonë, shumë vonë. Një shtet që izolohet për një kohë të gjatë, bie lehtësisht pre e çdo forme të organizuar.

Burimet: "Politico.Eu", "Repubblica.it"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë