Njerez

Shqipëria si Afrika, shifra të larta papunësie të të rinjve me aftësi të kufizuara

Nga të dhënat, Shqipëria ka shifrën e dytë më të lartë të pasivitetit të të rinjve pa asnjë aftësi të kufizuar në punë apo arsim

Nga Gazeta "SI"- Përfshirja e të rinjve shqiptarë me aftësi të kufizuara në punësim apo shkollim është në nivele të njëjta me vendet afrikane, madje dhe më keq se në disa prej tyre.

50% e të rinjve me probleme, mendore, fizike apo individuale, përfshirë sensorët, nuk janë të asnjë punë, shkollë apo lloj trajnimi në vendin tonë. E njëjta shifër është edhe për Gambian, Meksikën dhe Trinidad&Tobago.

Sipas Bankës Botërore, kjo shifër i përket grupmoshës 15-24 vjeç.

Nivelin më të lartë të mospërfshirjes së tyre e ka Vietnami me më shumë se 70%, ndjekur nga Bangladeshi me rreth 70%. Atë më të ulët e ka Ruanda, me 12%.

Nga të dhënat, Shqipëria ka shifrën e dytë më të lartë të pasivitetit të të rinjve pa asnjë aftësi të kufizuar në punë apo arsim. 32% e shqiptarëve nga 15-24 vjeç, nuk punojnë, shkollohen apo trajnohen.

Vendi i parë i përket Bangladeshit me 43% të të rinjve pa problematika, që nuk janë të punësuar apo shkolluar.

Ruanda dhe Egjipti mbajnë shifrën më të vogël të të rinjve inaktivë, me nga 1%.

Në të gjithë botën, papunësia për femrat me aftësi të kufizuara është edhe më i lartë se i meshkujve, deri në 80% të totalit.

Sipas BB-së, familjet me një pjesëtar me aftësi të kufizuara janë shumë pranë rrezikut të të qenit të varfër dhe  me ardhura më të ulëta. Vetë këta individë e kanë të vështirë të shkëputen nga varfëria. Ky përjashtim i personave me aftësi të kufizuara nga tregjet e punës ka një kosto sociale dhe ekonomike, e cila vlerësohet të jetë ndërmjet 3 dhe 7% të PBB-së.

Në tranzicionin e tregut të punës që ndodhi gjatë pandemisë, ku shumë profesione dhe kompani u futën në botën digjitale, u rritën mundësitë për punësimin e të rinjve me aftësi të kufizuara.

Ndërkohë që punësimi digjital mund t’i integrojë ata më shumë në tregun e punës dhe shoqëri, janë të rrezikuar nga izolimi. Punësimi digjital zakonisht kryhet nga shtëpia dhe kjo do të mund t’i limitojë kohën e lëvizjes në botën e jashtme.

Raporti i Bankës Botërore i referohet shifrave të 2020-s/Gazeta "SI"


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë