Njerez

Ndrek Ismailaj, 26 vjet në karrocë: Por e jetova jetën si të gjithë

Ishte viti famëkeq ’97 kur Ndrek Ismailaj atëherë 29 vjeç pësoi aksidentin fatal që e gjymtoi përjetë.

Baba i një djali 1 vjeç dhe bashkëshort i një gruaje të re, një familje e re me shumë ëndërra, të cilëve u ndryshoi rrjedha e jetës përgjithnjë.

“Trupi im dikur i fuqishëm, si një djalë i rritur në Bjeshkë, sepse jam nga Tropoja, humbi të gjithë aftësitë pasi nga legeni dhe poshtë unë nuk kam më asnjë funksion”, rrëfen Ndreka për Gazetasi.al momentet që përjetoi pas aksidentit.

Ndreka, djalë i një familje të madhe me 7 fëmijë nuk mendoi kurrë të ishte barrë për ta. Megjithëse para aksidentit kishte ndërtuar jetën e tij me forcat e veta, ishte diplomuar për fizikë dhe punonte si oficer gjyqësor në policinë financiare,  kishte një shtëpi të ndërtuar po vetë në periferi të Tiranës, pas aksidentit për të gjithçka pushoi.

Ndreka thotë se 3 vitet e para pas operacionit i kaloi në krevat me sytë ngulur në tavan.

Gruaja punonte, tashmë me një barrë dyfish mbi supe pasi duhet të përballonte të gjitha shpenzimet e familjes. Djalin e vogël e dërguan te gjyshërit në Vlorë, ku kaloi vitet e fëmijërisë.

“Nuk mund të qëndroja më në krevat. Nga një person aktiv nuk mund të isha pasiv, të prisja gruan të më ndihmonte të ushqehesha dhe të kryeja nevojat e mia personale. E vetmja gjë që i kërkova asaj ishte një karrocë. Dhe pas 3 vitesh unë e gjeta mundësinë”, thotë Ndreka.

Ishte viti 2000 kur me ndihmën e disa miqve siguroi kontaktet me një fondacion të huaj që do të hapte të parën qendër sociale për personat me aftësi të kufizuar në Tiranë, qendra “Don Bosko” që më vonë zgjeroi shërbimet duke u shndërruar në një qendër mjaft të njohur.

Riintegrimi, proces i vështirë

Në fillim Ndreka mësoi kompjuterin dhe pak nga pak nisi të aktivizohej në qendër duke iu bashkuar dhe personave të tjerë me aftësi të kufizuar. Sfidë u bë mbrojtja e kësaj kategorie që në ato vite vuante nga pagesa e ulët e paaftësisë dhe shërbimet për riintegrimin në shoqëri.

“Bashkë me disa persona të tjerë u organizuam dhe filluam të identifikojmë rastet që kishin nevojë për tu përfaqësuar, mbrojtjen e të drejtave të tyre, trajtimin financiar dhe shërbimet e tjera që në ato vite mungonin pothuajse fare”, thotë Ndreka.

Vetë ai pas disa vitesh punë në qendër u bë një zë mjaft i njohur dhe për politikbërësit të cilët në vitet 2004-2005 e punësuan në ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, punësim që rrjedh nga ligji I përfaqësimit ku në 10 veta të punësuar në administratë një duhet të jetë person me aftësi të kufizuar.

Përvojën e tij, dëshirën për të përqafuar sërish jetën ua përcolli dhe të tjerëve të cilët fatkeqësia I kishte përplasur në shtëpi duke u bërë jo vetëm barrë për familjarët por dhe duke humbur dashurinë për veten.

“Pak nga pak, me ndihmën dhe të donatorëve të huaj ndikuam në ngritjen e qendrave sociale ku personat me aftësi të kufizuar të mësonin  njohuri në kompjuter dhe gjuhët e huaja, si dhe të përfitonin nga kurset profesionale në Qendrat e Formimit Profesional. Kjo nuk ishte e lehtë, sespe deri atëherë i vetmi interes i familjarëve të personave me aftësi të kufizuar ishte përfitimi financiar dhe jo riintegrimi”, tregon Ndrek Ismailaj.

Familja, të gjithë bashkë për të përballuar sfidën

Kur e pyet për pengjet e tij, Ndreka me sytë që i lotojnë pak përmend gruan e djalin.

“Ishte shumë e re për të përballuar një sfidë kaq të madhe. I jam borxhli gjithë jetën. Humbi jetën e saj pas meje, nuk më braktisi përkundrazi bashkuam forcat për të rinisur jetën” thotë Ndreka 54-vjeçar.

Ndërsa pengu tjetër i tij është djali i vetëm 25 vjeç të cilit gjymtimi i  të atit i privoi të bërit të gjërave bashkë si moshatarët e tij.

“Megjithatë nuk e ndava nga vetja. E kam shoqëruar deri në fund të shkollës së mesme, ndonëse paragjykohej nga shokët. Meraku im ishte të mos mësohej me vese duke menduar se unë nuk isha i zoti ta edukoja dhe të kujdesesha për të”, thekson Ndreka.

Sot djali I tij sapo ka përfunduar studimet në një universitet amerikan në Bullgari dhe është në pritje të nisjes së puës.

Bashkë me nënën dhe kontributin modest të të atit, jeta e tyre duket se nuk ndryshon më nga të tjerët.

Në ditën botërore të personave me aftësi të kufizuar, Ndreka ka një mesazh për të gjithë këtë kategori: “Nuk duhet të dorëzoheni dhe të mjaftoheni vetëm me pagesën e invaliditetit. Jepini vetes shans të rifilloni atje ku e latë me të tjera interesa por me dashuri për jetën dhe veten”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë