Ne rrjet

Shqipëria bojkoton Konferencën Islamike në mbështetje të Izraelit. Po Europa ç’qëndrim po mban?

Në përpjekje për të treguar solidaritetin e saj me Izraelin, Shqipëria ka bojkotuar së fundmi një samit të Organizatës Islamike, ku vendi ynë është anëtar prej vitit 1992.

Të alarmuar për përshkallëzimin e luftimeve, bota myslimane ka mbajtur këtë të diel një takim të jashtëzakonshëm, në nivel të ministrave të jashtëm. Duke qenë se u pozicionua në mbështetje të Izraelit, Shqipëria e "braktisi" këtë mbledhje, duke lënë vetëm edhe një prej aleatëve të afërt të vendit tonë, Turqinë. Mbledhja u zhvillua me kërkesë të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Kryetarit të Samitit Islamik, “për të diskutuar mbi agresionin nga Izraeli në territoret Palestineze, veçanërisht, Al-Kuds Al-Shareef”.

Në një deklaratë të përbashkët, Organizata Islamike tha se “dënon në termat më të fortë sulmet barbare të nisura nga Izraeli, autoriteti pushtues, kundër popullit Palestinez dhe tokës e vendeve të tij të shenjta; kërkon ndalimin e plotë dhe të menjëhershëm të këtyre sulmeve që kanë prekur civilët e pafajshëm dhe pronat e tyre, në shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar dhe rezolutave të Kombeve të Bashkuara për çështjen e Palestinës; dhe paralajmëron se vazhdimi dhe nxitja e këtyre sulmeve dhe provokimeve, rrit rreziqet e paqëndrueshmërisë, me pasoja serioze për sigurinë brenda dhe jashtë rajonit”

Shqipëria ishte ndër shtetet e para që dënoi sulmet me raketa të Hamasit, duke dalë hapur në krah të Izraelit, edhe pse shumë shtete nuk kishin reaguar ende për luftimet.

“Shqipëria është thellësisht e shqetësuar për përshkallëzimin e dhunës në Jeruzalem dhe brenda dhe përreth Gazas. Sulmet me raketa kundër Izraelit janë të pajustifikueshme dhe rrezikojnë një përshkallëzim serioz të dhunës që do të sillte një dëm si për civilët izraelitë dhe palestinezë. Ne u bashkohemi thirrjeve nga miqtë dhe aleatët tanë që qetësia të rikthehet dhe përshkallëzimi i mëtejshëm të shmanget,” shkruhej në një postim të Ministrisë së Jashtme shqiptare në Tëitter, më 11 maj.

Benjamin Netanyahu falenderoi përpara samtit të Konferencës Myslimane të gjitha shtetet që kanë dalë hapur në mbështetje të Izraelit, duke e rënditur Shqipërinë direkt pas SHBA-së.

Por çfarë ane po mban pjesa tjetër në këtë konflikt?

BE-ja deri më tani ka hezituar të tregojë mbështetje për secilën palë në konfliktin e vazhdueshëm Izrael-Palestinë nga frika e rrezikimit të procesit të paqes. Ministrat e jashtëm të BE do të mbajnë një video konferencë të jashtëzakonshme të martën në kërkim të një qëndrimi të përbashkët.

Gjermania, Austria dhe Sllovenia deri më tani kanë mbështetur hapur të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten. Në Çeki, me urdhër të Presidentit Milos Zeman, flamuri izraelit po valëzon mbi selinë e presidencës Çeke. Në Vjenë, Ministri i Jashtëm austriak Schallenberg deklaroi se "Austria qëndron pranë Izraelit". Disa nga vëzhguesit kryesorë politikë të Austrisë besojnë se lëvizja mund të dëmtojë reputacionin e saj si një vend neutral dhe ndërmjetësues i konflikteve.

Pasi qeveria austriake dhe ministria e jashtme ngritën flamurin izraelit të remten për të treguar mbështetje në përshkallëzimin e fundit në konfliktin e Lindjes së Mesme, Ministri i Jashtëm iranian Mohammed Javad Zarif anuloi vizitën e tij të planifikuar në Vjenë, ku ai supozohej të merrte pjesë në negociatat për marrëveshjen bërthamore,

Kryenegociatori i Iranit për marrëveshjen, Seyed Abbas Araghchi, tha në Tëitter se Austria ka qenë deri më tani "një nikoqir i shkëlqyer i negociatave", por e përshkroi ngritjen e flamurit izraelit mbi ndërtesat qeveritare si "tronditëse dhe të dhimbshme".

Disa demonstrata pro-palestinezëve u shpërthyen në Francë dhe Gjermani gjatë fundjavës. Në Paris, Reuters njoftoi se manifestimi u ndalua nga policia dhe me kërkesë të Ministrit të Brendshëm Gerald Darmanin, me autoritetet duke përmendur frikën se protesta mund të bëhej e dhunshme.

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas bëri thirrje për një plan në tre faza për të de-përshkallëzuar konfliktin në Gaza, i cili do të përfshinte "ndalimin e raketave, fundin e dhunës dhe kthimin në bisedime konkrete midis izraelitëve dhe palestinezëve”.

Kandidatja e të Gjelbërve për kancelare Annalena Baerbock bëri thirrje për angazhim më të madh nga qeveria dhe dërgimin e ndërmjetësuesve në rajon.

Në një postim, Kryeministri Izraelit Benjamin Netanyahu falënderoi 25 vende për mbështetjen e tyre ndaj Izraelit, duke përfshirë Bullgarinë, Gjermaninë, Slloveninë, Austrinë, Çekinë, Qipron, Lituaninë, Italinë, Hollandën, Hungarinë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Bosnjën.

Šefik Džaferović, anëtari i presidencës trepalëshe të Bosnjës, reagoi duke thënë se vendi i tij nuk i mbështet vrasjet e civilëve të pafajshëm në Gaza të kryera nga forcat ushtarake izraelite. Džaferović bëri thirrje për një armëpushim dhe i kërkoi Kryeministrit të Izraelit të japë kontributin e tij në "vendosjen e paqes për popullin e Palestinës dhe Izraelit".

Administrata e Qytetit të Sarajevës shfaqi flamurin Palestinez në ndërtesën e bashkinsë, si një shenjë solidariteti me "të gjitha viktimat e pafajshme dhe familjet e tyre. Republika Srpska (RS) tregoi se qëndronte me Izraelin dhe institucioni i sa saj kryesor në Banja Luka, qyteti i dytë më i madh në vend, ngriti flamurin e Izraelit.

“Bosnja mbështet një zgjidhje që përfshin të dy shtetet dhe gjykon se vetëm bisedimet mund të çojnë në një zgjidhje dhe paqe të përhershme. Gjithashtu, ne mbështesim iniciativat ndërkombëtare që mund të ndihmojnë në ndalimin e valës së fundit të dhunës, "tha Ministri i Jashtëm Bisera Turković të dielën, duke shtuar se" asnjë dhunë nuk çon në paqe dhe stabilitet të përhershëm ".

Në Prishtinë, qeveria tha se Izraeli ka të drejtë të mbrohet kundër raketave të hedhura ndaj civilëve nga Hamas.

"Si çdo shtet Izraeli ka të drejtën dhe detyrimin për të mbrojtur popullin e tij kundër 2000 raketave të qëlluara mbi civilët nga Hamas, i cili po mban peng civilët palestinezë në luftën e tij. Ne vajtojmë të gjitha viktimat. Ne kërkojmë që të ndalohet dhuna dhe të ketë zgjidhje paqësore ", tha ministria e jashtme e Kosovës në një deklaratë të postuar në Tëitter.

Kosova dhe Izraeli vendosën lidhje diplomatike në shkurt të këtij viti, pas njohjes së Izraelit dhe pas hapjes së ambasadës së Kosovës në Jeruzalem.

Një marshim i organizuar nga Kolektivi për Mendimin dhe Veprimin Feminist u mbajt të premten në Prishtinë, me demonstrues që shprehën mbështetje për popullin Palestinez pas sulmeve ajrore ndaj Gazas.

Dhjetra protestues marshuan në qendër të Prishtinës duke brohoritur: "Palestina e Lirë!", "Ndaloni vrasjen e fëmijëve" dhe "Ndaloni fashizmin Izraelit".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë