Treg

Mbështetja direkte për fermerët në Shqipëri, 18 herë më e ulët se në rajon

Nga Gazeta 'Si'-Ndër të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria është shteti që ofron subvencionet më të pakta për fermerët.

Sipas të dhënave nga një raport i FAO(Organizata e Ushqimit në Kombet e Bashkuara), i botuar gjatë vitit të shkuar, në Shqipëri fermerët marrin vetëm tre euro mbështetje direkte për hektar nga shteti.

Raporti për "Analizën e politikës së bujqësisë dhe zhvillimit rural" evidenton se Shqipëria çon shumë pak fonde publike në bujqësi, teksa ka një strukturë të përkeqësuar të përdorimit të tyre, pasi fondet nuk shkojnë aty ku duhet.

Sipas tij, subjektet dhe institucionet që merren me monitorimin e Ministrisë së Bujqësisë në Shqipëri marrin 42 euro.

Ndërkohë situata në vendet e tjera është e kundërta pasi pjesa më e konsiderueshme e mbështetjes shkon drejtëpërdrejt te fermeri.

Kosova që është vendi më afër nesh, me gjysmën e buxhetit tonë dhe me një përvojë shtetformuese shumë të re, mbështet me 69 euro për hektar fermerin dhe 54 euro administratën. Në Bosnjë-Hercegovinë, 66 euro për hektar i shkojnë fermerit dhe 60 administratës.

Vendet e Ballkanit Perëndimor mesatarisht u dhanë fermerëve të tyre rreth 54 euro për hektar, ndërsa në Shqipëri, kjo shifër ishte 18 herë më pak, me vetëm 3 euro.

“Shteti nuk ofron asistencë të mjaftueshme për fermerët, për të përballuar konkurrencën në treg, për të parandaluar shpopullimin rural, apo për të rritur produktivitetin. Si i tillë, vendi duhet të rrisë urgjentisht financimin e drejtpërdrejtë dhe të përmirësojë funksionimin e institucioneve, në mënyrë që fondet të absorbohen siç duhet”, thotë raporti referuar këtij niveli financimi.

Ai gjithashtu thekson se rritja e fondeve ndaj fermerëve paralelisht me zhvillimin e institucioneve që funksionojnë mirë, janë kushte që duhen përmbushur për thithjen me efikasitet të fondeve të Bashkimit Europian.

“Në vitet e fundit të para-anëtarësimit, një vend kandidat duhet të akordojë nga buxheti i brendshëm të paktën një të tretën e fondeve që pret nga buxheti i BE.

Që të plotësojë këtë kusht, Shqipëria duhet të pesëfishojë alokimin për bujqësinë në raport me vitin 2019, duke i çuar subvencionet 150-200 milionë euro”, thekson gjithashtu raporti.

Gjithashtu në të vlerësohet se puna në bujqësinë shqiptare është e vështirë dhe stresuese.

Fermerët shqiptarë sipas raportit jo vetëm që janë të ekspozuar nga ndryshimi i klimës, mungesa e ekspertizës, laboratorëve dhe certifikimeve por punojnë dhe pa kontrata, gjë që shpesh rrezikon punën e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë