Mendim

‘Si fillim Athina të na njohë si pakicë kombëtare’. Xhufi dhe Rrokaj: Pse greqishtja s’mund të futet në shkollat shqiptare

Nga Gazeta 'Si'- Një debat i ri duket se do të lindë mes Shqipërisë dhe Greqisë. Por këtë herë jo në rrafshin politik, por në atë arsimor. Shefi i ri i partisë opozitare greke SYRIZA, Stefanos Kasselakis, gjatë një takimi me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Greqi, hodhi për herë të parë idenë e futjes së gjuhës shqipe në sistemin arsimor grek. Por propozimi i liderit të opozitës greke ishte i kushtëzuar, pasi sipas tij, një metodë e ngjashme duhet të ndiqej edhe nga Shqipëria.

Por sa i realizueshëm është ky plan përtej retorikës politike?

Për studiuesin dhe historianin Pëllumb Xhufi ky propozim nuk është i realizueshëm sepse nuk mund të vihet në një plan gjuha shqipe në shkollat greke me gjuhën greke në shkollat shqipe.

“Në Greqi ne kemi një prezencë shqiptare prej shekujsh, e cila është ushqyer vazhdimisht me prurje, pra në të gjitha provincat e Greqisë ka prani shqiptare. Dhe nuk ka pasur ndonjëherë ndonjë propozim apo kërkesë nga një forcë politike shqiptare politike që të jetë gjuha shqipe në të gjitha shkollat e Greqisë”, shprehet studiuesi Pëllumb Xhufi për Gazetasi.al.

Për Xhufin ky propozim nuk është i realizueshëm sepse nuk mund të vihet në një plan gjuha shqipe në shkollat greke me gjuhën greke në shkollat shqipe

Edhe për gjuhëtarin Shezai Rrokaj, ky propozim është i paplotë dhe hap shumë diskutim. Ndonëse sipas tij çdo ide që shkon për interesat e individit në parim është e drejtë, Rrokaj thotë për Gazetasi.al se para këtij propozimi, si fillim grekët duhet të njohin shqiptarët si pakicë kombëtare.

“Gjëja e parë që duhet thënë që është gjë pozitive interesimi edhe për gjuhën shqipe, por Greqia është ndër vendet që nuk i ka njohur shqiptarët si pakicë kombëtare, me të drejtat që kanë pakicat kombëtare. Ka një konventë  të Këshillit të Europës, për mbrojtjen e pakicave kombëtare edhe një ligj 8496 të viti 1999 që i detyron shtetet që kanë pakica kombëtare për të hartuar ligje për mbrojtjen e pakicave kombëtare në vendet e tyre. Greqia hyn në ato shtete që nuk i njeh shqiptarët si pakicë kombëtare, madje nuk ka ligj për pakicat kombëtare, nuk njeh as arvanitasit e dikurshëm që nga Spata e Athinës edhe deri në Igumenicë e Filat apo edhe emigrantët e rinj që janë në Greqi një pjesë e madhe e të cilëve kanë marrë shtetësinë greke, por jo se janë etnikisht grekë”, shprehet gjuhëtari Shezai Rrokaj për Gazetasi.al, ndërsa shton se “se nëse gjuha shqipe do të futet në të gjitha shkollat greke, ne proporcionalisht nuk kemi aq grekë sa kanë ata shqiptarë. Shqiptarët atje janë në një mazhorancë të jashtëzakonshme, pra nuk mund të zbatohet e njëjta gjë që kërkon për shqiptarët atje, të kërkohet për grekët këtu”.

Edhe për gjuhëtarin Shezai Rrokaj, ky propozim është i paplotë dhe hap shumë diskutim

Xhufi i mëshon fort faktit se është fare e pajustifikuar ideja që ka shprehur kreu i partisë opozitare greke SYRIZA, Stefanos Kasselakis, për të vendosur gjuhën greke në të gjitha shkollat, pasi gjuhët nuk vendosen në mënyrë arbitrare me vendime politike.

“Ata e nënvizojnë fort në të gjitha shkollat, pra gjuhë greke në Burrel, Has, Tropojë, Peshkopi. Problemi është që nuk mund të bëhet vendosja e një gjuhe të huaj me një vendim politik nga një parti politike. Ne kemi një përvojë të keqe sepse një kryeministër dikur dha lajmin që do futej kinezçja si gjuhë e dytë. Këto propozime të natyrës politike nuk kanë asnjë bazë sepse ne kemi një përvojë reale me gjuhët e huaja. Ne kemi pasur gjuhën ruse deri në vitet ‘90 e vendosur në të gjitha shkollat dhe studentët në fund nuk dinin asgjë. Gjuhët vendosen për të mësuar në bazë të lidhjeve, interesave, perspektivave të vendit”, thotë ndër të tjera studiuesi Pëllumb Xhufi për Gazetasi.al.

Ajo që të dy studiuesit theksojnë është se ndryshe nga Greqia, Shqipëria i ka kryer detyrat e saj në raport me grekët, duke i njohur si pakicë kombëtare me ligj.

“Ndërkohë që Shqipëria i njeh grekët si pakicë kombëtare dhe nga të njohurit si pakicë kombëtare me ligj burojnë një sërë të drejtash për ata qytetarë që njihen si pakica kombëtare, të drejtat e minoriteteve,  gjuha, shkolla e kështu me radhë. Pra Stefanos Kasselakis bën mirë që të punojë bashkë me Mitsotakis që të ketë një ligj për pakicat kombëtare, dhe ku dihet se cilat janë të drejtat që burojnë nga kjo gjë”, thotë gjuhëtari Shezai Rrokaj.

Sipas studiuesit Xhufi, ne i njohim pakicat aq sa nuk i ka njohur asnjë shtet tjetër. “Qeveria shqiptare i ka njohur si minoritete kombëtare edhe ato minoritete që janë historike, të cilat nuk i plotësojnë kriteret për të qenë minoritete kombëtare. Mund të jenë minoritete kulturore, siç janë quajtur grupime shqiptare në vende të tjera, në Itali p.sh minoritete linguistike”, vijon studiuesi dhe historiani Pëllumb Xhufi.

Rrokaj ndër të tjera thotë se propozimi që të mësohet gjuha greke te ne nuk ka sens sepse pakicat kombëtare i gëzojnë këto të drejta aty ku ato krijojnë mazhoranca në popullsinë përkatëse, ndërsa e cilëson alogjik propozimin e futjes së gjuhës shqipe në gjithë shkollat shqipe.

“Në Himarë, Finiq, Dropull, aty ku krijojnë një numër të caktuar ne kemi shkolla greke ku mësohet greqisht. Si mund të jetë propozimi për gjithë shkollat shqipe? Është e pamundur nga pikëpamja praktike dhe mundësive që të realizohet”.

Rrokaj i mëshon fort faktit që Greqia duhet ta fillojë nga pakicat kombëtare, pasi duhet të ketë reciprocitet mes shteteve.

“Shqipëria e ribëri ligjin në 2017-n ku njihet pakica greke zyrtarisht dhe Këshilli i Ministrave ka nxjerrë akte për mbrojtjen e gjuhës, kulturës, fesë etj. Tani kur Finiqi e ka dhe Pusteci këtej për maqedonasit apo Dropulli kanë shkollë greke, pse nuk ka në Igumenicë, Prevezë? Pra Greqia është shumë hapa larg drejt kësaj dhe qeveria shqiptare këtë duhet të bëjë, të kërkojë respektimin sepse gjuha më së pari është e drejtë natyrore, pastaj e drejtë ligjore. Ligjet duhet t’ua njohin këtë të drejtë natyrore”, thotë ndër të tjera gjuhëtari Shezai Rrokaj.

Një tjetër problematikë sipas studiuesit Xhufi është se greqishtja aktuale nuk është gjuhë kulture, nuk është greqishtja e vjetër e Homerit apo Sofokliut. Sipas tij nuk mund të futësh një gjuhë nisur nga një synim politik ose nga një dëshirë politike, pa pasur një perspektivë ku më çon mua kjo gjuhë.

“Greqishtja u duhet albanologëvve, historianëve, arkeologëve, historianëve, por këto janë grupe të vogla interesi që i kanë mundësitë për ta mësuar edhe në mënyra të tjera. Marrëdhëniet që ne kemi me Greqinë pas viteve ‘90 janë intensive, kemi shkëmbime të mëdha dhe greqishten e kanë mësuar emigrantët aq sa u duhet për komunikim. Por kur e fut në shkollë, duhet një gjuhë e kultivuar, t’u mësosh nxënësve një gjuhë që shoqërohet me letërsi, histori etj. Pra me greqishten është një mund që nuk të çon dot askund. Nuk është një gjuhë si anglishtja, një ndër gjuhët e komunikimit të Bashkimit Europian që të hap horizonte që mund të lexosh një libër apo të shikosh një film”, thotë ndër të tjera studiuesi Pëllumb Xhufi.

Edhe gjuhëtari Rrokaj përfundon duke thënë se “në vendin tonë janë 4-5 gjuhë (asnjëra prej tyre nuk është e detyrueshme si gjuhë e dytë) të Bashkimit Europian që dominojnë. Gjuha greke nuk është gjuhë e komunikimit të Bashkimit Europian”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë