Njerez

Projekti për të “çliruar” familjarët: Një grup vullnetarësh shoqërojnë kudo personat me aftësi të kufizuara

Një grup vullnetarësh në Tiranë janë angazhuar që të shoqërojnë në jetën e tyre të përditëshme, personat me aftësi të kufizuara. Eglantina Bajrami thotë se ky është një projekt për të lehtësuar të afërmit e personave me aftësi të kufizuara. Ajo është drejtoreshë e “Klubit Kombëtar të Prindërve të Fëmijëve me Çrregullime të Spektrit Autik dhe Personave me Aftësi të Kufizuara,”, organizatë që ka ndërmarrë këtë nismë. Projekti do të zgjasë deri më 30 prill 2022 dhe pas kësaj date, Bashkisë së Tiranës do t’i dorëzohet moduli i tij projekti, me synimin që kjo të bëhet “diçka normale në të të ardhmen”.
“Në fillim ishin të gjithë shumë skeptik nëse do të mund të realizohet si projekt por tani e kemi vënë re se po shkon siç duhet dhe personat që po marrin këtë shërbim janë të lumtur dhe po lobojnë tek miqtë e tyre për tu bërë pjesë e këtij projekti”, thotë Bajrami.
Bleri Prodi, një person me aftësi të kufizuara i cili është përfitues në projektin e ri ku personat me aftësi të kufizuara do të shoqërohen nga vullnetarë për të lëvizur me autobus, tregon se deri tani ka lëvizur me të afërmit e mi, familjarët. “Tani ndjehem autonom si dhe kam liruar dhe anëtarët e familjes”, tregon ai për Gazetasi.al.

Por si funksionon?

Personi me aftësi të kufizuara duhet të prenotojë 24 orë përpara nëse do të bëjë një lëvizje. Shkon vullnetari e merr te shtëpia personin, pa qenë nevoja që ta nxjerrë nëna, babai ose motra dhe e dërgon tek autobusi. I thotë shoferit apo fatorinos që ky person do të zbresë në filan stacion. Në stacionin ku zbret personi është vullnetari tjetër që e pret. Në momentin që vullnetari i parë e hipën përfituesin në autobus, lajmëron vullnetarin tjetër që e ka ngjitur personin dhe ndërkohë i ka marrë targën autobusit në mënyrë që vullnetari tjetër që e pret, të mos ngatërrohet. Vullnetari tjetër e çon në punë, në shkollë, në shëtitje, kafe apo kudo ku ka destinacionin personi.
Prodi, i cili është i verbër, punon te Ministria e Brendshme si specialist komunikimi. Ai tregon se më parë, lëvizte çdo ditë me një të afërm apo familjar dhe e mira është se tani ata nuk kanë pse e shoqërojnë çdo ditë në punë. “Tani i dinë oraret e mia dhe çdo ditë, njëri vullnetar më merr nga puna dhe më hipën në autobus tek stacioni tek 9-Katëshet deri në Medrese ku më pret vullnetari tjetër që të më dërgojë në shtëpi. Është një lloj lirie për të cilën kam pasur shumë nevojë”.


Bora Doma është një nga 20 vullnetaret e projektit e cila punon si psikologe. Ajo tregon se “për të bërë diçka që ke dëshirë, mund ta gjesh gjithnjë kohën”. Doma thotë se dëshira për të qenë vullnetare e shtyn dhe të gjejë kohë për projekte të tilla, ku nuk ka një orar fiks.


“Ne lajmërohemi një ditë para për të planifikuar edhe marrëdhënien që kemi ne me punën apo me mësimin dhe rregullojmë kohën edhe me përfituesit që kanë nevojë për shoqërim. Në rast se dikush ka nevojë për një shoqërues shpejt, ne biem dakord me njëri-tjetrin, komunikojmë në një grup të WhatsApp dhe më pas rregullojmë oraret dhe mundësitë tona”, thotë Doma e cila shton se kryesisht vullnetarët janë specialistë të shëndetit mendor dhe fizik, janë studentë të infermierisë, fizioterapisë apo psikologjisë.
“Në rast se duhet të lëviz jashtë orareve që kam lënë me vullnetarët, besoj se mund të mbështetem tek vullnetarët edhe pse nuk kam pasur akoma nevojë”, thotë Prodi.


Doliana Velia është një tjetër përfituese, një nga 10 prej tyre, e cila tregon për Gazetasi.al se “familja më ka mbështetur gjithmonë por përsëri dua të jem e pavarur. Jemi të lirë të kthehemi kur të duam në shtëpi pasi e dimë se nuk kemi askënd nga familja që po na pret tek kafja apo jashtë”, thotë Velia. Ajo tani ndjehet e pavarur dhe po fillon të kuptojë se si është të jetosh e pavarur dhe mbi të gjitha, t’i japësh lirinë familjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë