Njerez

Niveli i urisë në botë nuk ka qenë kurrë kaq i lartë

Gaza, Sudan, Haiti... Numri i njerëzve që përballen me pasiguri akute ushqimore është rritur në mënyrë të vazhdueshme gjatë pesë viteve të fundit, sipas një vlerësimi ndërkombëtar.

Ndikimi shkatërrues i thatësirës në Afrikën jugore, dhuna e bandave në Haiti, mungesa ushqimore në Gaza: Kjo është një përmbledhje e katastrofave globale, çka kanë bërë që në vitin 2023, 281 milionë njerëz në 59 vende po përballeshin me pasiguri akute ushqimore (niveli më ekstrem i urisë), sipas Raportit Global 2024 mbi Krizat Ushqimore.

Në raport thuhet se ky ishte numri më i lartë që nga fillimi i raportit global në 2016.

"Ky raport global mbi krizat e ushqimit tregon dështimet njerëzore," paralajmëroi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, duke paraprirë analizën.

"Në një botë me bollëk, fëmijët po vdesin", shtoi ai i indinjuar, në parathënien e tij të raportit.

Ndryshe nga vlerësimet e tjera ndërkombëtare që dokumentojnë pasigurinë kronike ushqimore në të gjithë botën, Raporti Global mbi Krizat Ushqimore fokusohet në rajonet që përballen me shpërthimet më ekstreme të urisë, më shpesh pas një katastrofe (konflikti të armatosur, krizë ekonomike ose ngjarje klimatike), që kërkon një përgjigje urgjente.

Sipas raportit, më shumë se një në pesë persona në 59 vende u përballën me pasiguri akute ushqimore në vitin 2023, krahasuar me vetëm një në 10 në 48 vende në vitin 2016.

Kur flasim për urinë akute, ne po flasim për urinë aq të rëndë sa që përbën një kërcënim për jetën e njerëzve.

Sipas perspektivës së raportit, rreth 1.1 milion njerëz në Gaza, dhe 79,000 në Sudanin e Jugut parashikohet të përballen me urinë deri në korrik.

Në studim thuhet se konflikti do të vazhdojë gjithashtu të nxisë pasigurinë ushqimore në Haiti, ku bandat kontrollojnë pjesë të mëdha të kryeqytetit.

Për më tepër, ndërsa fenomeni El Nino arriti kulmin në fillim të vitit 2024, ndikimi i tij i plotë në sigurinë ushqimore, duke përfshirë përmbytjet dhe shiun në pjesë të Afrikës lindore dhe thatësirën në Afrikën jugore do të shfaqet gjatë gjithë vitit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë