Njerez

Historia e Shpresës, 48-vjeçarja paraplegjike që jeton në garazh: Ëndërroj të kem shtëpinë time një ditë

Gazeta Si - Ajo rrezaton shpresë siç ka dhe emrin. Buzëqeshja nuk i shqitet nga fytyra kur nis të tregojë pa droje për jetën e saj. Shpresa Spahiu, paraplegjike prej 32 vitesh, jeton prej 4 vitesh në një garazh pallati 11-katësh në rrugën "Don Bosko" në Tiranë.

Siç thotë dhe vetë, komshinjtë e njohin më shumë atë se njëri-tjetrin në hyrje, pasi ajo pastron çdo ditë territorin para hyrjes së garazhit, një ambient që e ka përshtatur për veten me shumë mundim.

"Ky ambient paguhet nga Bashkia e Tiranës, sepse kam përfituar bonus qiraje. Është e vështirë të gjej shtëpi për veten në kushtet e mia. Disa janë në kate të larta, ndërsa shtëpitë private nuk kanë barriera që të ecë apo gjerësitë e dyerve janë të tilla që s'më lejojnë të eci me karrocë", thotë 48-vjeçarja, kur e pyesin se si përfundoi në një garazh.

Aty ka përshtatur mjedisin e saj, dhomën e gjumit, ku ka një krevat tek, ndërsa ngjitur ka kundrabufenë me lavamanin e ndërtuar në lartësinë e saj të ulur në karrocë. Më pas lavatriçja, televizori, të gjitha nē një ambient pa dyer, por të ndara në dy pjesë.

Në pjesën hyrëse ka një portë të madhe ku lëviz pa problem dhe gjatë ditës e mban të hapur. Sapo hyn në sallon, sheh të vendosur raftin e rrobave e më tej dy motorët e saj që lëviz jashtë në qytet.

"Njërin e bleva vetë në vitin 2015 kur dola më vete dhe nisa jetën si e pavarur. Tjetrën ma dhuroi një mik holandez", tregon Shpresa.

Por si u paralizua ajo?

"Isha 16-vjeçe kur u diagnostikova me kancer në shtyllën kurrizore. Isha nxënëse në gjimnaz në Klos, Burrel. Nëna më kishte vdekur vite më parë dhe jetoja me 5 motra e vëllezër të tjerë. Unë isha më e vogla", tregon gruja.

Dy vjet pas kryerjes së operacionit të parë, humb shansin përgjithmonë për të ecur si më parë. Pas këtij momenti, gjithçka ndryshoi për të dhe familjen e saj.

"Ishte viti '93 kur u shtriva për herë të parë në krevat dhe kam ndenjur në Burrel 10 vjet pa dalë nga shtëpia. Pranova fatin si person me aftësi ndryshe. Në atë kohë nuk kishte karroca për invalidët, të vetmit që më bënin shërbim ishin babai e vëllezërit. Isha me fat që të paktën duart i kisha funksionalë. Vetëm pjesa poshtë kafazit të kraharorit dhe deri tek gishtat nuk i ndjej", tregon Shpresa për Gazetasi.al.

"Burgu" i vajzës së re do të vijonte dhe në Tiranë për 4 vjet, derisa një ditë ra në kontakt me shoqatën e personave me aftësi ndryshe, ku jo vetëm përfitoi karrocën, por dhe u njoh me të drejtat e saj.

Prej vitit 2015 u nda dhe nga familja, sepse vendosi të jetojë vetëm pa qenë barrë e kurrkujt.

Megjithë problemet fizike, Shpresa nuk e humbi kurrë interesin për jetën. Iu rikthye shkollës së mesme ‘part-time’ dhe mori diplomën.

Më pas filloi Universitetin Bujqësor, por mundi të kryejë vetëm 3 vjet. Sot punon me shoqatën, duke informuar personat e rinj me ligjet, të drejtat që rrjedhin prej tij apo duke bërë avokatinë e tyre në institucionet shtetërore, sepse është zv/kryetare e shoqatës së paraplegjikëve. Ëndrra e saj? Një shtëpi sipas kushteve fizike. Ka shpresë se bashkia do ia marrë parasysh.

Ndërsa për veten, ëndrrat i ndërpreu që 16-vjeçe, kur zemra i kishte rrahur për dikë në bankat e shkollës, por që fati nuk ishte në anën e saj.

E megjithatë, buzëqeshja, dëshira për të jetuar çdo ditë me pozitivitet dhe për të ndihmuar të tjerët, të frymëzon e të jep leksionin e jetës, të japësh ka më shumë kënaqësi se të marrësh!


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë