Treg

Shqipëria me financimet më të ulëta për bujqësinë, renditet e fundit në Europë

Nga Gazeta ‘Si’- Sërish Shqipëria ka rezultuar vendi me mbështetjen buxhetore më të ulët për bujqësinë në rajon dhe në BE.

raportin e Bankës Botërore për vendet e Ballkanit Perëndimor, theksohet se Shqipëria financoi mesatarisht me 0.19% të PBB sektorin bujqësor gjatë viteve 2020-2021, niveli më i ulët krahasuar me shtetet e tjera. Edhe në raporte të mëhershme, BB ka theksuar të njëjtën gjë.

Vendet e BE-së financuan bujqësinë me 0.35% të PBB-së, ndërsa Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova financuan përkatësisht me 0.35% ; 0.56% dhe 0.68%.

Vetëm Shqipëria spikat si një vend në rajon me nivel të ulët të mbështetjes bujqësore për bujqësinë, e cila në të njëjtën kohë është sektori me peshën më të madhe në PBB-së me rreth 19% të saj.

Përveç financimeve të brendshme nga buxhetet kombëtarë, bujqësia po përfitonte financime të konsiderueshme nga programi IPARD i Bashkimi Europian, një instrument për vendet në proces anëtarësimi në BE. 

Në të gjithë rajonin, fondet e IPARD shënuan rritje të disbursimeve pas pandemisë. Sipas grafikut bashkëngjitur, Shqipëria do të përfitonte nga viti 2023 deri më 2027 rreth 94 milionë euro por një proces hetimi nga zyra e hetimit për rregullisë e procesit (OLAF) ka bllokuar fondet për Shqipërinë për një kohë të pacaktuar.

Fondet e paketa në dispozicion nuk po mundësojnë investime në mbrojtjen e bujqësisë nga ndryshimet klimatike dhe as nuk mund të nxisin novacionin në këtë fushë për të rritur rendimentin që në shumë kultura është shumë më i ulët se në BE, thekson BB.

Mungesa e investimeve në novacionin bujqësor po konsiderohet si pengesë për shfrytëzimin e financimeve private dhe është një mundësi e humbur për adresimin e shqetësimeve mjedisore dhe ndryshimeve klimatike në bujqësi. 

Banka Botërore sugjeron se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve kërkimore, organizatave bujqësore, sektorit privat dhe politikëbërësit do të ndihmonin për të kapërcyer boshllëqet ekzistuese të njohurive.

Shumica e shpenzimeve publike që jepen për bujqësinë në Ballkan përdoren për pagesa të drejtpërdrejta.

Në vende të tilla si Bosnjë-Hercegovinë, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, pesha e pagesave direkte për fermat arrin në 70-80% të  buxheteve të bujqësisë, shumica e të cilave është e lidhur me prodhimi blegtoral ose përdorimi e inputeve.

Vetëm në Shqipëri, më shumë se 70% e buxhetit bujqësor shkon për shpenzime operative të aparatit burokratik dhe vetëm një pjesë e vogël për mbështetje direkte te fermerët

Përveç Bankës Botërore, edhe një raport i mëhershëm i FAO-s ka theksuar mbështetjen tepër të dobët të Shqipërisë ndaj fermerëve.

Vendet e Ballkanit Perëndimor mesatarisht u dhanë fermerëve të tyre rreth 54 euro për hektar, ndërsa në Shqipëri, kjo shifër ishte 18 herë më pak, me vetëm 3 euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë